Ndërlidhjet

Mbyllja e Qeverisë amerikane zemëron turistët


Uashingtoni mund të jetë qyteti i qeverisë, por është edhe njëri nga destinacionet më të mëdha turistike të Amerikës.

Andaj, mbyllja e qeverisë nuk ka prekur vetëm 800,000 punonjësit federalë, të cilët janë dërguar në pushim pa pagesë. Edhe bizneset lokale kanë humbur konsumatorë, ndërsa turistët nuk mund të vizitojnë muzetë dhe memorialet.

Të zhgënjyer janë ndarë një grup spanjollësh, pasditen e së mërkurës. Në vend se të ngjisnin shkallët për të parë statujën e famshme të Abraham Lincolnit, ata fotografoheshin pranë një tabele që lexonte: “Për shkak të mbylljes së qeverisë federale, të gjitha parqet kombëtare janë të mbyllura”.

Hailey Monette nga Atlanta ka qenë po ashtu atje, së bashku me vajzën e saj 9-vjeçare, Isabella.

Kemi pasur vetëm një ditë në Uashington dhe në atë ditë është gjithçka e mbyllur. Nuk e di, mendoj se është pak qesharake. Po merremi vetëm me politikë", thotë Hailey.

Vajza e saj ka një këshillë për anëtarët e Kongresit:

“Të dalin me një zgjidhje. Nuk e di sa e vështirë mund të jetë që të dalin me një zgjidhje”.

Të martën, në ditën e parë të mbylljes, një grup i veteranëve të vjetër ushtarakë i kishin mësyrë Memorialit të Luftës së Dytë Botërore në Parkun Kombëtar, i cili ishte rrethuar me shirit të verdhë. Ata janë lejuar të hyjnë brenda vetëm pas intervenimit të anëtarëve të Kongresit.

Ken Calvert, nga Illionisi, ka shkuar para këtij memoriali të mërkurën dhe ka shprehur zemërimin e tij te rojet e parkut.

“Kjo është arsyeja përse kemi ardhur këtu. Kemi ardhur për të parë monumentet kombëtare të vendit tonë. Unë kam lindur këtu dhe babai im ka qenë veteran i Luftës së Dytë Botërore. Kjo është çmenduri”, është shprehur Ken.

Pranë tij ka qenë një punonjës federal me ermin John Aucot, i cili mbante në duar një pankartë, ku thuhej: “Veteranët tanë kanë bërë punën e tyre. Kongres, të lutem bëje tënden”.

“Jam pak i zënë ngushtë me njerëzit që vijnë këtu për të parë monumentet tona të bukura, sepse kjo tregon që qeveria jonë nuk funksionon”, thotë Aucott.

Pasi Uashingtoni mbështetet shumë në të ardhurat nga turizmi, mbyllja mund të jetë shumë e kushtueshme për arkat e qytetit.

Zyrtarët e qytetit thonë se mund të humbasin deri në 200 milionë dollarë në ditë nga taksat që mbledhin në rezervimet e dhomave të hotelit dhe të restoranteve. Bizneset lokale që mbështeten në turistë dhe punëtorë federalë ndjejnë po ashtu dhimbje.

Nga mbyllja ka pësuar edhe romanca.

Gazeta "Washington Post" ka profilizuar një çift, i cili ka planifikuar të martohet në lëndinën e Memorialit Jefferson, këtë të shtunë. Mike Cassesso dhe MaiLien Le kanë marrë letër nga Shërbimi i Parkut Kombëtar, i cili i ka njoftuar se nuk mund të mbajnë ceremoninë, pasi memoriali është mbyllur.

Kjo është vetëm njëra nga dasmat që janë planifikuar të mbahen në Parkun Kombëtar, por që tani janë anuluar për shkak të bllokimit të buxhetit në Kongres.

Dhjetëra restorante, në anën tjetër, përpiqen të ndihmojnë realitetin e mjerë ekonomik, duke ofruar zbritje dhe ushqim falas për punonjësit federalë.

Në “Pork Barrel Barbeque”, në Aleksandri të Virxhinias, pronarët kanë ndarë 257 sanduiçë për punëtorët që kanë treguar kartelën e identifikimit nga qeveria, por një njoftimin e tyre në Twitter e kanë bërë të qartë se oferta “përjashton kongresistët”.

Në “Sprinkles Cupcakes” në Uashington, Caitlin Crockett, e cila është dërguar në Shtëpi nga Departamenti për Shëndetësi, pasi ka qenë “joesenciale”, ka shprehur mirënjohjen e saj për bizneset.

E vlerësoj mbështetjen e bizneseve lokale për punëtorët federalë. ‘Sprinkles’ ofron një ëmbëlsirë pa para për secilin që ka statusin e punonjësit federal”, thotë Caitlin.

Ndërkaq, në “Flying Dog Brewing Company”, në Frederik të Merilendit, punëtorët federalë mund të marrin birrë pa paguar.

Slogani i tyre është: “Ju nuk jeni të parëndësishëm për ne”.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG