Ndërlidhjet

Përse imuniteti i ushtarëve të huaj është aq i komplikuar?


Edhe Kabuli, edhe Uashingtoni duan që disa ushtarë amerikanë të mbeten në Afganistan edhe pas tërheqjes së forcave shumëkombëshe në fund të vitit të ardhshëm. Por, ata nuk mund të pajtohen për kushtet e Marrëveshjes për Statusin e Forcave, e cila përcakton imunitetin e ushtarëve amerikanë nga gjykatat afgane.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kanë pranuar këtë ngërç të shtunën në Kabul, kur kanë bërë publike sukseset e pjesshme në hartimin e paktit të ri të sigurisë.

Karzai ka thënë se do të kërkojë nga asambleja e udhëheqësve fisnorë që të vendosë nëse ushtarët amerikanë duhet të kenë imunitet. Kerry, në anën tjetër, ka thënë se pa imunitet, ushtarët amerikanë nuk do të mund të qëndrojnë.

Po, përse shtetet kërkojnë imunitet për ushtarët e tyre?

Qeveritë që dërgojnë trupa jashtë vendit, kanë kërkuar historikisht status të veçantë ligjor për ta. Një arsye është frika e tyre se gjykatat e vendit nikoqir mund të ofrojnë mbrojtje më të dobët për njerëzit e akuzuar për krime sesa sistemet e tyre të drejtësisë.

Kjo është sidomos e vërtetë për vendet perëndimore, ku sistemet sigurojnë të drejta të fuqishme për të akuzuarin.

Ato përfshijnë mbrojtjen kundër rrëfimit të detyruar, të drejtën për përfaqësim nga një avokat dhe të drejtën për të sfiduar paraburgimet e bazuara në dëshmi të pamjaftueshme.

Përveç kësaj, qeveritë shqetësohen se sistemet gjyqësore në vendet nikoqire mund të jenë subjekt i presionit negativ të popullatës, sidomos nëse ka pakënaqësi me praninë e ushtarëve të huaj.

Mark Finaud, ekspert për sigurinë ndërkombëtare në Qendrën e Gjenevës për Politika të Sigurisë, shpjegon:

“Në këto marrëveshje, nuk bëhet fjalë vetëm për kërkesën e vendeve që të kenë mbrojtje dhe imunitet për ushtarët e tyre. Ekziston po ashtu një obligim i fuqishëm për forcat e huaja që t’iu përmbahen në mënyrë rigoroze ligjeve të vendit nikoqir. Dhe, nëse ka shkelje të këtyre ligjeve nga ushtarët e huaj, ata duhet të ndiqen penalisht në vendet e tyre për këto shkelje”.

Kjo do të thotë se qeveritë që dërgojnë ushtarë jashtë presin që ata të respektojnë ligjet e vendit nikoqir dhe t’iu binden ligjeve të vendit të tyre. Ato nuk iu japin ushtarëve të tyre liri për të shkelur ligjet.

Por, vendet mikpritëse shpesh e shohin sigurimin e imunitetit për ushtarët e huaj si humbje të sovranitetit të tyre kombëtar.

Ndjenjat janë sidomos të thella në kohë lufte, kur trupat e huaja kryejnë operacione ushtarake, që mund të rrezikojnë civilët.

Probleme, megjithatë, ka edhe në kohë paqeje. Publiku lokal indinjohet kur ushtarët individualë kryejnë krime dhe pastaj gjykohen nga sisteme të tjera të drejtësisë.
Michael Codner, studies i shkencave ushtarake në Institutin Mbretëror të Londrës, thotë se kjo është veçanërisht e vërtetë për krimet e rënda. Vrasja mund të jetë e dënueshme me vdekje në një vend si Afganistani, por jo në një tjetër si Britania.

“Është padyshim një situatë e pakëndshme nëse sistemet ligjore janë të ndryshme”, thotë Codner.

Qeveritë nganjëherë i adresojnë këto shqetësime duke u mundësuar njerëzve nga vendi nikoqir të ndjekin gjykimet.

Në muajin gusht, një grup i viktimave afgane dhe i dëshmitarëve është dërguar në Shtetet e Bashkuara në gjykimin e Robert Bales, ushtarit që ka vrarë 16 civilë, vitin e kaluar në Kandahar. Gjykata ushtarake nuk ka shqiptuar dënim me vdekje, ashtu siç kanë kërkuar afganët, por burgim të përjetshëm.

Po, a ndryshojnë marrëveshjet e imunitetit midis vendeve?

Thuhet se nuk ka standarde fikse. Në disa, shtetet mbajnë juridiksionin ekskluziv mbi ushtarët e tyre. Në të tjera, ato ndajnë juridiksionin me shtetin nikoqir. Zgjedhja varet shpesh nga afërsia e dy vendeve.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG