Ndërlidhjet

Kuçi: Shtrijmë gjykatat në veri dhe marrim kompetencat e EULEX-it


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Ruajtja e sistemit unik të drejtësisë dhe marrja e përgjegjësive ekzekutive nga misioni i EULEX-it, paraqitet të jenë angazhimet kryesore të ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi.

Gjatë një prezantimi të punës për vitin 2013, por edhe prioriteteve të vitit vijues, Kuçi ka thënë se në kuadër të angazhimeve për shtrirjen dhe funksionimin e gjykatave në veri do të ruhet uniteti i sistemit.

Deklaratat e tij, vijnë edhe si përgjigje ndaj pretendimeve të Beogradit që në veri të Mitrovicës të ketë një Gjykatë Themelore e cila do të përfshinte lëndët për katër komunat ne veri dhe e cila do të përbëhej ekskluzivisht nga gjykatës e prokurorë serbë.

“Angazhohemi të jetë një drejtësi e integruar, këtu kam parasysh veriun e vendit. Në veçanti kam parasysh ligjet e aplikueshme, karakterin unik të sistemit të drejtësisë dhe hierarkia e sistemit këshillit gjyqësor e prokuroria për të gjitha institucionet e në Kosovë”, është shprehur Kuçi.

Përderisa është angazhuar për vendosjen e rendit e ligjit në veri të Kosovës, ministri i Drejtësisë, Kuçi ka thënë po ashtu se prioritet mbetet edhe marrja e përgjegjësive ekzekutive nga EULEX-i.

Gjatë qershorit të vitit 2014, Bashkimi Evropian pritet që të kumtojë vendimin nëse do të ketë apo jo ristrukturim të mëtutjeshëm të EULEX-it.

Në këtë rrafsh, qeveria vendase ka përgatitur edhe një strategji për t’i marrë disa nga kompetencat ekzekutive që ushtron ky mision.

“Më 15 qershor të vitit 2014 pres të kemi një mision të ri të EULEX-it në Kosovë, duke pas parasysh karakterin ekzekutiv për atë që mbetet, duke pas parasysh karakterin monitorues që do të jetë më i madh sesa është tani dhe duke pas para sysh karakterin e veprimeve që do t’i ketë në veriun e vendit”, ka deklaruar Kuçi.

Aktualisht misioni i EULEX-it merret kryesisht me rastet e cilësuara si ët rënda, për të cilat institucionet e drejtësisë në Kosovë konsiderohet se ende nuk janë të afta sa duhet që t’i trajtojnë.

Bazuar në raportet ndërkombëtare, por edhe ato të organizatave vendore, gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet ende i ndikuar nga politika, i stërngarkuar me lëndë të pazgjidhura dhe i pareformuar.

Ministri Kuçi zotohet se përmirësimet do të jenë evidente qysh muajt e ardhshëm. Duke bërë një rekapitullim të gjendjes aktuale, Kuçi përmend përmirësimet në infrastrukturë, ndërtimin e pallatit të drejtësisë dhe burgut të sigurisë së lartë.

Kurse për veprat e rënda penale, ai thotë se në Kosovë ta një trend që nuk është parë deri më tani.

“Momentalisht, sipas shënimeve të fundit që posedoj, janë 1.865 të burgosur në shërbimet korrektuese. Nuk është për lavd, por gjatë kohës time si ministër është rritur numri i të burgosurve. Si ministër kam filluar me mbi 800 të burgosur, kurse tash ka mbi 1.800. Kurrë në shërbimin korrektues të Kosovës nuk ka pasur njerëz me vepra më të rënda sesa tash. As në kohën e komunizmit”, ka thënë Kuçi.

Përndryshe, përmirësimi i imazhit, rritja e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë, krijimi i kuadrove profesionale, plotësimi i boshllëqeve ligjore dhe zvogëlimi i numrit të lëndëve të mbetura pa u shqyrtuar, janë disa nga prioritetet tjera, që përmenden nga ministri Hajredin Kuçi në kuadër të punëve dhe angazhimeve në sistemin e drejtësisë.
XS
SM
MD
LG