Ndërlidhjet

Veri: Policia konfirmon dy të lënduar gjatë zgjedhjeve


Qendra e votimit në shkollën "Sveti Sava", në veri të Mtirovicës
Qendra e votimit në shkollën "Sveti Sava", në veri të Mtirovicës
Shefi rajonal i operativës i policisë së Kosovës, Zhelko Bojiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në tri incidentet që ndodhën në veri në ditën e zgjedhjeve, janë të lënduar dy persona.

“Një polic është lënduar lehtë dhe një anëtar i Komisionit Zgjedhor”, ka thënë Bojiq, ndërsa ka shtuar se më vonë, pas mbylljes së këtyre tri qendrave të votimit në veri të MItrovicës është gjetur edhe një mjet shpërthyes në oborrin e shkollës së mesme teknike “Mihajllo Petroviq Allas”.

Zgjedhjet e së dielës në veri u ndërprenë rreth orës 17, pasi në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës kanë hyrë një grup prej dhjetëra burrave me maska dhe kanë demoluar hapësirat e votimit.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë-OSBE, i cili kishte marrë mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për lehtësimin e procesit zgjedhor në katër komunat veriore, nuk ka marrë përgjegjësinë për prishjen e këtij cikli në veri.

Ambasadori Jean-Claude Schlumberger dha një konferencë për media të dielën pak para mesnate, ku tha se OSBE-ja nuk ishte “e jo-suksesshme, pasi ndihmoi organizimin e zgjedhjeve” përderisa nuk plasi dhuna në veri.

“Për shkak të brengës për sigurinë e personalit, nga KQZ-ja kërkuam që të na lejojnë të mbyllim votimet në tri komuna para kohe”, ka thënë Schlumberger.

Sipas tij, OSBE-ja posedon materialin zgjedhor nga tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, porse i mungojnë fletëvotimet dhe i gjithë materiali përcjellës zgjedhor për komunën e Mitrovicës Veriore, i cili është dëmtuar pas sulmit të organizuar në tri qendra votimi.

Persona të maskuar hynë dje rreth orës 17h në qendrat e votimit në shkollën “Shën Sava”, “Shkollën Teknike” dhe “Shkollën e Mesme të Mjekësisë”.

Në xhirimet e postuara nga mediat beogradase, shihen kuti të demoluara të votuesve, ndërsa raportohet edhe se listat e votuesve janë marrë nga agresorët që sulmuan këto vendvotime.

Në anën tjetër, serbët në veri të Kosovës akuzojnë njëri-tjetrin për incidentet gjatë ditës së zgjedhjeve në këtë zonë.

Kandidati i Iniciativës Serbe që përkrah Beogradi zyrtar për kryetar të veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka thënë se ka indikacione që për incidentet në këtë lokalitet, përgjegjës është Marko Jakshiq.

Mirëpo, Jakshiq thotë se posedon video-xhirime, të cilat shpjegojnë rrjedhën e incidentit në tri vendvotimet në veri të Kosovës, që shkaktuan ndërprerjen e procesit zgjedhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG