Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi shpërfaqin dallimet për zgjedhjet në veri


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet në Prishtinë thanë se përgatitjet për përsëritje të votimeve, më 17 nëntor në Mitrovicën e Veriut, janë në fazën përfundimtare.

Kryeministri Hashim Thaçi të mërkurën, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, shfaqi shpresën se edhe procesi zgjedhor në veri të vendit, do të marrë notë pozitive në fund.

Ndër të tjera, kryeministri tha se i gjithë spektri politik është i përkushtuar që gjithçka të shkojë qetë në veri të vendit, ditën e diel, kur do të përsëriten votimet në tri qendra në këtë zonë.

Sipas Thaçit, sikurse faktori ndërkombëtar, ashtu edhe ai vendor, janë të angazhuar që procesi të ecë mbarë në veri, gjë e cila, siç tha ai, reflektohet edhe në popullatën serbe, që është shumicë në atë pjesë të Kosovës.

“Është edhe një zotim i qytetarëve për një pjesëmarrje edhe më masive, në mënyrë që përfundimisht të kemi liderë legjitimë edhe në veri, në katër komunat ku deri më tani nuk kemi organizuar zgjedhje të lira, për shkak të rrethanave çfarë kanë qenë atje”, tha Thaçi.

Më 3 nëntor, katër komunat veriore Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi e Mitrovica e Veriut, për herë të parë morën pjesë në një proces zgjedhor të organizuar nga autoritetet kosovare.

Kjo gjë u bë e mundur falë marrëveshjes që arritën dy kryeministrat, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, më 19 prill në Bruksel.

“Esenca e Marrëveshjes së Brukselit, nuk është që serbët të mos vendosin, por që serbët të vetëvendosin”, pohon ministri serb për Kosovën, Aleksandar Vulin përderisa shpjegon rëndësinë e daljes së serbëve të veriut në rivotim.

Procesi i zgjedhjeve në veri qe ndërprerë para kohe ditën e votimit, për shkak të dhunës që u ushtrua në tri qendra të votimit në Mitrovicën Veriore, kur një grup të rinjsh me maska, demoluan kutitë e votimit.

Prishtina akuzoi Beogradin se qëndron prapa këtij sulmi, edhe pse nuk paraqiti prova, përveç se përgjegjësinë ia atribuoi strukturave të saj ilegale që po i financon në veri.

Por, të mërkurën ministri serb, Aleksandar Vulin, tha se dalja në zgjedhjet e 17 nëntorit, do të vulosë ardhmërinë e Serbisë në veri të Kosovës.

“Nëse dalim më 17 nëntor, serbët do të nisin të vendosin për të ardhmen e tyre. Do të dëgjojnë Qeverinë e tyre, do të dëgjojnë kishën e tyre, do të dëgjojnë shtetin e tyre, do të dëgjojnë presidentin e Republikës Serbe, do të dëgjojnë presidentin e Serbisë, do të dëgjojnë pothuajse të gjithë ata që për ta mendojnë mirë dhe kujdesen”, u shpreh Vulin.

Serbët janë të ndarë në dysh në veri të lumit Ibër, ku për muaj të tërë kampi anti-zgjedhor ka bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve që organizohen nga Prishtina, pasi vlerësojnë se me pjesëmarrjen e serbëve të veriut, Kosova shtrin autoritetin edhe atje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka autorizuar misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë-OSBE, që të lehtësojë procesin zgjedhor në katër komunat veriore.

Sipas zëdhënësit të kësaj organizate, Nikolla Gaon, edhe për rivotimin në Mitrovicën e Veriut, OSBE-ja do të jetë garantuese e procesit, mirëpo pret që forcat e rendit të jenë në detyrë.

“Ne jemi në kontakt konstant me të gjitha agjencitë që kujdesen për rendin dhe ligjin, gjegjësisht Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in, dhe ne llogarisim në ta që do të sigurojnë një ambient të qetë, si për procesin zgjedhor, ashtu edhe për personelin tonë”, thotë Gaon për Radion Evropa e Lirë.

Për shkak të sulmit në tri qendrat e votimit në Mitrovicën Veriore, OSBE-ja kishte tërhequr tërë personelin e saj nga veriu, dhe kishte ndërprerë procesin zgjedhor.

Policia rajonale thotë të ketë mësuar mësimin nga 3 nëntori, dhe se më 17 nëntor do të ketë prani më të madhe të forcave policore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG