Ndërlidhjet

S’rritet çmimi i banesave


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sektori i ndërtimit ka marr hov. Konkretisht, në këtë periudhë, në të gjitha qytetet e Kosovës ka pasur ndërtime të objekteve banesore, e në shumë raste pa infrastrukturë të nevojshme përcjellëse.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, thuhet se numri i përgjithshëm i banesave të zakonshme në gjithë territorin është 412,484; ndërsa vetëm në Prishtinë, e cila ka rreth 200 mijë banorë thuhet se ekzistojnë mbi 50 mijë banesa.

Prej këtyre, në kryeqytet, vetëm pas përfundimit të luftës thuhet se janë ndërtuara rreth 5 mijë objekte banimi, por që nuk ka statistika sa janë ndërtuar pa leje. Në Prishtinë, pothuajse nuk ka mbetur vend i gjelbëruar pa u mbushur me ndërtime, madje ka lagje ku nuk ka mbetur hapësirë për ndërtime.

Por, sa kushton një metër katror i banesave në kryeqytet dhe cilat lagje janë më të preferuara për blerësit? Sipas një hulumtimi të brendshëm që ka bërë Agjencia e Patundshmërive “Intercapital” në Prishtinë, thuhet se çmimi më i lartë për një metër katror arrin deri në 2000 euro në qendër, kurse ai më i liri në 700 euro në lagjen "Mati 1".

Arben Asllani, nga kjo agjenci, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thotë se në këtë hulumtim përfshihen çmimet e shitjes për ndërtimet e reja, si dhe ato të vjetra, si dhe kompensimi për pronarët e tokave nga ana e investitorëve për ndërtime të larta.

“Konkurrenca e madhe në vend, ka bërë që çmimi i shitjes së banesave në 3-4 vitet e fundit të ketë një rënie të lehtë prej 5 deri në 10 për qind. Kjo rënie vërehet sidomos në ndërtimet e reja në përgjithësi”, thotë Asllani.

Por, udhëheqës të disa kompanive ndërtimore thonë se nuk ka rënie të çmimeve, e as interesim për blerje.

Shpend Bajra, drejtor i shitjes në kompaninë e ndërtimeve “ Princesha” tregon çmimet në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

“Në lagjet ‘Bregu i Diellit’, ‘Kalabria’, ‘Mati 1’, çmimi shkon deri në 900 euro m2, varësisht nga mënyra e pagesës dhe kati i ndërtesës. Në 'Lagjen e Spitalit', çmimet arrijnë deri në 750 euro, ndërkaq në qendër çmimi për m2 shkon deri në 1100 euro”, tregon Bajra.

Ndryshe, disa qytetarë thonë se çmimi i banesave është shumë i shtrenjtë, ndërsa ndërtimet nuk kanë cilësi të duhur.

Etan Ratkoceri, jurist me profesion, thotë se çmimet e banesave në Kosovë janë pothuajse të njëjtat me çmimet në vendet e zhvilluara në Bashkimin Evropian.

“Zona e parë është shumë e shtrenjtë, nga 1500 deri 2000. Me këtë çmim blen banesa edhe në Evropë. Në kryeqendrat e Evropës 2000 euro kushton m2, Bruksel, Strasburg dhe Vjenë”, shprehet Etani.

Agimi, që punon taksist në qendër të kryeqytetit, konsideron se çmimet janë jashtëzakonisht të larta:

“Për qytetarët, janë jashtëzakonisht të shtrenjta. E, për dikë që ka shumë para, mund të jenë normale. Unë kam shtëpi. Është ndërtuar më ndihmën e prindërve në kohët e mëhershme. Ndërsa, tash nëse kam nevojë të blej banesë, duhet të mendohem shumë, duhet të punojnë 25 vetë, punë si unë që punoj, për të blerë një banesë njëdhomëshe”.

Ndërsa, mundësitë për blerje të banesave mund të realizohen edhe përmes sektorit bankar. Kohëve të fundit, bankat po përpiqen të promovojnë kreditë hipotekare për individë. Ofertat duken të jenë mjaft tërheqëse. PAvarësisht gjendjes së rëndë ekonomike në vend, kërkesat për kredi në banka për blerje të banesave apo shtëpive, nuk mungojnë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se kredia ka edhe kosto shtesë, ku përfshihet edhe norma e interesit.

Kushtet kryesore për të përfituar kredi janë që të kesh të ardhura dhe të ofrosh kolateral. Bankat financojnë deri në 80 për qind të vlerës së banesës, ndërsa afati i kredisë mund të shkojë deri në 20 vjet.

Në bazë të të gjeturave të Bankometrit të Institutit për Studime të Avancuara “GAP”, të publikuar në qershor të këtij viti, interesi nominal i kredisë për shtëpi shkon prej 9 për qind deri në 10.6 për qind, apo në mesatare diku 10 për qind.

Ndërkaq, kostoja administrative për këtë lloj kredie është nga 1 deri në 2për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG