Ndërlidhjet

"Pauzat" e Kuvendit


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit të Kosovës po përcillet me pauza e pushime të njëpasnjëshme.

Balotazhi për zgjedhjet lokale ka qenë një arsye shtesë që Kuvendi i Kosovës të marrë tani edhe 10 ditë tjera pushim.

Për më gjatë se një muaj, gjatë tetorit, Kuvendi nuk arriti të funksiononte as në kohën e fushatës për rrethin e parë të votimeve.

Ndërkohë që legjislacioni kishte nisur punën e sivjetme vjeshtore pas pushimeve verore që kishin zgjatur rreth një muaj.

Përfaqësuesit e partive politike e shohin një situatë të tillë si refleksion i gjendjes reale në institucione.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci mendon se institucionet megjithatë po funksionojnë.

Kjo sipas tij, është vërejtur edhe me rastin e fundit të miratimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2014.

“Koalicioni qeverisës po funksionon, kjo u pa qartë edhe me aprovimin e dokumentit më të rëndësishëm, buxhetit të vitit 2014 që mori mbështetje të fuqishme. Kështu që PDK nuk sheh asnjë arsye të vetme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, thotë Grabovci.

Përderisa Kuvendi funksionon dhe përderisa po aktualizohet ideja që të riniset puna në përmbylljen e reformave zgjedhore, Grabovci nuk sheh ndonjë arsye që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare, si po parasheh jo vetëm një pjesë e opozitës, por edhe shumë njohës të zhvillimeve politike.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri mendon se ka qenë e logjikshme që këtë javë, partitë në balotazh të përqendrohen në zgjedhje.

Ai përkrah edhe vazhdimin e reformave zgjedhore, por mbështet opsionin e thirrjes më të shpejt të zgjedhjeve parlamentare pasi që beson se qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin dhe shumicën në Kuvend.

“Ne kemi qenë dhe jemi ata që kemi iniciuar reformën zgjedhore. Jemi që të bëhet reforma, por ne nuk duhet të mbetemi peng i reformës, edhe pse do të dëshironim që edhe kjo pjesë e mbetur e reformës të përfundojë, por Kosova duhet t’i mbajë zgjedhjet nacionale”, thotë Beqiri.

Puna e institucioneve të Kosovës ka plot ngërçe, thotë në anën tjetër, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Megjithatë, ai nuk e sheh si zgjidhje shkuarjen në zgjedhjet e shpejta pa përmbylljen e reformave të nisura tash e tri vjet.

Kjo legjislaturë është përcjellë me shumë probleme, me shumë ngërçe. Refleksion është edhe qeverisja, krejt njësoj. Shpresoj që gjatë muajit dhjetor partitë politike të pajtohen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të shkojmë në zgjedhje me Kod të ri zgjedhor”, është shprehur Gjini.

Sidoqoftë, çështja e reformave mbetet të hapet në kohën dhjetor, edhe pse gjysma e dytë e këtij muaji zakonisht është pushim për shkak të festave të fundvitit, dhe mbase deputetët do të mund të marrin edhe një pauzë të re.

Kurse për pushimin aktual, përveç balotazhit, u tha se pauza për deputetët ndërlidhet edhe me Festën e Flamurit Shqiptar, 28 Nëntorin, e cila kremtohet edhe në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG