Ndërlidhjet

SHBA: Krizë e pastër politike, e jo financiare


SHBA
SHBA
Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë borxhet e veta, atëherë pasojat për ekonominë globale do të jenë katastrofike. Në vazhdim jepen disa shpjegime se çka në të vërtetë paraqet kriza, e cila aktualisht po ndodhë në Uashington.

Çka është kriza e kufizimit të borxhit?

Zyrtarët amerikanë kanë tërhequr vërejtjen se nëse qeveria nuk është në gjendje ta rrisë sasinë e parave që mund t’i huazojë, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë të afta t’i paguajnë të gjitha faturat. Nëse kjo ndodhë, pasojat nuk do të jenë katastrofike vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për gjithë ekonominë globale.

Thesari i Shteteve të Bashkuara (praktikisht Ministria e financave) ka njoftuar se më 17 tetor qeveria i shtjerrë aftësitë e saj për të mbetur nën kulmin e borxhit federal aktual prej 16 700 miliardë dollarësh, që është i fiksuar nga legjislacioni, dhe do t’i mbesin vetëm afro 30 miliardë dollarë para të gatshme. Kjo nuk është e mjaftueshme për t’i paguar rrogat dhe përfitimet sociale brenda në Shtetet e Bashkuara, dhe shkallën e interesit prej mijëra miliarda dollarësh të huazuara ndërkombëtarisht.

Kjo do të ishte një situatë e paprecedente. Prej vitit 1790, kur Shtetet e Bashkuara posa ishin formuar, vendi asnjëherë nuk ka falimentuar në pagesën e borxheve. Sot, kjo është ekonomia më e fuqishme në botë, me lidhje tregtare dhe investuese pothuajse me të gjitha vendet e tjera, dhe asnjë shtet me status të tillë ekonomik, deri tash kurrë nuk ka falimentuar në pagesën e borxheve.

Por, nëse dy partitë politike në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokratike e presidentit Barack Obama, dhe Partia Republikane në opozitë, do të pajtohen që ta lejojnë qeverinë të huazojë më tepër para, për t’i paguar borxhet e veta, është çështje e hapur.

Republikanët thonë se ata janë të gatshëm për ta rritur kulmin e borxhit, pasi të zhvillojnë negociata me demokratët se si të reduktohet sasia e shpenzimeve të qeverisë për programe sociale. Por, demokratët thonë se ata do të zhvillojnë negociata vetëm nëse rritet kulmi i borxhit, meqë bisedimet para rritjes do t’i fusnin ata nën presion të patolerueshëm.

Kështu të dy palët mbeten të bllokuara, ku asnjëra nuk dëshiron të tërhiqet para tjetrës. Njëherësh, të dy palët thonë se nuk do ta lejojnë falimentimin e qeverisë.

Çfarë ndikimi do të ketë në ekonominë globale nëse Uashingtoni falimenton?

Vendet e jashtme, institucionet dhe tregjet financiare, që i kanë blerë kambialet e Thesarit të Shteteve të Bashkuara,si mënyrë të sigurt për t’i kursyer paratë dhe për të fituar shkallë të interesit, janë ndër të parat që do të ndjejnë ndikimin e krizës.

Profesori i ekonomisë në London Schools of Economics, Ethan Ilzetzki, thotë:

“Nëse ndodhë një falimentim i menjëhershëm ndaj obligimeve të Thesarit, nuk ka dyshim se kjo do të krijoj kaos të madh në tregjet financiare. Për një gjë, këto pasuri janë përdorë si rezerva nga shumë banka privat, nga shumë banka qendrore, dhe nëse vlera e tyre papritmas bie, është vështirë të matet implikimi i saktë i kësaj”, tha eksperti Ilzetzki

Kjo situatë do të kishte edhe ndikime të tjera. Agjencitë e rejtingut në mënyrë automatike do ta ulnin vlerën kreditore të bankave, që mbajnë borxhe të Thesarit të Shteteve të Bashkuara, dhe në anën tjetër do ta bënin më të vështirë për këto banka që të marrin para hua për të mundur të punojnë.

Vlera e dollarit amerikan do të shënonte rënie dhe kjo do të shkaktonte çrregullime në çmimet e artikujve të lidhur me dollarin, siç janë ari dhe nafta.

Ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera, të ndërlidhura për së afërti me të, do të ngadalësoheshin dhe, me gjasë, do të rrëshqisnin në recesion.

Japonia dhe Kina, dy vendet, të cilat i kanë dhënë më së shumti hua Shteteve të Bashkuara, kanë sinjalizuar alarm real lidhur me mundlësinë e falimentimin për pagesë të borxheve. Zyrtarët në Tokio dhe Pekin kanë tërhequr vërejtjen për trazira dhe kaos në tregje, nëse Uashingtoni nuk gjen zgjidhje të shpejtë për këtë krizë.

Çka e shkakton krizën e kulmit të borxhit?

Gjatë viteve të fundit, bota e ka parë se kriza e borxheve e qeverive i ka goditur shtetet perëndimore. Por, derisa krizat në Greqi, Spanjë, Portugali, dhe në vendet e tjera, janë shkaktuar nga faktorët ekonomikë, kriza në Shtetet e Bashkuara është krijuar thjeshtë nga mospajtimi politik.

Në këtë kuadër, Johannes Thimm, ekspert për marrëdhëniet trans-atlantike në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, me seli në Berlin, thekson:

“Ky është një lloj i krizës vendëse. Ju mund të argumentoni për atë se nëse borxhi i Shteteve të Bashkuara është bërë shumë i madh, në krahasim me shkallën e tyre të GDP-së, ose për buxhetin e tyre dhe për këto masa, por në këtë moment kjo ka ndodhur për shkak të bllokadës në Uashington, që kjo krizë ka shpërthyer, e jo për shkak të mosbesimit të tregjeve për aftësinë e Amerikës për t’i paguar borxhet e veta”, tha eksperti Thimm.

Por, duket se ajo që e shkakton krizën janë dallimet e thella ideologjike lidhur me nivelet përkatëse të shpenzimeve të qeverisë. Kjo e pasqyron debatin në vendet e tjera, që tash po ripërtrihen, pas periudhës së ngadalësimit ekonomik, që pjesërisht ishte përshpejtuar nga huazimi i madh i qeverive, për t’i financuar programet sociale dhe të tjera.

Themeluesi i Aleancës së Taksapaguesve të Britanisë, me seli në Londër, Matthew Elliot, në këtë mënyrë e përshkruan përçarjen politike në Shtetet e Bashkuara:

“Ju i keni demokratët dhe disa njerëz të establishmentit në Partinë Republikane, që fundamentalisht thonë se ne kemi pasur periudhë të kursimit, prandaj ideja se ne duhet të bëjmë shkurtime edhe më tepër, do të jetë gjë e keqe për ekonominë, prandaj ne duhet ta mbajmë shpenzimin e qeverisë dhe duhet ta rrisim kulmin e borxhit".

"Duke pasur parasysh se ju keni njerëz në Partinë Republikane, që janë në anën e tregut të lirë, ana që është ndikuar nga Lëvizja Tea Party, thotë se ne realisht nuk kemi pasur asnjë kursim serioz, ne ende kemi deficit të madh çdo vit, borxhi kombëtar po rritet dhe ne rrjedhimisht duhet të bëjmë shkurtime në mënyrë madhore”, thotë Elliot.

A mund të gjendet zgjidhje politike?

Shumë vëzhgues presin që kjo krizë e paprecedente të mbyllet, ashtu siç kishte përfunduar kriza e kulmit të borxhit në vitin 2011. Atëherë, të dy partitë politike e arritën një marrëveshje pas negociatave 11 orëshe, për shkurtime të shpenzimeve dhe rritje të kufizimit të borxhit, që e evitoi falimentimin.

Por, tash emocionet lidhur me këtë krizë janë më të larta në të dy palët, se sa në vitin 2011.

Kriza e kulmit të borxhit po ndodhë në periudhën kur bllokada e dy partive politike e shkaktoi mbylljen e pjesërishme të qeverisë, prej 1 tetorit, pasi ato nuk ia dolën të merren vesh lidhur me buxhetin e propozuar të qeverisë për vitin e ri fiskal.

Pra, natyra e brendshme e krizës e bënë atë të mundshme për ta zgjidhur, nëpërmjet kompromisit nga të dy partitë. Megjithatë, kjo do të thotë se me gjasë do të evitohet vetëm në momentin e fundit dhe derisa po mbahen negociata shumë të ashpra. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG