Ndërlidhjet

Viti i ardhshëm me drejtorë klinikash në QKUK


Ilustrim
Ilustrim
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për shëndetësi, janë nxjerrë edhe disa udhëzime administrative, e që si rrjedhojë, do të shpallet edhe konkursi për udhëheqës klinikash brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndryshe, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për më shumë se tre vjet me radhë udhëhiqen me ushtrues detyre.

Gjatë vitit të kaluar, më 18 janar, ishin shpallur emrat e gjashtëmbëdhjetë drejtorëve të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dhe ky konkurs u anulua një ditë më vonë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 1 janar të vitit të ardhshëm, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, do t’i kenë drejtorët e tyre.

“Mendojmë që më 1 janar të vitit të ardhshëm, ta kemi të konsoliduar shërbimin spitalor klinik universitar të Kosovës, në aspektin menaxherial. Besoj që drejtorët e rinj që do të zgjidhen, do të jenë shumë më të motivuar dhe më të qetë në ushtrimin e punës së tyre”.

“Ka ardhur koha kur duhet të stabilizohet edhe kuadri udhëheqës i institucioneve shëndetësore. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë është zgjedhur dhe tash do të shpallet edhe konkursi për drejtorë të klinikave të QKUK-së. E gjithë kjo do të bëhet në pajtim me Ligjin e punës dhe Ligjin e ri të shëndetësisë”,
ka deklaruara ministri Agani, duke shpjeguar edhe procesin e emërimeve:

“Me Ligjin e ri në sistemin shëndetësor, nuk ka nëpunës civil në asnjë nivel, dhe ky është një tejkalim i një problemi tejet të madh të marrëdhënieve e reciproke me autoritetet e shërbimit civil në vend dhe do të jetë një proces i shpejtë i emërimit të drejtorëve”.

“Kemi një periudhë kohore kur ata e kanë dëshmuar ose jo veten në pozita dhe varësisht rezultateve të punës që ata kanë treguar dhe në radhë të parë rezultateve të Auditorit të përgjithshëm, i cili ka audituar punën e tyre dhe do të bëhet edhe përzgjedhja e kuadrit të ri”.

Sipas Aganit, kanë filluar procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarët e bordit drejtues të këtij shërbimi:

“Me këtë mendoj se po hyjmë në një fazë të re, më stabile, të zhvillimit të shërbimeve shëndetësore dhe e dini që në Qeverinë e Kosovës është miratuar statuti i shërbimit spitalor e klinik universitar. Jemi në procesin e përzgjedhjes”.

E, anëtarët e Grupit të ekspertëve për shëndetësi, thonë se kjo ndikon dukshëm me performancën e punëtorëve shëndetësorë, të cilët punojnë në QKUK, gjë që rrjedhimisht do të ketë pasoja edhe për qytetarët.

Valbon Krasniqi, anëtar i Grupit të ekspertëve për shëndetësi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë shpjegon:

“Vetë fakti që Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK-ja për më shumë se tre vjet nuk arrijnë të zgjedhin drejtorë legjitimë, në bazë të konkursit të rregullt, tregon për paaftësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të menaxhuar me këtë institucion shumë të rëndësishëm. Ne, si Grup i ekspertëve për shëndetësi, mendojmë se QKUK-ja, si institucion terciar, i vetmi në Kosovë, do të duhej të ishte shembull i mirë për funksionimin e rregullt duke filluar nga aspekti menaxheria, e deri te kualiteti i shërbimeve që ofrohen për institucionet tjera”.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, pohon se edhe pse tre vjet me radhë të gjitha klinikat janë udhëhequr me ushtrues detyre, kjo nuk ka ndikuar negativisht në punën e tyre.

“Unë mendoj se nuk ka ndikuar asgjë negativisht në ushtrimin e punës së tyre, për shkak se e kanë ditur situatën që kemi qenë për arsye të një paqëndrueshmërie të akteve juridike për faktin që shëndetësia ka qenë në realizimin e reformave shëndetësore. Kurse, tash jemi në fazën e aplikimit të atyre reformave dhe pritet që këto reformat ë realizohen edhe me emërimin e drejtorëve të klinikave”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG