Ndërlidhjet

Pas zgjedhjeve, prapë në zgjedhje?!


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin afërsisht në pranverën e ardhshme.

Një mundësi e tillë tashmë shihet si reale nga analistët, por nuk mohohet as nga vetë përfaqësuesit e subjekteve politike.

Aktualisht, përfliten disa opsione për tejkalimin e gjendjes ekzistuese e cila konsiderohet si fillim i krizës qeveritare për shkak të humbjes gjithnjë e më tepër të përkrahjes nga shumica në Kuvend.

Opsioni i parë, konsiderohet ai i riformatimit të qeverisë, që do të nënkuptonte përfshirjen e ndonjë subjekti politik nga opozita në koalicionin aktual.

Opsioni i dytë, ai i tendencës së opozitës që të formoj një qeveri deri në zgjedhje, apo edhe opsioni i tretë, ai i vazhdimit me këtë qeveri, por me arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme dhe implementimin ndërkohë të disa reformave zgjedhore.

Qeveria aktuale, po ballafaqohet tashmë me një sfidë serioze të sigurimit të votave për miratimin e shitjes së 75 për qind të aksioneve nga privatizimi i PTK-së.

Me gjithë vërejtjet e opozitës dhe të analistëve politik, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci mendon qe koalicioni aktual i ka votat për të miratuar këtë vendim të qeverisë.

“Unë po them që në seancën që do të mbahet, do të aprovohet dhe do të hyjë në rend të ditës dhe do të jenë votat e mjaftueshme. Po e them që koalicioni i ka bindshëm votat e mjaftueshme për të kaluar çdo ligj, çdo kërkesë dhe çdo vendim”, është shprehur Grabovci.

Ndryshe nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, mendon Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili merret me monitorimin e punës së Kuvendit.

Selmanaj thotë se tashmë qeveria e ka humbur shumicën dhe se ajo po mbahet në jetë nga opozita e cila nuk po tregohet e gatshme ta sfidojë atë.

“Zgjidhja do të duhej të ishte që Kosova të shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe kuvendi të shpërndahej. Por, duke i parë që subjektet politike opozitare, jo të gjithat, por disa prej tyre, si duket shikojnë qëllimet e tyre politike ndoshta duke e parë nesër vetën në ndonjë kompozicion tjetër qeverisës, po e neglizhojnë këtë çështjen e votëbesimit të qeverisë dhe po presin që Kosova të shkon edhe më tutje me këtë qeverisje deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare”, thotë Selmanaj.

Sidoqoftë, Selmanaj parasheh që afati më optimal i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të jetë pranvera e vitit të ardhshëm.

Një opsion për tejkalimin e krizës institucionale ka prezantuar fare shkurt edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas kthimit nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se zgjidhja më e mirë do të ishte që opozita të jetë ajo që do ta formonte qeverinë e re të vendit.

“Ne e kemi lënë hapur mundësinë pas zgjedhjeve. Kuptohet ne preferojmë të bëjmë një qeveri nga opozita, nëse do të ishte e mundur. Kjo do të ishte preferenca e jonë. Por, do të presim pas zgjedhjeve se si do të vendosin qytetarët, por mendoj që është më e shëndetshme për Kosovën të kemi një qeveri nga opozita”, ka thënë Haradinaj.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse këtë javë, koalicioni qeverisës do të provojë të fusë në rend të ditës çështjen e shitjes së aksioneve të PTK-së për të parë reagimet e opozitës.

Po ashtu, edhe më sfiduese për partinë më të madhe në pushtet mbetet fakti se përbrenda grupit të saj parlamentar tashmë ka një fraksion, i cili edhe pse ende jo zyrtar, nuk i mbështet politikat e kryeministrit Hashim Thaçi, çka e ka rrezikuar edhe mbijetesën e këtij koalicioni deri në fund të mandatit kushtetues.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG