Ndërlidhjet

Rritet numri i rasteve me diabet


Ilustrim
Ilustrim
Dita Botërore kundër diabetit, Kosovën e gjen me numër të shtuar të pacientëve që vuajnë nga diabeti. Edhe numri i fëmijëve me këtë sëmundje është rritur. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, konsiderohet të jenë rreth 600 fëmijë që vuajnë nga diabeti.

Bardhyl Gashi, endokrinolog i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diabeti i atakon të gjitha moshat, derisa shkaktarët janë të ndryshëm. Ai jep hollësi të tjera, edhe për aktivitetet që janë shënuar për Ditën Botërore kundër Diabetit:

“Për 14 Nëntor, Ditën Botërore të Diabetit, kemi organizuar disa aktivitete për matjen e glikemisë në shumë pika në qytet. Diabeti është në rritje e sipër, edhe pse nuk kemi statistika të sakta. I atakon gjitha moshat. Te të vjetrit është më e shprehur. Sa i përket terapisë, kemi insulinë dhe terapi. Frekuenca e pacientëve është e madhe dhe ambulanca specialistike kontrollon deri në 30 pacientë. Edhe në repart i kemi 38 shtretër për njerëzit me diabet që duhet shtrihen”.

Ndërkaq, infermierja Lumturie Krasniqi, e cila punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se më 14 nëntor interesimi i qytetarëve për të matur vlerat e sheqerit në gjak, ka qenë shumë i madh. Ajo ka shtuar se qytetarët kryesisht janë të informuar mirë sa i përket sëmundjes së diabetit.

“Shihet në bazë të qytetarëve, sepse për një orë, rreth 150 qytetarë kanë bërë matjen e nivelit të sheqerit. Disa prej tyre ishin diabetik që e kanë ditur, disa zbuluan vlera pak më të larta”.

“Njerëzit kryesisht janë t informuar për sëmundjen e diabetit, megjithatë diabeti është duke u përhapur shumë. Kemi edhe të rinj, edhe të vjetër dhe numri i tyre është në rritje. Gjithashtu edhe te fëmijët po paraqitet shumë. Fëmijët me diabet trajtohen në Pediatri, por numri është në rritje”,
thotë Krasniqi.

E, Lutfi Hajrullahu, 67-vjeçar, i cili ishte ndalur në njërën nga pikat ku matej vlera e sheqerit në gjak, ka thënë se para tre vjetësh e ka bërë një procedurë të tillë, derisa sot po e shfrytëzonte rastin në ditën kundër diabetit.

“Jo nuk jam me diabet. Nuk e di që kam. Herën e fundit e kam matur para tre vjetësh. Por, duke kaluar, u ndala ta mas sheqerin. Është mirë të bëhet kontrolli rutinor, jo të pritet ndonjë ditë botërore e ndonjë sëmundje, por nuk jemi edhe aq të kujdesshëm”, është shprehur Hajrullahu.

Në anën tjetër, prindërit e fëmijëve, të cilët vuajnë nga diabeti, thonë se kanë telashe me terapinë.

Mjekësia çdo ditë e më shumë po përparon, derisa terapia që përdoret në Kosovë, është e vjetruar, ka thënë Naseri, vajza e të cilit vuan nga diabeti. Sipas tij, barnat që i përdor vajza, duhet porositur jashtë vendit, meqë këtu nuk ka.

“Përkrahjen nga klinika e kemi. Përkrahjen tjetër e kemi nga vetë prindërit e shoqatës së fëmijëve me diabet. Ne vazhdimisht e sensibilizojmë opinionin se kjo sëmundje është çdo ditë në rritje dhe se duhet mbështetur, si me materiale po ashtu edhe të bëhet vetëdijësimi. Terapia nuk është në listën esenciale të Ministrisë së Shëndetëisë, andaj vështirësitë janë mjaft të mëdha. Ato duhet porositen dhe të hyjnë në treg ilegalisht. Është shumë e lodhshme procedura dhe njëkohësisht problematike”, ka treguar Naseri për sfidat që përballet si prind i fëmijës me diabet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG