Ndërlidhjet

Zotime për infrastrukturë moderne në Gjilan


Anketa në Gjilan
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Anketa në Gjilan

Më 3 nëntor 94, 268 qytetarë të Gjilanit me të drejtë vote, do të kenë mundësinë të zgjedhin njërin nga nëntë kandidatët që garojnë për kryetar të kësaj komune.

Në vijim do të ju paraqesim katër prej tyre, të cilët në platformën zgjedhore për zgjedhjet komunale japin premtime nga më të ndryshmet për qytetarët e Gjilanit.

Projektet që ata i prezantojnë, thonë se janë të realizueshme dhe atë brenda mandatit katërvjeçar.

Përmirësimi i infrastrukturë bazike, siç është ajo rrugore, ujërat e zeza, kanalizimi, shëndetësia, arsimi dhe kultura gati në të gjithë programet e kandidatëve për kryetar të Gjilanit, janë paraparë të rregullohen brenda mandatit katërvjeçar.

Kandidatët, gjithashtu, kanë paraparë edhe një plan për zhvillimin e bujqësisë. Gjilani, që konsiderohet si një komunë, e cila ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial, sipas kandidatëve, do të jetë prioritet në mandatin e tyre.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Gjilanin është Qemajl Mustafa. Mustafa ka udhëhequr këtë komunë për dy mandate.

Ai thotë se do të vazhdojë zbatimin e projekteve të shumta, të cilat i sheh si prioritet për qytetarin e Gjilanit.

Me këtë plan synon të fitojë dhe një mandat në krye të kësaj komune.

“Ofroj fillimin e realizmit të të gjitha makro-projekteve në zonën urbane dhe në zonën kah fshatrat. Qëllimi kryesor është stabilizimi i trajtimit të ujërave të zeza, që është një projekt i madh prej 25 milionë eurosh me Bashkimin Evropian. Ndërrimi i infrastrukturës për furnizim me ujë, furnizim permanent me ujë i qytetit, asfaltime të reja, trotuare, vazhdimi i ndriçimit publik, si dhe ndërtimi i hyrjeve moderne të qytetit”, premton Mustafa

Gjatë mandatit katërvjeçar, Mustafa premton edhe fillimin e ndërtimit të stadiumit të qytetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës në garën për Gjilanin ka hyrë me Lutfi Hazirin, i cili e kishte udhëhequr këtë komunë për një mandat, gjatë vitit 2000 deri më 2004. LDK-ja synon të marrë mbështetjen e qytetarëve të Gjilanit në këtë mandat.

Platforma zgjedhore e kësaj partie është e ndarë në tri pako. Pakoja e parë përfshin infrastrukturën bazike, siç është kanalizimi, ujësjellësi, rruga dhe ndriçimi. Pakoja e dytë është zhvillimi i bujqësisë dhe pakoja e tretë është programi zhvillimor i quajtur “Gjilani qendër e mikro- regjionit evropian”.

“Ambient të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik, duke i krijuar përparësi dhe favore ekonomike ndërmarrësve të vogël dhe të mesëm në Gjilan. Fillimisht, do ta ulim 40 për qind taksën, sipas vlerësimit bazë të tatimit në pronë, sepse është bërë barra dhe pengesa kryesore për hapjen e vendeve të reja të punës. Do të krijojmë lehtësi për zhvillime ekonomike deri në pikën zero për të gjithë ndërmarrësit e vegjël dhe të mesëm do ta ulim qiranë komunale qind për qind, duke iu dhënë mundësi që hapësirat dhe ambientet, të kenë mundësi të punojnë në fazën e parë”, janë disa nga zotimet që përmend Haziri.

Një mandat katërvjeçar për kryetar të Gjilanit po e synon edhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Rexhep Kadriu, kandidat për kryetar të Gjilanit nga ky koalicion, vjen nga fusha e biznesit. Kadriu ka hyrë në këtë garë me një program, i cili siguron zhvillim ekonomik, punësim, infrastrukturë moderne, cilësi në arsim, shëndetësi, kulturë dhe sport.

“Zhvillimin ekonomik do ta bëjmë përmes thithjes së investimeve nga jashtë, do të krijojmë një klimë të mirë të biznesit, një klimë që do të jetë pa korrupsion, do të ofrojmë të gjitha kushtet për investitorët, mbështetjen me projekte me fizibilitet, atëherë do të vijnë këta investitorë dhe kërkesa jonë do të jetë ndaj tyre vetëm sa persona mund t’i punësojnë. Zhvillim tjetër ekonomik e parashohim edhe përmes bujqësisë, nga 10 mijë deri 20 mijë euro planifikojmë t’i financojmë bujqit dhe të hapim vende të reja të punës”, shpalos pjesë nga programi i tij Kadriu.

Teatrin e Gjilanit Kadriu synon që ta kthejë në një teatër profesionist, ndërkaq në kuadër të sektorit të kulturës, synon të bëjë ndërtimin e qendrës rinore ku të rinjtë do të kenë mundësi t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Të ndershëm e të përkushtuar, luftë kundër korrupsionit, punë më efikasitete, janë disa nga premtimet e Ismajl Kurteshit, kandidat për kryetar të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Do t’i ndërpresim shpenzimet për luks, siç janë darkat e drekat, udhëtimet turistike me para të buxhetit të komunës dhe shpenzimet e tjera që në kushtet tona janë luks. Të gjitha ato mjete do t’i orientojmë atje ku qytetarët kanë më së shumti nevojë, siç janë bursat për studentë. Furnizimi me barna esenciale të shtëpive të shëndetit, përkrahje e atyre që janë me gjendje të rëndë materiale, madje edhe duke e organizuar një kuzhinë, për të cilën do të paguajë komuna për disa qytetarë që e kanë problem ta sigurojnë ushqimin ditor”, premton Kurteshi.

Nëse do të fitojë besimin e qytetarëve të Gjilanit, Kurteshi thotë se rritja e numrit të të punësuarve do të jetë po ashtu prioritet.

Komuna e Gjilanit përfshin një hapësirë prej 515 kilometrash katrorë dhe përbëhet nga 63 vendbanime.

Deri në vitet ‘ 90, Gjilani kishte një ekonomi relativisht stabile. Ajo përbëhej nga Industria e tekstilit, duhanit, fabrika e radiatorëve, ndërmarrja hidro-ndërtimore dhe industriale “Morava e Binçës”, Thertorja si dhe Industria e miellit dhe e bukës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG