Ndërlidhjet

Për tetë muaj, 15 punëtorë humbin jetën në vendin e punës


Vetëm në tetë mujorin e parë të këtij viti në Kosovë kanë humbur jetën 15 punëtorë në vendin e tyre të punës. Shumica prej tyre kanë humbur jetën si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Inspektoratit të Punës.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi thotë se numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në vendet e punës ka shënuar rritje.

Sektori i ndërtimtarisë, sipas Ibrahimit konsiderohet të jetë vendi i punës më i pasigurt dhe me shumë rreziqe.

“Përkundër angazhimit tonë edhe përkundër inspektimeve të shumta që kemi bërë, ku vetëm në këtë vit kemi bërë 5 mijë inspektime, vitin e kaluar kemi bërë mbi 7 mijë inspektime, mirëpo për fatin e keq ende nuk kemi një rezultat të duhur si ne dëshirojmë”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas Ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

Përfaqësues të punëtorëve kritikojnë autoritetet e Kosovës për mosinspektim të duhur të kompanive në sektorin privat.

Kryetari i Sindikatës së Energjetikës Izet Mustafa thotë se ka mungesë të inspektorëve për të bërë kontroll të të gjitha kompanive ku dyshohet se nuk kanë krijuar kushte të sigurta për punë.

“Ne kemi ligjin për siguri në punë aty shihen edhe masat ndëshkuese për punëdhënësit që nuk e zbatojnë këtë ligj, por dihet se ka një numër shumë të vogël të inspektorëve nuk ka gjetur zbatim në praktik ky ligj”, thekson ai.

Megjithatë, Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës thotë se gjatë inspektimit të tyre ka pasur kompani të cilat i kanë gjobitur për shkak të mospërmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me sigurinë në punë.

“Në secilin rast kemi bërë inspektime, kur ne e konstatojmë se kompania nuk ka siguruar kushte të duhura për siguri ne pune ato raste gjobiten sipas ligjit, por ka edhe raste kur kompanitë i plotësojnë kushtet e sigurisë ne punë, por ndodhin vdekje ose nga pakujdesia apo edhe vdekje të natyrshme”, shton Ibrahimi.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës gjatë vitit 2012 numri i punëtorëve që kanë humbur jetën ne vendin e tyre të punës numëron 17 persona, ndërkaq ishin lënduar 45 punëtorë.

Numri i lartë i personave të vdekur në vendin e punës edhe sipas Ardian Zenunit, qytetar, tregon se në Kosovë ka pasiguri në vendet e punës.

“Nëse ne kemi pasur 17 raste të vdekjes së punëtorëve në punë vetëm gjatë vitit të kaluar tregon se në Kosovë punohet në ambiente të pasigurta dhe me rreziqe dhe askush nuk jep përgjegjësi për këtë. Nuk ka mbrojtje institucionale”, shton ai.
XS
SM
MD
LG