Ndërlidhjet

Thirrje për bojkotim të zgjedhjeve vendore


Zgjedhjet e 3 nëntorit do të dështojnë në veri, sepse serbët veriorë, nuk janë tradhtarë për të votuar kundër shtetit të tyre!

Propagandë e tillë u dëgjua të enjten në veri të lumit Ibër, ku nga mikrofoni jehonte thirrja për bojkot të procesit zgjedhor që organizohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Dhjetëra veta marshuan të enjten në mesditë qetë rrugëve në veri, e deri tek ura kryesore mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dysh, në protestën që u thirr kundër zgjedhjeve komunale dhe marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Kush po frikësohet? Ka të atillë që frikësohen! Por edhe kjo është veti e njeriut. Nuk duhet të merremi shumë me gjënë se njerëzit po frikësohen. E rëndësishme është që atë ditë [të zgjedhjeve më 3 nëntor] njerëzit të mos dalin të votojnë".

"Ajo që mund të porositim këta tradhtarë, vërtet situata tani është e tillë që 99% të njerëzve nuk do të votojnë, prandaj Ivica Daçiq po kërkon 12 mijë serbë nga Serbia, që të lajmërohen [regjistrohen] si votues për veri të Kosovës, sepse e dinë sigurt që këtu zgjedhjet do të dështojnë
”, tha Vlladimir Rakiq, anëtar i bordit organizues të marshit protestues anti-zgjedhor, nga i ashtuquajturi Kuvend i Përkohshëm Serb në Kosovë.

Frika për të cilën po pyet Rakiq ka të bëjë me funksionarët nga Serbia, e jo veriorët, sepse sipas tij, kryeministri Ivica Daçiq po mbledh vota nga Serbia sepse në ato të serbëve veriorë e di që s’mund të llogarisë.

“I bëj thirrje të gjithë serbëve, që nuk jetojnë në Kosovë, të gjithë serbët tanë që kanë shkuar përpara-për arsye të ndryshme me dhunë e me qejf, para 15-20-30-40-50 e më shumë vjet".

"Të gjithë ata, siç thotë kryeministri [Ivica Daçiq] që janë lindur në Kosovë, por që fatin e ka lidhur me Serbinë qendrore, ne u bëjmë thirrje atyre që të mos e marrin fatin tonë në duart e tyre, të na lënë neve që të vendosim se çfarë të bëjmë. Nuk është në përgjegjësinë e tyre, që të dalin në këto zgjedhje të tradhtarëve, dhe të përcaktojnë se si fëmijët tanë dhe ne do të jetojmë!”
, shpjegoi ai.

Rakiq i fliste masës së mbledhur në këtë protestë, se ata pak “tradhtarë” nga veriu që do të dalin në zgjedhje, do të legjitimojnë me duart e tyre shuarjen e institucioneve që financon Serbia prej pasluftës në Kosovë dhe se me këtë veprim të tyre do të ndikojnë që të ndalet ekzistenca e shtetit serb në këtë pjesë të Kosovës.

Qëndrim të tillë mbronin në protestë, edhe pjesëmarrësit.

“Të gjithë ata që mendojnë me kokën e tyre, dhe nuk veprojnë nga frika se do të humbin vendin e punës, dhe kërcënimeve që po i përçojnë funksionarët shtetëror, mendojnë njësoj se nuk duhet të dilet në këto zgjedhje, sepse ato pikërisht këtë parashohin, shuarjen e institucioneve të tyre, humbjen e vendeve të tyre të punës, dhe humbjen e asaj për të cilën kemi luftuar tash e 14 vjet. Dhe mbi të gjitha, kjo i bie njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nemanja Jakshiq një qytetar që iu bashkëngjit protestës.

Protesta në veri vjen në kohën kur Prishtina dhe Beogradi po shkëmbejnë akuza për mosrespektim të marrëveshjes për normalizim të raporteve, që u nxit për shkak të pjesëmarrjes apo ndalesës së funksionarëve serb në fushatën parazgjedhore.

Politika zyrtare serbe iu ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se këtë ftesë personalisht do t’ua bëjnë krerët më të lartë shtetëror serb gjatë vizitave në terren.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq paralajmëroi të enjten se javën tjetër viziton Kosovën.

“Është e paraparë që, nëse mbetet ashtu sic jemi pajtuar, atëherë deri në fund të javës së ardhshme kjo vizitë të realizohet”, tha shefi i qeverisë serbe.

Por në protestën e së enjtes në veri, del se vizita e kryeministrit serb nuk është edhe aq e mirëseardhur, pasi ai do të bëjë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Bojkot gjithqysh! Prej shtëpisë sime askush s’del në zgjedhje. Madje edhe fqinjëve u kam thënë të mos gabojnë e të dalin në votime”, thotë Jovan Popoviq.

Ai madje thotë të ketë porosi për presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq e Ivica Daçiq.

“Na kanë tradhtuar. Marre ju qoftë!”

Sipas pjesëmarrësve të tjerë në këtë protestë, serbët që dalin në zgjedhje do të njohin shtetin e Kosovës.

“Përse t’i shkojmë pas Thaçit, dhe shtetit të tyre [shqiptarëve]. Sepse pasi të dilni në zgjedhje, e keni të pamundur të mos iu bashkoheni. Andaj nuk do të dalim në zgjedhje. 14 vjet po luftojmë dhe besoj se do të tejkalojmë edhe këtë betejë”, thotë Jellena Mitroviq.

Sipas medieve beogradase, shefi i qeverisë serbe Ivica Daçiq të shtunën më 19 tetor do të jetë në Graçanicë.

Por, në qeverinë e Kosovës thonë se ende nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për vizitë të kryeministrit të Serbisë.

“Nuk ka kërkesë formale. Në momentin që bëhet kërkesa, ajo nuk mbetet sekret. Ajo është publike, sepse vizitat nuk ndodhin në mënyrë sekrete”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bekim Çollaku, këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG