Ndërlidhjet

Përshtatje të kritereve në prokurim publik


Përshtatja e kritereve për një tender të caktuar publik, është një fenomen i cili po ndodh në proceset e prokurimit, bëjnë të ditur përfaqësues të shoqërisë civile dhe bizneset në Kosovë.

Në një monitorim mbi procesin e prokurimit publik në institucionet e Kosovës të bërë nga Transparency International Kosova, organizatë globale që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, janë evidentuar shumë raste ku në tenderët publikw është bërë përshtatja e kritereve.

Kjo organizatë ka publikuar të premten dy raste të tilla.

Njëra nga to ka të bëjë më Ministrinë e Infrastrukturës, tenderi për mirëmbajtjen verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës i shpallur në maj 2013 dhe tjetra me Ministrinë e Shëndetësisë, tenderi për somatropinë - medikament ky me të cilin trajtohet hormoni i rritjes te personat të cilët kanë ngecje në zhvillim, sidomos fëmijët.

Merita Mustafa nga Transparency International Kosova thekson që tenderit për mirëmbajtën e rrugëve është i tender i përvitshëm me një vlerë 8 milionw euro, dhe për dy vite radhazi kjo ministri kishte përzgjedhur kompaninë e njëjtë, derisa në vitin 2013 kishte përcaktuar kritere që i përshtatet një operatori ekonomik.

“Kushti i cili ishte diskriminues për shumicën e operatorëve ekonomik ishte që vlera e përgjithshme monetare e punëve dhe shërbimeve të ekzekutuara në lëmin e mirëmbajtjes së rrugëve në tri vitet e fundit për operatorët ekonomik të jetë jo më e vogël se dyfishi i vlerës së ofertës që e oferton".

"Këtë kusht të vënë te pjesa e kritereve teknike e tenderit Ministria e Infrastrukturës kishte përjashtuar konkurrencën, pasi që vetëm kompanitë të cilat kishin kontratën mund të plotësonin këtë kriter”, bën të ditur Mustafa.

Përshtatja e kritereve në një formë siç thekson Mustafa ka ndodhur edhe te produkti somatropina nëpërmjet përcaktimit të dozës së produktit në atë formë që ka ulur konkurrencën.

Kjo dukuri, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami është e qëllimshme dhe bëhet në mënyrë antiligjore dhe jo demokratike.

“Në treg nuk po kërkohet kualiteti, në treg po kërkohen lidhjet e forta me përfaqësuesit e institucioneve dhe kështu po shpërblehen. Mandej kur po kemi një kompani të sinqertë e cila ka objektiven kryesore që bizneset i saj të ofrojë produkte të mira ose një shërbimi të mirë në po i zhgënjejmë ata. Pra ai thotë pse unë të ofrojë produkte t të mira, kur dikush tjetër në bazë të lidhjes që ka më biznesin po shpërblehet me tender”, thekson Bajrami.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit.

Kjo fushë ishte thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.

Raporti i progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, po ashtu e kishte cilësuar fushën e prokurimit si më të korruptuarën në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit në Kosovë, Safet Hoxha, konsideron se te prokurimi publik ka probleme te specifikimi teknik, pasi që siç thekson ai, për shkak të specifikimeve të paqarta diskriminuese apo favorizuese ndodh që të vështirësohet krejt sistemi i prokurimit publik.

“Problemi i specifikimit teknik nuk është problem vetëm në Kosovë por edhe në nivel të BE-së. Në nivel të BE-së kanë filluar të bëjnë klasifikim elektronik të produkteve për shkak që kanë ndodhur këto diskriminime, dhe në nivel të BE-së kanë hyrë në klasifikim 40 mijë produkte në mënyrë që ti pamundësohet autoriteteve kontraktuese , prokurimit, zyrtarëve që bëjnë specifikim me bë kritere që do të vendosnin në pozitë të pabarabartë operatorët ekonomik", shprehet Hoxha,

Ndryshe, rreth 700 milionw euro të buxhetit të Kosovës shpenzohet përmes prokurimit publik.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG