Ndërlidhjet

DPA: Shpëtimi pak i njohur i Shqipërisë gjatë Holokaustit


Pamje nga Auschwitzi
Pamje nga Auschwitzi
Derisa miliona hebrenj, homoseksualë dhe minoritete racore, ishin rrethuar dhe vrarë nga nazistët në gjithë Evropën.

Johanna Neumann, një hebraike gjermane, kishte shpëtuar gjatë Holokaustit, duke iu falënderuar Shqipërisë, Mbretërisë së vetme myslimane në Evropë, shkruan në fillim të artikullit të saj të gjatë agjencia DPA.

Johanna Newman, tash 83 vjeçare, ia ka treguar rrëfimin e saj kësaj agjencie gjermane para 65 vjetorit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit.

Për zonjën Neumann, shpëtimi i familjes së saj nga Shqipëria, me shumicë myslimane, mbetet një rrëfim i ndritshëm për kuptimin njerëzor në botën aktuale, shpeshherë e ngarkuar me jo tolerancë fetare.

“Vendi më i vogël në Evropë, në fund të luftës kishte më shumë hebrenj se sa në fillim të luftës”, thotë Neumann.

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një mrekulli krahasuar me numrin brengosës të të vrarëve në pjesët e tjera të Evropës, shkruan DPA.

Në përgjithësi, më se 5 milionë hebrenj ishin vrarë gjatë Holokaustit, përfshirë 90% të 3.3 milionë hebrenjve të Polonisë, 88% të 240 mijë hebrenjve të Gjermanisë, dhe 77% të 70 mijë hebrenjve të Greqisë, sipas Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara dhe gazetës New York Times.

Shqipëria, jo vetëm që i ka mbrojtur 200 hebrenjtë e saj kundër nazistëve, por, po ashtu, u ka dhënë strehim edhe afro 1800 hebrenjve, që erdhën si refugjatë në territorin e saj nga vendet e tjera evropiane.

Shqiptarët shpeshherë e kanë injoruar kërcënimin kundër jetëve të tyre për t’i shpëtuar mysafirët e tyre dhe “asnjë hebre i vetëm kurrë nuk është dërguar” në kampet e përqendrimit, thotë Neumann.

Më tutje, agjencia DPA shkruan se në thelb të gatishmërisë së shqiptarëve për tu dhënë strehim personave të jashtëm ishte koncepti i “besës”, që është një kod shqiptar i nderit, që i obligon njerëzit e vet që me gjithë rreziqet e mundshme t’i mbrojnë mysafirët e tyre me çfarëdo çmimi.

Sipas besës, “nëse ju vini në shtëpinë time, ju jeni të mbrojtur, ju jeni të mbrojtur në shtëpinë time dhe nga shtëpia ime...dhe kjo është mënyra e tyre e jetës”, thotë Johanna Neumann.

Me okupimin e plotë të Evropës nga Gjermania, Neumann dhe familja e saj lëvizën nga strehimi në strehim nga shqiptarët, duke evituar që ata të kapen nga forcat naziste, që i kishin zënë miliona hebrenj në gjithë Evropën.

E lindur në familje hebraike në Hamburg të Gjermanisë në vitin 1930, Neumann ishte shtatëvjeçare kur familja e saj u largua nga persekutimi në rritje i hebrenjve në vendin e stërgjyshërve të saj. Ata udhëtuan me tren në Itali, e pastaj e kaluan Detin Adriatik dhe zbritën në Shqipëri, shkruan DPA.

Vendimi për të shkuar në Shqipëri ishte bërë pas vonesave ose pengesave pothuajse të pakapërcyeshme në kërkim të vizave për në vendet e tjera, siç ishin Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Në vitin 1938, familja ishte në mesin e një duzinë hebrenjve të tjerë nga Gjermania dhe Austria, që kishin arritur në Shqipëri, një Mbretëri e vogël e dominuar nga myslimanët. Hebrenjtë e pa shtet, gjetën harmoni në shtëpinë e tyre të re, megjithëqë nuk zgjati shumë.

Qeveria e Shqipërisë dhe populli i saj e kanë fshehur numrin në rritje të hebrenjve të ardhur nga vendet fqinje, edhe kur forcat italiane, dhe më vonë edhe ato gjermane, e okupuan Shqipërinë.

Shumica e refugjatëve ishin fshehur në shtëpitë lokale, ndërsa një numër i vogël ishin strehuar në spital, ku ishte vënë mbishkrimi “karantina për edhet e tifos”, një mashtrim për t’i frikësuar forcat naziste gjermane, thotë Johanna Neumann.

Megjithëqë roli i Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve ishte i vogël në krahasim me Danimarkën dhe Bullgarinë, që së bashku i shpëtuan 55 mijë hebrenj të tyre, shpëtimi ka ndodhur nën Mbretin e vetëm mysliman në Evropë, shkruan DPA.

Për hebrenjtë e shpëtuar dhe për pasardhësit e tyre, aksionet e familjeve shqiptare paraqisnin jetë të re për ta.

“Ne ishim pranuar me krahë të hapur dhe ne kishin miq shqiptarë”, thotë Neumann, e cila këtë javë i mbushi 83 vjet.

Pasi arriti në Itali në fund të luftës, ajo përfundimisht emigroi në Shtetet e Bashkuara, në gusht të vitit 1946. Prej atëherë ajo e ka vizituar Shqipërinë disa herë dhe kishte qëndruar në xhaminë ku banorët lokalë e kishin strehuar atë dhe prindërit e saj.

Sot Johanna Neumann jeton me bashkëshortin e saj, me të cilin ajo u martua në vitin 1952 në Uashington, kur ajo kishte punuar në Muzeun Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara. Ajo i ka katër fëmijë, dhe shumë nipër e mbesa e fëmijë të tyre...

Duke pasur parasysh jetën që ajo e jetoi dhe familjen që e krijoi, ajo thotë se “nëse ju e shpëtoni një jetë njerëzore, kjo është sikur ju ta shpëtonit gjithë botën”, shkruan në fund të artikulli agjencia DPA.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG