Ndërlidhjet

Strukturat ilegale në veri integrohen gjatë dhjetorit


Pamje nga veriu
Pamje nga veriu
Beogradi ka zvarritur zhbërjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës, ka deklaruar koordinatorja e palës kosovare në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri.

Shqetësimet për zvarritje, zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se Prishtina i ka adresuar edhe te baronesha, Catherine Ashton si ndërmjetësuese në dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Me arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill, më pas ishte miratuar edhe plani i saj i zbatimit. Por, ky plan, tashmë konsiderohet se i ka devijuar të gjitha datat.

Megjithatë, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në komunat në veri të Kosovës, zvarritjet sikur kanë mbetur në plan të dytë dhe tani si palët në bisedime ashtu edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, kërkojnë hapa konkret në themelimin e komunave të reja dhe integrimin e serbëve që duhet të kalojë përmes shuarjes së strukturave ilegale dhe integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.

“Që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes, nga fundi i muajit maj, përparimet kanë qenë të kufizuara”, ka thënë Tahiri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Mbyllja e zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë nëpër disa komuna të Kosovës dhe ndalja e pagave për punonjësit e strukturave paralele, ishin hapat e parë, thotë Tahiri.

Por, me shpalljen e zgjedhjeve lokale, ajo thotë se edhe Bashkimi Evropian ishte i interesuar që zgjedhjet të kenë sukses dhe të përfundojnë me shuarjen e komunave ilegale dhe formimin e atyre legale.

Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve në veri, kishte nxjerr në pah ekzistencën e formacionit të quajtur “mbrojtja civile”, për të cilin Tahiri thotë se i ngjan një formacioni paramilitar.

Çështjen e formacionit “mbrojtja civile”, si shqetësime i kemi ngrit në Bruksel edhe në nivelin politik. Ndërkaq unë si kryenegociatore, personalisht e kam ngritur si shqetësim te Fernando Gentilini, ku e kam shprehur jo vetëm pakënaqësinë por edhe kam theksuar urgjencën e shuarjes së plotët ë kësaj strukture e cila në fakt është një lloj strukture paramilitare që ka vepruar në të kaluarën në veri dhe ende nuk është zhbërë”, ka thënë Tahiri.

Prishtina në anën tjetër, nënvizon Tahiri, ka dhënë shenja të qarta se është e interesuar t’i integrojë pjesëtarët serbë nga strukturat ilegale, me miratimin e ligjit të amnistisë.

Sipas kërkesave të palës kosovare, mbi 200 pjesëtarë të policisë serbe që kanë vepruar nën direktivat e Policisë së Serbisë tani mund të integrohen në Policinë e Kosovës.

“Ata (Beogradi) janë vonuar në vazhdimësi në dorëzimin e listave përfundimtare. Fillimisht nuk e kanë dorëzuar fare listën e më pas janë vonuar. Presim që Bashkimi Evropian të merr rolin e vet në këtë çështje dhe ta dimë saktë numrin e atyre pjesëtarëve që janë të interesuar të integrohen në Policinë e Kosovës. Ne kemi paraqitur planin tonë integrues dhe kemi diku nga 200 deri në 250 vende të hapura për integrimin e pjesëtarëve serb”, ka sqaruar Tahiri.

Në anën tjetër, ministri pa portofol për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka biseduar të martën në Leposaviq me udhëheqësit e strukturave serbe të sigurisë dhe më pas ka deklaruar se ata pranojnë të integrohen në Policinë e Kosovës.

“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë do të pranojnë integrimin sepse ata e respektojnë shtetin dhe qeverinë e tyre dhe ata në të ardhmen e afërt do të marrin përsipër sigurinë dhe kujdesin për serbët e Kosovës”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, edhe në strukturat e gjyqësisë në veri, serbët do të kenë përfaqësimin sipas strukturës së popullsisë.

E gjithë marrëveshja e arritur në bisedimet Kosovë - Serbi, sipas tij është neutrale në raport me statusin e Kosovës. Përderisa veriu i Kosovës edhe kësaj radhe është trajtuar ndryshe nga zyrtari i qeverisë serbe.

“Në veri të Kosovës, serbët do të vendosin për serbët, serbët do të zbatojnë ligjin dhe serbët do të jenë ata që do të kujdesen që askush të mos i prek serbët”, është shprehur Vulin.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pret që shuarja e strukturave ilegale dhe integrimi i tyre të ndodhë brenda këtij muaji.

Ajo rikujton se edhe baronesha Ashton ka kërkuar nga Beogradi që të veproj shpejt, ngaqë Brukseli pritet që nga 20 dhjetori të merr vendime në lidhje me të ardhmen evropiane të Serbisë.

Zvarritjet e mëtutjeshme sipas saj, do t’i kushtonin shumë këtij vendi në proceset integruese.

“Mendoj se dhjetori duhet të sjellë rezultate shumë qenësore në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Data 20 dhjetor ka një rëndësi të madhe për vendimet që i merr Bashkimi Evropian në drejtim të ardhmërisë evropiane të Serbisë. Jam e bindur që nëse Serbia do t’i zvarris tutje zbatimet, kjo do të reflekton në rrezikimin e ardhmërisë evropiane të saj’, ka vlerësuar Tahiri.

Prishtina dhe Beogradi do të zhvillojnë edhe një takim në nivel politik më 13 dhjetor në Bruksel.

Aty pritet të bëhet edhe një vlerësim i të arriturave të deritashme në dialog, në mënyrë që më pas vendet anëtare të Bashkimit Evropian të mund të marrin pozicionet e tyre, sidomos karshi Serbisë, nëse do të pajtohen për kandidaturën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo jo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG