Ndërlidhjet

Pesëdhjetë vjet nga vrasja e Kennedyt


“Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju. Pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”.

Në fjalimin e tij inaugurues, më 20 janar, 1961, presidenti i Shteteve të Bashkuara, John F.Kennedy, ka theksuar nevojën që të gjithë amerikanët të jenë qytetarë aktivë, ndërsa nga vendet e botës ka kërkuar që të bashkohen në luftën kundër “armiqve të përbashkët të njeriut”: tiranisë, varfërisë, sëmundjes dhe vetë luftës.

“E gjithë kjo nuk do të përfundojë në njëqind ditët e para. As në njëmijë ditët e para, as gjatë jetës së kësaj administrate e mbase as gjatë jetës sonë në këtë planet. Por, le të fillojmë”, ka thënë presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara.

Por, gati tre vjet më vonë, më 22 nëntor të vitit 1963, koha është ndalur. Ka qenë kulmi i Luftës së Ftohtë dhe presidenti Kennedy është qëlluar për vdekje në Dallas të Teksasit.

“Presidenti Kennedy është vrarë. Tani është zyrtare. Presidenti ka vdekur”, ka kumtuar lajmin Radio KBOX.

John F.Kennedy, 46 vjeç, është qëlluar fatalisht me snajper, gjatë parakalimit me limuzinën presidenciale, së bashku me Zonjën e Parë, Jacqueline. Shumë janë frikësuar se të shtënat janë fillimi i një sulmi mbi Shtetet e Bashkuara.

Por, brenda pak orësh, policia ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasje, Lee Harvey Oswald.

"I mohoj prerazi këto akuza", u ka thënë Oswald gazetarëve menjëherë pas arrestimit.

Hetimet tetëmuajshe nga Komisioni Warren kanë konstatuar se Kennedy është vrarë nga Oswald, i cili ka vepruar i vetëm.

Por, për shumë amerikanë sot, çështja vazhdon të mbetet e hapur. Një sondazh i kryer këtë vit nga agjencia e lajmeve AP ka treguar se mbi 50 për qind e të anketuarve besojnë se vrasja ka qenë konspiracion.

Oswald, 24 vjeç, ka qenë ish-marins amerikan, i cili ka dezertuar në Bashkimin Sovjetik më 1959 dhe është kthyer në Shtetet e Bashkuara më 1962. Policisë i ka thënë se është i pafajshëm, por testet e laboratorit kanë konfirmuar se ai ka qëlluar me armën e vrasjes.

Vetë Oswald është vrarë dy ditë më vonë nga Jack Ruby, pronar i një klubi të natës.

Po, cilat kanë qenë motivet e Oswaldit dhe a ka vepruar ai vërtet i vetëm? A ka pasur konspiracion që ka përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik apo krimin e organizuar?

Pyetjet e tilla vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qarta.

Kennedy, i njohur si Jack apo me inicialet e tij JFK, ka mundur nënpresidentin dhe kandidatin republikan, Richard Nixon, në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960.

Në moshën 43-vjeçare, ai ka qenë njeriu më i ri i zgjedhur për të udhëhequr shtetin dhe presidenti më i ri pas Theodore Roosevelt. Deri në atë kohë, Kennedy, një katolik, ka qenë presidenti i vetëm joprotestant.

Ngjarjet gjatë presidencës së tij kanë përfshirë: krizën raketore në Kubë, garën në hapësirë, ndërtimin e Murit të Berlinit, Lëvizjen Afrikano-Amerikano për të Drejtat Civile dhe fazat e hershme të Luftës së Vietnamit.

Politika e jashtme e Kennedyt është dominuar nga konfrontimet amerikane me Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1963, Gjermania po kalonte një kohë të cenueshmërisë për shkak të agresionit sovjetik në lindje dhe nacionalizmit francez në perëndim. Më 26 qershor, Kennedy ka mbajtur një fjalim publik në Berlinin Perëndimor, duke përsëritur angazhimin e Amerikës në Gjermani dhe duke kritikuar komunizmin.

Ai ka përdorur ndërtimin e Murit të Berlinit si shembull të dështimeve të komunizmit dhe fjalimi mbahet mend për frazën e tij të famshme “Ich bin ein Berliner” (Unë jam qytetar i Berlinit).

Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që ata jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, dhe për këtë arsye, si qytetar i lirë, unë krenohem me fjalët ‘Ich bin ein berliner’”, ka thënë Kennedy.

Ai dhe gruaja e tij kanë qenë më të rinj krahasuar me presidentët dhe zonjat e para që u kanë paraprirë atyre. Ata kanë ftuar një gamë artistësh, shkrimtarësh dhe intelektualësh në Shtëpinë e Bardhë, duke ngritur profilin e artit në Amerikë.

Kennedy ka qenë presidenti i parë që ka lejuar konferencat presidenciale të transmetohen drejtpërdrejt në media.

Ai ka pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, ndërsa familja Kennedy ishte me prejardhje nga Irlanda.

Pasardhës i presidentit Kennedy ka qenë Lyndon Johnson.

Ditët e Oswaldit në Minsk
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:08:03 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG