Ndërlidhjet

Arka shtetërore në duar të Doganës dhe ATK-së


Ilustrim
Ilustrim
Dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Përfaqësues të këtyre dy institucioneve janë të bindura se do t’i përmbushin projeksioneve të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për buxhetin e vitit 2014.

Sipas projektbuxhetit, të hyrat e përgjithshme gjatë vitit 2014 parashihen të jenë 1 miliard e 590 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kjo shumë e mjeteve nuk paraqet problem për t’u arritur.

“Dogana gjatë 10 vjetëve të fundit apo që nga momenti i themelimit, asnjëherë nuk e ka pasur problem grumbullimin e të hyrave. Performanca e Doganës gjatë këtyre viteve ka qenë në nivelin e duhur. Dogana e ka mbajtur primatin e mbledhjes së të hyrave për rreth 65 deri në 70 për qind, kurse edhe për vitin e ardhshëm planifikimet buxhetore besojë se do t’i arrijmë”, shprehet Stavileci për Radion Evropa e Lirë

Arkëtim më të madh të të hyrave për arkën shtetërorë janë paraparë në projeksionet e Qeverisë së Kosovës të realizohen nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2014, është planifikuar një rritje e të hyrave nga ATK-ja për 22 për qind, apo shprehur në vlerë 367 milionë euro.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thekon se kanë filluar të përgatisin një plan, për realizimin e këtyre objektivave, që siç thekson ai, janë sfidues për ATK-në.

“ATK-ja gjatë tre-katër vjetëve të fundit, ka pasur një trend rritës rreth 12 për qind pa prekur normat tatimore, që do të thotë se ne kemi zvogëluar hendekun tatimor dhe kemi luftuar evazionin fiskal, dhe në këtë drejtim janë bazuar edhe projeksionet e rritura të Ministrisë së Financave”, thekson Haliti.

Marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me disa shtete për uljen e taksave doganore, sipas ekspertëve të ekonomisë, ishte cilësuar se do të mund të ndikonte që Kosova të ketë të hyra më të ulëta krahasuar me vitet e mëhershme.

Agron Demi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se vetëm marrëveshja tregtare me Turqinë mund t’i zvogëlojë të hyrat nga Doganat e Kosovës.

“Vetëm marrëveshja me Turqinë do të ketë një ndikim prej 17 milionë euro më pak të hyra, pasi që në këtë marrëveshje parashihet që taksa doganore prej 10 për qind të bie në 0 për qind”, pati deklaruar Demi.

Këto vlerësime hidhen poshtë nga Adriatik Savileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

“Qasja e lirimeve përmes marrëveshjeve lidhet vetëm me taksën doganore, kurse nuk lidhet me taksat tjera, siç është taksa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo akcizës që edhe janë prodhuesit më të mëdhenj të të hyrave”, thekson Stavileci.

Sidoqoftë, mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është kundërshtuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike, pasi që, siç thonë ata, kjo mënyrë paraqet jo qëndrueshmëri financiare dhe fiskale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG