Ndërlidhjet

Qytetarët votojnë me shpresë për ndryshime


Qytetarët presin për të votuar
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Qytetarët presin për të votuar

Që nga orët e hershme të mëngjesit qytetarët kosovarë kanë dalë të votojnë për të përzgjedhurit e tyre për kryetar komune dhe asamblistë komunalë.

Pas ditës së sotme, disa nga ta presin përmirësim në aspektin e punësimit, infrastrukturës dhe në uljen e shkallës së korrupsionit, ndërkaq të tjerët shprehen skeptikë se mund të ndodhin ndryshime.

Në orën shtatë të mëngjesit kur edhe u hapën qendrat e votimit, kryesisht të moshuarit u panë duke hedhur votën në kutitë e votimit, me shpresë do të ketë përmirësim.

Pensionisti Bajram Shala, pasi votoi në qendrën e votimit në shkollën "Ali Sokoli”, në Prishtinë, shprehu dëshiron që kryetari i ardhshëm i Prishtinës, të fokusohet në krijimin e kushteve për rritjen e punësimit për të rinjtë.

“Pres diçka më mirë, sigurisht. Konkretisht dëshiroj të ketë më tepër punësim dhe zhvillim ekonomik. Gjatë procesit të votimit, gjithçka ishte në rregull, nuk vërejta ndonjë parregullsi”, tha pensionisti Bajram Shala.

Ndërkaq, Qamil Behrami, mbi të gjashtëdhjetat pohoi:

Besoj që kryetari i ri do të krijojë hapësirë për të hapur vende të reja të punës. Shpresoj se do të ketë ndryshime pozitive”.

I veshur me një kostum të zi elegant, avokati Agron Bajrami, rreth 50 vjeç, pasi përfundoi votimin, tha se pret ndryshime pozitive për kryeqytetin. Konkretisht ai dëshiron të rregullohet plani urbanistik.

“ Pres ndryshime, ndryshime për të mirë. Prishtina në planin urbanistik ka pasur një kaos të tmerrshëm. Dhe, ai kaos vazhdon... Prandaj, shpresoj që situata të rregullohet dhe të ndodhin ndryshime për të mirë në të gjitha aspektet. Këto janë zgjedhje lokale dhe nuk mund të bëjnë ndryshime të mëdha, por ndryshime lokale po, sepse pushteti lokal është i decentralizuar, kanë buxhetin, kanë mjete, kanë mundësi të investojnë për të mirë dhe jo për të vjedhur”, theksoi Agron Bajrami.

Ndryshime në aspektin ekonomik në nivel lokal pret edhe Fehmi Ismaili, i cili përfundoi obligimin e tij, duke votuar:

“Gjithmonë njeriu shpreson se diçka do të jetë më mirë. Kjo është edhe moto e jetës. Pra, nëse zgjidhet më i miri, shpresojmë se do të bëhet më mirë, si në aspektin ekonomik , ashtu dhe në fushat tjera, sepse ai që ka vizion mund të shkojë përpara”.

Adelina një qytetare tjetër nga Prishtina, që priste në radhë për të votuar. Ajo, edhe pse përmendi parregullsitë e shumta në kryeqytet, tha se nuk pret ndonjë ndryshim.

“Rrugë, rrugë kanë ndërtuar mjaft. Tollovi shumë. Fabrika askund, dyqane sa të duash, atëherë me çka të jetojmë ne?! Problem është si do të jetojnë rinia, sepse ne kemi jetuar si kemi jetuar, por rinia... Unë po votoj vetëm pse e kam obligim, kurse ndryshim nuk pres as një për qind”, tha Adelina.

Ngjashëm u shprehe edhe Elhame Haxholli, rreth të dyzetave, e cila punon në sektorin privat. Paksa në siklet, ajo po priste në radhë për të përfunduar obligimin e saj, në mënyrë që pastaj të vazhdojë punën në orarin e rregullt.

“Shpresoj të bëhet mirë diçka në të gjitha fushat, e konkretisht rinia arrijë të punësohet. Korrupsioni është në nivel të lartë, nuk besoj se mund të zvogëlohet. Po pres të votoj për shkak se është obligim, por nuk pres ndryshime", u shpreh Haxholli.

Hyvzi Gashi, 50-vjeçar, ekonomist me profesion tha se, këtë herë, me zgjedhjen e udhëheqësve të rinj komunalë, do të ketë edhe ndryshime pozitive:

"Ndryshime presim dhe kemi shpresë që kësaj radhe këto zgjedhje do të sjellin ndryshime të mëdha".

Derisa Sylejman Buçaj, po ashtu rreth të pesëdhjetave, tregoi se tashmë ka votuar dhe se preokupimi i tij është mungesa e hapësirave të gjelbëruara në Prishtinë.

"Po kam votuar. Presim ndryshime pozitive. Kjo politikë qe sa vjet e njejtë. Qyteti i Prishtinës mendoj se është betonizuar dhe mendoj se gjelbërimi janë mushkëritë e qytetetit, e këtu është shkatërruar gjelbërimi . Mendoj se ka ardhur koha e ndryshimeve. Unë e di në kohën time si student , ky shesh ka qenë i mbuluar me drunj, me lule. Tash është krejt beton", u shpreh Sylejman Buçaj.

Ka edhe qytetarë të cilët thanë se nuk do të votojnë, pasi që siç u shprehën ata, nuk kanë kandidat të preferuar.

Njëri nga ta është Labinoti, student i Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina":

"Asnjëherë nuk votoj. As sot nuk do të votoj. Vota nuk ka vlerë. Nuk ka asnjë kandidat që mendoj se ia vlen".

Për dallim nga Labonoti, Sanije Buçaj, edhe pse ende nuk ka votuar, ajo do të dalë të hedhë votën për të preferuarin e vet për kryetar komune dhe asamblistë komunalë.

"Ende nuk kam votuar, por do të votoj. Besoj që do të ketë ndryshime pozitive. Mendoj që më së shumti duhet të përqendrohen në punësimin e të rinjve, sepse është papunësi e madhe", thekson Sanije Buçaj.

Por, ka edhe të tillë që votimin e ndiejnë si obligim qytetar dhe dalin të votojnë, por që nuk presin ndonjë ndryshim .

"Shumë pak pres ndryshime. Por, mendoj se duhet kryer një obligim qytetar dhe dola të votoj, pasi nuk kam dashur të manipulohet me votën time. Mendoj se avazi i vjetër do të vazhdojë", tha Xhelal Morina.

Lulzim Pakashtica, 49 vjeçar, me profesion jurist, brengë kryesore tha se e ka papunësinë e të rinjve.

"Mendoj që do të ketë ndryshime. Besoj që do të ndryshojë diçka. Shpresa është te vendet e punës për të rinjtë, sepse gjithë e dimë se papunësia është e madhe në vend", u shpreh Lulzimi.

Çdo votë e qytetarit duhet të sjellë diçka pozitive, tha Hivzi Kelmendi, 33-vjeçar, ekonomist:

"Kam votuar. Çdo votim është pritje për ndryshime dhe çdo ndryshim duhet të jetë me definicion pozitiv dhe mendoj se do të jetë gjithçka pozitive".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG