Ndërlidhjet

Qasja e grave në prona: Tradita sfidon ligjet


Vetëm rreth 15 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të femrave, edhe pse në teori nuk ekzistojnë pengesa ligjore që ndalojnë përdorimin e shërbimeve të administrimit të tokës.

Megjithatë, normat kulturore dhe traditat gëzojnë fuqi mbi ligjet. Në këtë mënyrë ato nuk mund të jenë pronare të ndonjë prone të paluajtshme, as si vajza, por edhe në martesë.

Ky realitet në rastet më të shpeshta ndodh në zonat rurale dhe në mesin e grupeve të margjinalizuara.

Kështu është thënë të hënën në një konferencë “Qasja e grave në prona”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Edona Hajrullahu, krye shefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, agjenci kjo që funksionin në kuadër të zyrës se kryeministrit, tha se në këtë aspekt Kosova ka një infrastrukturë ligjore mjaft të e avancuara, ku të drejtat garantohen për të dy gjinitë.

Mirëpo, tradita dhe mentaliteti, thotë ajo,po i sfidon ligjet në fuqi.

“Ne planifikojmë që vitin që vjen ta trajtojmë me më shumë kujdes këtë çështje, të sigurohemi që të nxjerrim ndonjë udhëzim ose masë afirmative të përkohshme, e cila do të mund të stimulonte edhe bashkëshorten që të regjistronte pronën në emrin e saj, do të thotë në emër të përbashkët”, tha Hajrullahu.

Kjo çështje në Kosovë është e rregulluar me Ligjin Kundër Diskriminimit, pra trashëgimtarët, femra dhe meshkuj, mund të disponojë pjesën e tyre trashëgimore dhe ta tjetërsojnë, pas regjistrimit si pasuri e tyre trashëgimore.

Por, gratë në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, pasi pasuria e familjes, rregullohet sipas zakoneve, dhe ndahet në mënyrë të barabartë vetëm mes meshkujve të familjes.

Megjithatë, për çështjen e regjistrimit të pronave në emër të gjinisë femërore nevojitet vetëdijesim, thotë Murat Meha, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë kadastrale të Kosovës.

Ai thekson se në këtë agjenci vetëm rreth 15 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të gjinisë femërore.

“Të drejtat e grave në Kosovë, mbi pronën e paluajtshme regjistrohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, si për gratë ashtu edhe për burra. Prandaj nuk kemi ndonjë dallim në këtë drejtim. Mirëpo, e drejta e tyre sa shfrytëzohet nga to dhe sa është ngritur vetëdija nga to është një çështje tjetër”, pohon Meha.

Në anën tjetër, Luljeta Vuniqi, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore – konsideron se vetëm tetë për qind e pronave të paluajtshme në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave.

Ajo thotë se pjesa më e madhe femrave kosovare nuk përshihen në trashëgiminë e pasurisë familjare, për arsye siç thotë Vuniqi, një kërkesë e tillë nga motrat karshi vëllezërve ende konsiderohet “turp” dhe në këtë mënyrë mundohen t'i ruajnë raportet familjare.

“Nuk dëshirojnë të kenë konflikt me familjen, respektivisht vëllezërit ose babanë. Dhe kështu ato në mënyrë 'vullnetare' heqin dorë nga trashëgimia”, tha Vuniqi.

Por, disa qytetarë japin mendime të ndryshme lidhur më këtë çështje.

Arbenita Ibrahimi, nga Ferizaj, jeton në Francë. Ajo punon në një aeroport të këtij shteti.

Arbenita thotë se nuk ka ndonjë pronë të regjistruar në emrin e saj, dhe as që do të kërkojë nga prindërit që ndonjë pjesë e pasurisë t’i takojë asaj.

“Duhet një pjesë e pasurisë, por më shumë i takon mashkullit. Unë nuk do të kërkoj të jem pjesë në ndarjen e pasurisë familjare. Babi e di që do më ndajë pasurinë, por unë nuk kërkoj. Nuk më takon”, thotë Arbenita.

Ekonomisti Idriz Selmanaj, tashmë pensionist, thotë se trashëgiminë familjare e ka ndarë në mënyrë të barabartë për dy djemtë dhe dy vajzat e tij.

“Unë në mënyrë të barabartë e kam ndarë, i takon. Por, edhe mos me pasë shumë pasuri, mjafton të kesh një një bukë. Dhe ajo duhet të ndahet në katër pjesë, pa marrë parasysh se a është vajza apo djali. Edhe sipas besimit fetar, sipas kanunit, ligjeve, pasuria apo prona i takon femrës. Ai është fëmija im, si vajza ashtu edhe djali”, shprehet Selmanaj.

Ajo çka mbetet shqetësuese, sipas organizatave joqeveritare, që merren më këtë çështje, është se në shumicën e familjeve shqiptare në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale, femra respektivisht motra, nuk trashëgon pronë kur vdes babai nëse nuk ka vëlla.

Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt të personit të ndjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG