Ndërlidhjet

Rivotimi në tri qendrat e votimit në veri, më 17 nëntor


Veri...
Veri...
Në mbledhjen e së mërkurës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka caktuar datën 17 nëntor, për përsëritjen e zgjedhjeve në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës.

Në komunikatën për media të KQZ-së, thuhet se ky vendim vjen pas rekomandimit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se 17 nëntori është kohë e përshtatshme për të bërë përgatitjet që kërkohen për organizimin e një procesi të rregullt zgjedhor.

Një ditë më herët, KQZ-ja miratoi rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve për anulimin e zgjedhjeve lokale të 03 nëntorit 2013, për vendvotimet në tri Qendra të Votimit në komunën e Mitrovicës veriore, për shkak të dëmtimit të kutive të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur përkushtimin për të punuar bashkërisht me të gjithë faktorët vendorë dhë ndërkombëtarë, që rivotimi në këto Qendra të Votimit të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe sipas standardeve evropiane.



Shpallen të pavlefshme zgjedhjet në tri qendra votimi në veri

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Nenad Rikalo, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion, në mbledhjen që ka zhvilluar të martën mbrëma në Prishtinë, ka marrë vendim që të shpallë të pavlefshëm votimin në tri qendra votimi në pjesën veriore të Mitrovicës.

Rikalo ka thënë se numërimi i votave nga vendvotimet e tjera në veri të Kosovës do të nisë sot dhe do të bëhet në praninë e përfaqësuesve të komisioneve zgjedhore komunale.

“Është kompeltuar pranim-dorëzimi i materialit nga katër komunat veriore dhe është vërtetuar se në tri qendra votimi në Mitrovicë nuk ka asnjë kusht për numërim. Ai material është krejtësisht i papërdorshëm dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sonte (të martën), ka marrë vendim që të anulojë dhe të përsërisë votimin në Shkollën Teknike, Shkollën Shën Sava dhe Shkollën e Mjekësisë”, ka thënë Rikalo.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se është analizuar edhe materiali tjetër zgjedhor nga veriu i Kosovës dhe se është konstatuar se në disa vendvotime mungojnë materialet.

Ditën e zgjedhjeve, në tri vendvotime në veri të Mitrovicës, kanë ndërhyrë persona të maskuar dhe kanë shkatërruar kutitë e votimit. Incidentet kanë detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Incidentet janë dënuar fuqishëm nga autoritetet kosovare dhe ato serbe, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkaq, në pjesët e tjera të Kosovës, procesi zgjedhor është vlerësuar i drejtë dhe demokratik.

Mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës e kishte paralajmëruar të martën edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ai ka thënë se rrethi i parë i zgjedhjeve, që është mbajtur të dielën, ka qenë i suksesshëm, pos në tri vendvotime, ku, siç është shprehur ai, huliganët kanë shkatërruar materialin zgjedhor. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG