Ndërlidhjet

Shqipëri: Policia kap 4 prej të arratisurve


Ilustrim
Ilustrim
Paraditen e së dielës Policia e Shqipërisë ka zënë edhe tre prej të arratisurve nga burgu i Drenovës.

Ata janë: Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri që u zunë në një magazinë të braktisur në Prrenjas, ndërsa më herët, rreth orës 23.30 të së shtunës, policia kishte zënë Artur Gorën, një nga 7 të arratisurit.

Lidhur me rastin, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, të dielën rreth orës 13 ka mbajtur një konferencë me gazetarë, duke kritikuar sistemin e sigurisë.

“Sistemi i sigurisë nëpër burgje është i kalbur. Ne kemi bërë gati paketën reformuese të sistemit të sigurisë. Jemi të vendosur për të vënë përpara ligjit çdo punonjës të çdo niveli, që me veprimin ose me mosveprimin e tij, krijon terren për ngjarje si ajo në burgun e Drenovës”, ka deklaruar Naço.

Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, u “thye” të shtunën nga arratisja e shtatë të burgosurve, disa prej tyre të dënuar me burgim të përjetshëm. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 19.30, kur shtatë të burgosurit, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë neutralizuar rojat e burgut, e më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Siç bëjnë të ditur autoritetet e rendit, janë marrë në pyetje edhe rojat që ishin në shërbim në momentin e arratisjes së të burgosurve mbrëmjen e së shtunës. Ata kanë dëshmuar se të arratisurit kishin armë zjarri me vete. Kjo dëshmi ngre dyshime që armët mund të jenë futur nga jashtë, pasi rojat e seksionit të sigurisë së lartë në burgje, nuk janë të armatosura me armë zjarri kur janë në detyrë.

Burgu në Drenovë
Burgu në Drenovë
Policia gjithashtu njofton se ka gjetur dy automjetet, me të cilat udhëtuan menjëherë mbas largimit shtatë të arratisurit, si dhe ka ndaluar gjashtë persona që dyshohet se janë bashkëpunëtorë në arratisjen e të burgosurve.

Menjëherë pas ngjarjes, policia e shtetit, e ndihmuar edhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, RENEA, ngriti postblloqe nëpër akset kryesore kombëtare rreth zonës së Korçës dhe atyre që komunikojnë me pikat kufitare. Gjithashtu janë njoftuar edhe autoritetet e rendit në shtetet fqinje, Maqedoni e Greqi.

Në Ministrinë së Brendshme, ishin thirrur në një mbledhje nga ministri i Rendit Saimir Tahiri, kryeprokurori Adriatik Llalla, dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Mbledhja kishte përfunduar rreth orës 00. 40 të mëngjesit të së dielës.

Policia ka vënë një shpërblim prej 5 mijë eurosh për cilindo që informon në lidhje me të kërkuarit, si dhe iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, pasi të dënuarit janë të armatosur dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë.

Emrat e personave që ende janë në kërkim:
Gëzim Toma
Reiz Haxhiraj
Eduard Lula

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG