Ndërlidhjet

Protesta për përmendoren e Car Dushanit


Forcat e shtuara të njësive speciale të policisë të shtunën nuk kanë lejuar që protestuesit shqiptarë të mbulojnë përmendoren e Car Dushanit me një pëlhurë të zezë, e cila siç kanë theksuar ata, “simbolizon turpin e institucioneve shtetërore”.

Një nga organizatorët e protestës, Afrim Gashi, ka theksuar se gjesti i vendosjes së bustit të Car Dushanit është turp për Qeverinë e Maqedonisë.

“Me që ditëve të kaluara u krijua një gjendje amullie e mospranimi i autorësisë së kësaj përmendoreje, e mora këtë iniciativë thjesht personale e qytetare që, përmes kësaj, ta kuptojmë saktë dhe qartë se kush e ka vendosur këtu këtë beton të quajtur Car Dushan”, ka deklaruar Afrim Gashi, duke sqaruar se përmes pengimit për të ta mbuluar me një pëlhurë të zezë të përmendoren bëhet e qartë se kush është porositës i kësaj vepre, siç u shpreh ai, të turpit.

“Pas kësaj mund të diskutojmë se kujt i shërben kjo që Qeveria e Republikës së Maqedonisë të iniciojë vendosjen në sheshin e Shkupit të një sundimtari, i cili nëse jo te maqedonasit, së paku te shqiptarët perceptohet si sundimtari që me dhunë i detyronte shqiptarët katolikë të bëheshin serbë dhe ortodoksë".

"Ndërsa ata që nuk pranonin i vriste në formën më të keqe. Kjo i bie që kështu kjo qeveri i ka ofenduar më shumë se 25% të qytetarëve të saj. Pas këtij veprimi do ta kuptojmë se kush e ka vendosur këtë përmendore”
, nënvizoi Gashi.

Ai kritikoi ashpër edhe veprimet e mbrëmshme të disa qytetarëve, të cilët tentuan ta rrënojnë përmendoren, që sipas tij, kjo sjellje nuk është aspak dinjitoze.

“Thirrjen për protestën e sotme e bëra haptas dhe ja ku jam haptas para gjithë juve, ndërsa ata që ndërtojnë tinëz, edhe rrënojnë tinëz”, ka deklaruar Afrim Gashi para dhjetëra protestuesve të cilët pas disa minutave janë shpërndarë qetë.

Ndryshe një grup shqiptarësh të premten në mesnatë kanë tentuar të rrënojë përmendoren e Car Dushanit, të vendosur në urën e civilizimeve të quajtur “Syri”.

Rreth 30 personave, kanë goditur me gjësende të forta dhe çekiçë të hekurit përmendoren, e cila ka pësuar dëme, por që nuk është rrënuar.

Përderisa një pjesë e mediave kanë raportuar se në mesin e qytetarëve ka pasur edhe zyrtarë të BDI-së por edhe aktivistë të shoqatave joqeveritare, këto informacione nuk kanë dashur as ti demantojnë ose konfirmojnë zyrtarët e BDI -së.

Pos që deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti ka postuar në profilin e saj në Facebook disa foto të tentimit të mbrëmshëm të rrënimit të përmendores së Car Dushanit, duke lënë të kuptohet se solidarizohet me këtë akt.

Nga ana tjetër për mediat maqedonase Lideri i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stolikoviq ka theksuar se tentimi për rrënimin e përmendores së Car Dushanit paraqet një veprim anti-serbe, fashiste-talibaneze.

Edhe lideri i partisë "Dinjiteti" ka reaguar ashpër ndaj tentimit për rrëzimin e përmendores në fjalë.

“E gjykojmë ashpër këtë akt vandal të atyre që tentuan të rrënojnë pëmendorën mbrëmë dhe të njëjtën e kanë dëmtuar. Njëherësh pyesim se çka do të pasojë pas kësaj, ndoshta nesër dikujt do t`i kujtohet ta rrënoj dhe përmendoren e mbrojtësve maqedonas sepse i ka irrituar ekstremistët shqiptarë meqë pikërisht ata luftuan me UÇK-në gjatë vitit 2001”, ka deklaruar Stojançe Angellov, lideri i partisë "Dinjiteti"

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë se kush e ka vendosur përmendoren e Car Dushanit dhe as kush e ka financuar të njëtën, përfshirë qytetin e Shkupit, Ministrinë e Kulturës apo edhe komunën Qendër, pos që kjo e fundit ka theksuar se përmendorja e Car Dushanit paraqet ndërtim ilegal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG