Ndërlidhjet

EULEX shpërblen me 27.500 euro për informatat rreth Senavicius


Misioni i EULEX-it në Kosovë ka premtuar një shpërblim prej 27 mijë e 500 euro për informacionet që qojnë deri në kapjen e autorit apo autorëve të vrasjes së pjesëtarit të këtij misioni, Audrius Senavicius.

Gjatë një konference të përbashkët të misionit të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës të mbajtur në Mitrovicë, u është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë organet e rendit për kapjen e autorit apo autorëve të këtij krimi, të kryer në rajonin e Zveçanit më 19 shtator të këtij viti.

Udhëheqësi nga EULEX-i i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Andrew Carney ka thënë me këtë rast se 20 hetues të EULEX-it dhe ata të Policisë së Kosovës po intensifikojnë përpjekjet për ndriçimin e rastit dhe kapjen e autorëve të krimit.

“Po ndjekim disa pista të hetimeve. Detyrë e hetuesve është që të ndjekim të gjitha pistat, por rasti duhet të zgjidhet këtu, me popullatën lokale”, ka thënë Carney, duke u bërë apel të gjithë qytetarëve që të kontaktojnë EULEX-in nëse kanë ndonjë informacion valid për këtë rast.

Ndërkohë, edhe komandanti rajonal për veriun i Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq është zotuar se hetimi i këtij rasti deri në kapjen e autorëve të krimit do të jetë një nga prioritetet e punës së policisë në pjesën veriore.

Dua të shpreh vendosmërinë time për zgjidhjen e këtij rasti. Policia e Kosovës ka organizuar pika të kontrollit dhe është duke shkuar nga dera në derë në zonën e vendndodhjes së krimit për të pyetur nëse dikush ka parë ndonjë gjë që mund të lidhet me krimin”, tha Gjuriq.

Audrius Senavicius, nga Lituania, është pjesëtari i parë i EULEX-it, i cili është vra në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë.

Ai ishte vra në një pritë, në rajonin e komunës veriore të Zveçanit, ku u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinë për në jug të Mitrovicës.

Nga ky sulm, Senavicius mbeti i vrarë, kurse qenë lënduar dy kolegë të tij.

Hetimi lidhur me vrasjen e Audrius Senavicius është duke u kryer nga një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it.

Rasti bën pjesë në juridiksionin ekskluziv të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG