Ndërlidhjet

Hapat e aziatikëve qendrorë drejt xhihadit në Siri


Siri...
Siri...
Mekhribbon ka përjetuar makthin e një nëne prejse është dëgjuar për herë të fundit me djalin e saj, gjatë kësaj vere.

Ajo nuk e ka parë të birin qysh në vitin 2011, kur ai dhe pesë shokë të tij janë larguar nga fshati Suzak i Kirgizisë, për të punuar si punëtorë migrantë pranë Moskës.

Pas thirrjes së fundit, Mekhribbon ka mësuar se të gjashtë ata kanë lënë Rusinë, për t’iu bashkuar Al Kaidës dhe kryerjes së xhihadit në Siri, kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

“Ka dërguar ca para pas muajit të parë, ndërsa më pas është zhdukur. Thirrja e fundit që ka bërë, ka qenë para pesë muajsh. Ka qenë një numër i gjatë. Askush nuk është përgjigjur kur kemi provuar ta thërrasim. Më pas kemi kërkuar nga policia, zyrtarët e sigurisë, që të na ndihmojnë”, rrëfen Mekhribbon.

Edhe prindërit e të tjerëve kanë kontaktuar Komitetin për Siguri Kombëtare të Kirgizisë, pasi kanë pranuar telefonata të ngjashme nga Siria. Ata nuk e dinë se ku i kanë djemtë e tyre, por druajnë se janë të vdekur.

Autoritetet kirgize i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, bazuar në hetimet e tyre, të gjashtit janë rekrutuar nga xhihadistët salafistë – militantë sunitë myslimanë që flasin rusisht – pas arritjes së tyre në Moskë dhe janë dërguar në Siri përmes Turqisë.

Por, rekrutuesit, që mendohet se janë nga rajoni rus i Kaukazit Verior, janë vetëm një degë e një rrjeti ndërkombëtar, që përdoret nga Al Kaida për të sjellë luftëtarë në Siri.

Michael Jeniks, këshilltar i lartë pranë Korporatës Rand, ka dëshmuar para Kongresit të SHBA-së në muajin nëntor, duke thënë se janë rreth 6,000 deri në 8,000 rebelë të huaj që luftojnë në Siri.

Jenkins thotë se shumica vijnë nga vendet arabe, por ka numër të madh edhe nga Afrika e Veriut dhe Evropa.

“Ata që janë identifikuar se kanë lidhje me Al Kaidën, duket se financohen nga donatorë privatë, kryesisht në mbretëritë e Gjirit. Donatorët janë individë të pasur”, thotë Jenkins.

Për krahasim, relativisht pak militantë në Siri janë nga Azia Qendrore. Por, gjatë vitit 2013, xhihadistët e këtij rajoni janë bërë më të shquar në mesin e luftëtarëve të Al Kaidës.

Rruga e tyre e radikalizmit dhe rekrutimit në Siri është komplekse dhe e paqartë.

Zyrtarët e sigurisë në Kirgizi dhe Kazakistan pretendojnë se procesi nis me grupe të vogla salafiste, që tërheqin të papunë ose të pakënaqur në komunitetet e tyre.

Autoritetet në Rusi dhe Azinë Qendrore shpesh drejtojnë fajin kah grupet e dukshme salafiste, të tilla si Hizb-ut Tahrir dhe Tabliq-i Jamat. Por, këto grupe publikisht e distancojnë veten nga xhihadistët sunitë.

Jacob Zenn, ekspert i terrorizmit pranë Fondacionit Jametown në Uashington, nuk është i bindur se këto grupe salafiste kanë lidhje të drejtpërdrejta me Al Kaidën.

“Hizb-ut Tahrir, në vetvete, nuk është domosdoshmërisht një aktor i dhunshëm. Shoh shumë pak prova të Hizb-u Tahririt duke kryer sulme të dhunshme, edhe pse qeveritë i akuzojnë shpesh ata”, thotë Zenn.

Zenn, i cili ka dëshmuar para Kongresit të SHBA-së për këtë çështje, thotë se ka dallime midis ideologjive salafiste dhe xhihadistëve më radikalë.

Por, ai pranon se miratimi i ideologjisë salafiste është hapi i parë i radikalizmit të atyre që i bashkohen Al Kaidës.

Zenn thotë se xhihadistët e Azisë Qendrore zakonisht rekrutohen dhe radikalizohen pasi udhëtojnë jashtë vendit, si për shembull në Turqi, shtetet e Gjirit, Afganistan, Pakistan apo edhe Rusi.

Orynbasar Kamatayev, nga rajoni Zhetisay në jug të Kazakistanit, beson se kjo ka ndodhur edhe me djalin e tij Nurlan, i cili ka luftuar në Siri.

Kamatayev thotë se i biri nuk ka qenë fetar disa vjet më herët.

“Sjellja e tij ka ndryshuar brenda dy ose tre muajsh. Ka qenë viti 2012 nëse nuk gaboj. Ka nisur të falet dhe të lexojë Kuranin ditë e natë... prej atëherë, ai gradualisht ka ndërprerë të gjitha kontaktet me ne”, rrëfen historinë e tij Kamatayev. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG