Ndërlidhjet

2014-ta, vit i zbutjes së varfërisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Viti 2014, sërish e gjen Kosovën si shtetin më të varfër në rajon. Raportet e fundit të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, kishin dhënë shifra alarmuese për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë.

Sipas raportit më të ri të Bankës Botërore, varfëria në Kosovë është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.

Varfëria ekstreme, sipas Bankës Botërore, përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, derisa varfëria e moderuar nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë.

Gjatë viti 2013, Radio Evropa e Lirë kishte vizituar disa familje në Kosovë që jetonin në kushte të vështira ekonomike dhe sociale dhe në varfëri ekstreme.

Njëra nga këto familje ishte familja 16 antarëshe Mustafa. Familja Mustafa jeton jo shumë larg nga qendra e Prishtinës.

Kjo familje ka trembëdhjetë fëmijë, më i vogli 9 muajsh, kurse më i madhi vajza 19 vjeçe.

Nëna e tyre, Bahria, kishte treguar rrëfimin e saj dhe mënyrën se si mundoheshin të mbijetojnë.

“Në këtë shtëpi gati të rrënuar jetojmë gjashtëmbëdhjetë anëtarë të familjes, unë burri, vjehrra dhe trembëdhjetë fëmijët. Kushtet, në të cilat jetojmë, janë të mjerueshme. Paga prej 150 eurosh në muaj që merr burri, është e pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet që kemi ne si familje”, kishte treguar ajo.

Bahria, e cila ishte drejtuar në dyert e gati të gjitha institucioneve të Kosovës, deri më tani nuk kishte gjetur mbështetje të duhur. Duke qenë se në këtë familje hyn një pagë, anëtarët e saj nuk kanë mundësi të marrin asistencë sociale.

Në Kosovë janë 31 mijë familje të varfra, të cilat marrin asistencë sociale nga 40 deri në 80 euro në muaj, por që, sipas përfaqësuesve të Kryqit të Kuq të Kosovës, numri i familjeve të varfra në vend është më i madh.

Sekretarja e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, kishte vlerësuar se gjendja në terren është tejet shqetësuese, sa i përket varfërisë dhe sipas saj, varfëria është duke u rritur dhe jo duke u zvogëluar.

Ajo kishte treguar se kjo shoqatë, kohë pas kohe, ndihmon familjet me gjëra ushqimore dhe higjienike, por kërkesat e tyre janë më të mëdha se sa mundësitë ekzistuese.

“Ne bazohemi në familje që kanë numër më të madh të anëtarëve, kanë fëmijë, pleq, ku kanë telashe të tjera. Mund të them se 80 për qind të familjeve që ndihmojmë ne, nuk gëzojnë asnjë të ardhur, do të thotë se nuk punojnë dhe as nuk kanë ndonjë ndihmë tjetër”, kishte thënë Hyseni.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka të evidentuara mbi 17 mijë familje që ndihmon herë pas here, e që 80 për qind e prej tyre nuk gëzojnë as asistencë sociale.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, kishte thënë se gjatë hulumtimeve që kanë bërë në vitin 2013 nëpër komunat e Kosovës, kanë evidentuar se niveli i varfërisë në Kosovë është tejet i lartë dhe mjaft shqetësues.

“Varfëria është në nivel të lartë dhe një prej arsyeve pse kemi këtë nivel të lartë të papunësisë, është niveli i ulët i punësimit në vendin tonë. Për të ulur varfërinë, duhet të kemi plane dhe strategji për të krijuar vende pune dhe duke rritur punësimin në vend, kjo do të ndikojë edhe në uljen e varfërisë në vendin tonë”, kishte bërë të ditur Mehmeti.

E, sipas Deklaratës së Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, Republika e Kosovës deri në vitin 2015, duhet t’i përmbushë tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë këtu edhe uljen e varfërisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG