Ndërlidhjet

WP: Ukrainës nuk i duhet një tjetër revolucion


Protestat në Ukrainë
Protestat në Ukrainë
Demonstratat që kanë shpërthyer në Ukrainë gjatë fundjavës po krahasohen me Revolucionin e Portokalltë në vitin 2004, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post, duke shpjeguar se ato janë të drejtuara kundër njeriut të njëjtë: Viktor Yanukovich, i cili para nëntë vitesh, ishte shpallur fitues i zgjedhjeve të manipuluara dhe tash ka shkaktuar trazirë duke ia kthyer shpinën marrëveshjes së asocimit me Bashkimin Evropian.

Për Ukrainën, megjithatë, një revolucion tjetër nuk do të jetë shërbim i mirë. Ajo që nevojitet është procesi paqësor politik, që e respekton Kushtetutën e këtij vendi.

Ukraina dhe zoti Yanukovich nuk janë ata që ishin në vitin 2004. Atëherë, Ukraina qeverisej nga një autokraci e korruptuar dhe zoti Yanukovich ishte përfitues i vjedhjes zgjedhore të orkestruar ruse. Tash ai është president i zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe i kanë mbetur edhe 16 muaj, deri në fund të mandatit aktual presidencial.

Megjithëqë, vendimi i tij i shpejtë dhe i papritur për tu tërhequr nga marrëveshja me BE-në, nën presionin e fuqishëm nga presidenti rus, Vladi-mir Putin, është kundërshtuar me plotë pasion nga pjesa më e madhe e këtij vendi, zoti Yanukovich ende gëzon mbështetje të konsiderueshme, shkruan Washington Post.

Arsyet e tij të qarta për braktisjen e marrëveshjes me BE-në, që do ta vendoste Ukrainën në kursin drejt integrimit me perëndimin, sillen prej politikave të volitshme e deri tek ato korruptive.

Ai ka pasur dëshirë tu shmanget hapave të ashpër të kursimit ekonomik, të kërkuar nga qeveritë perëndimore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në këmbim për kredi doemos të nevojshme, dhe ka dëshiruar ta mbrojë pasurinë që raportohet se është akumuluar nga familja e tij, derisa ai ishte në zyrë.

Duke u kthyer kah zoti Putin, ai kishte shpresuar të fitojë një kredi të lehtë dhe ta përfundoj presionin që Moska po e zbaton në eksportet nga Ukraina, shkruan Washington Post.

Qëllim tjetër afatshkurtër i zotit Yanukovich është fitorja në zgjedhjet e vitit 2015. Për këtë arsye ai e refuzoi kërkesën e Bashkimit Evropian, që rivalja e tij kryesore, Yulia Tymoshenko, të lirohet nga burgu. Mbështetësit e tij, po ashtu, e kanë kaluar legjislacionin me të cilin nuk i lejohet e drejta për tu zgjedhur liderit tjetër opozitar, Vitali Klitschko.

Revolucioni nuk është përgjigje e drejtë për këtë situatë. Kërkesat nga zoti Klitschko dhe të tjerët, për zgjedhje të menjëhershme presidenciale dhe parlamentare, nuk kanë mbështetje në legjislacion. Nëse zotit Yanukovich detyrohet me forcë të tërhiqet nga presidenca nga marshet në rrugë, ose nga mjetet e tjera të jashtëzakonshme kushtetuese, Ukraina do të jetë e ndjeshme ndaj trazirave të pakufishme, që kanë ndikuar në vendet e tjera, të cilat i kanë përmbysur liderët e zgjedhur, përfshirë Tajlandën dhe Egjiptin.

Këmbëngulja evropiane në standardet demokratike do të dukej boshe dhe zoti Putin, i cili e sheh Revolucionin e Portokalltë dhe protestat aktuale si komplot perëndimor, me gjasë do ta përshkallëzonte përzierjen e tij.

Zgjidhja më e mirë për krizën do të jenë negociatat politike “në tryezën e rrumbullakët” ndërmjet qeverisë dhe opozitës, që kishin ndodhur edhe pas revoltës së vitit 2004.

Kjo do t’i jepte zotit Yanukovich mundësinë për ta shqyrtuar burimin e trazirave duke u pajtuar për caktimin e datës së re për marrëveshje me BE-në.

Përfundimisht, mënyra që Ukraina të krijoj debat lidhur me orientimin e saj gjeopolitik, është nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Liderët opozitarë duhet t’i fillojnë përgatitjet për ta sfiduar zotin Yanukovich dhe mbështetësit e tij, vitin e ardhshëm, ndërsa qeveritë perëndimore duhet të synojnë sigurinë se gara do të jetë korrekte, shkruan në fund të editorialit të saj e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG