Ndërlidhjet

Hiqet taska rrugore për Luginën


Kur Beqir Dema me familjen katër anëtarëshe kaloi të hënën në mëngjes me makinë kufirin në Mutivodë, sigurimi i detyruar i automjetit iu dha falas.

Ata që vijnë nga Lugina e Preshevës, nga e hëna kur të kalojnë kufirin e Kosovës lirohen nga taksa prej 20 euro, sa kushton një javë e kartonit të sigurimit për të huajt.

Në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Mutivodë të hënën kishte pak qarkullim, por vendimi i ekzekutivit kishte mbërritur në vend.

Policia kufitare ishte udhëzuar nga aspekti administrativ që punën të vazhdoj ta kryej pa ndryshuar gjë, sepse ky vendim politik nuk prek punën e policisë.

Komandanti i këtij posti policor kufitar nuk deshi të komentojë ndryshimet që po vërehen në terren nga mesnata kur ka hyrë në fuqi ky vendim i qeverisë.

Kabineti qeveritar votoi të premten më 11 tetor heqjen e taskës për veturat me regjistrimet e Bujanocit, Preshevës dhe Leskocit.

Vendimi i saj hyri në fuqi më 21 tetor.

“Jemi nga komuna e Medvegjës. Ka nevojë kjo popullata këndej të lirohet prej do gjërave dhe të mos ngarkohen me këto taksa, sepse kanë mbetur një pakicë e popullit atje, dhe të lirohen prej këtyre gjërave është mirë”, tha Beqir Dema për Radion Evropa e Lirë.

Komuna në jug të Serbisë, që gjendet rreth 65 kilometra në lindje nga Prishtina, numëron vetëm 550 shqiptarë, pasi mbi 5 mijë janë dëbuar, sipas nënkryetarit të Kuvendit komunal të Medvegjës, Fehmi Beha.

Policia kufitare në Mutivodë, të hënën nuk kishte ndryshuar punët rutinore në këtë vendkalim.

Çdo automjeti që kaloi nga Serbia në Kosovë me targa të Leskocit, iu kërkua pajisja me sigurim të detyrueshëm.

Andaj edhe zoti Dema pasi vërtetoi me letërnjoftim se është nga komuna e Medvegjës, nuk e pagoi taksën.

Megjithëse i kanë liruar sot sigurimet, nuk kemi paguar. Është krejt në rregull”, thotë ai.

Në bazë të vendimit të qeverisë, shqiptarët e këtyre trevave do të marrin karton të sigurimit për kohëzgjatje 2 javë, pa paguar fare.

Për këtë modalitet qeveria e ka ngarkuar ministrinë e financave që të “mbulojë financiarisht sigurimin për ata persona që janë të liruar nga taksa”.

Ministria e Financave i paguan pastaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve për policat e lëshuara.

Në zyrat e këtij institucioni në Mutivodë, nuk deshën të shpjegojnë udhëzimet e marra nga qendra për këto lehtësime.

Në Prishtinë ndërkaq, shtabi i policisë thotë se vendimi i qeverisë nuk prek punën e policisë.

Shqiptarët e asaj ane ndërkaq druajnë se ky lehtësim do të zgjasë, pasi kanë frikën se ai do të ngjall reagime në Bruksel.

“Është diskriminues. Nuk lejohet ajo. A tha që nuk e lejoj [kryeministrin e Serbisë Ivica] Daçiq me hy, dhe ai hyri? Tungjatjeta. Kjo është në atë vijë. Domethënë, serbin s’po e lejoj me hy [pa pare] e shqiptarin po e lejoj pa pare”, thotë një shqiptar nga Medvegja, i cili po kalonte kufirin për të shkuar në vendlindje.

Gjatë mbledhjes së kabinetit të premten më 11 tetor, shefi i qeverisë Hashim Thaçi ka thënë se vendimi mbështetet në “kërkesën e liderëve të shqiptarëve në këto tri komuna, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilat reflektojnë edhe nevojën e popullatës së atjeshme për heqjen e taksës për veturat në vendkalimet kufitare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG