Ndërlidhjet

Ushqimi Hallall edhe në Kosovë


Ushqimi Hallall edhe në Kosovë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00
Importuesit e shpjegojnë atë si standard të të ushqyerit të shëndetshëm që bazohet në dispozitat e Sheriatit Islam.

“Ushqim Hallall” nga e marta do të ketë edhe në tregun kosovar, pasi një kompani e përpunimit të mishit “Sole Kosova” u certifikua nga Instituti Hallall i Kosovës.

Ky institucion është krijuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, që në vitin 2010, por deri më sot, nuk ka certifikuar ndonjë prodhues ose përpunues për standardet të cilat i kërkon feja Islame.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava doli të martën në Fushë Kosovë për ta treguar rëndësinë e kësaj nisme, të cilës i kushtoi shumë rëndësi pasi Bashkësia Islame e Kosovës vet promovoi tek mediet këtë ngjarje.

BIK-u duke parë kërkesën e besimtarëve dhe nevojën e prodhuesve, që edhe ne të kemi të certifikuara produktet hallall, ka themeluar Institutin për Certifikimin e Prodhimeve Hallall. Si mysliman jemi të obliguar, dhe e kemi detyrim fetar, që të jemi shumë të kujdesshëm se me çfarë po ushqehemi dhe çfarë po konsumojmë,” tha Myftiu Tërnava.

Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Sole Kosova, Naser Rusinovci tha për Radion Evropa e Lirë, se e gjitha veprimtaria e kësaj kompanie lidhet me zhvillimin e industrisë së ushqimit.

Ideja për ushqim Hallall, nuk ka lind në shtete e perëndimit, por në shtetet e lindjes. Bota islame ka menduar që të miratoj një standard që do të kontrollonte dhe verifikonte prodhimin e ushqimit, që ky ushqim i certifikuar nga institutet e licencuara për këtë çështje, të jetë i verifikuar, i kontrolluar, dhe i monitoruar nga ta”, tha Rusinovci.

Për kërkesën në treg, në këtë ceremoni certifikimi foli edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Valdet Gjinovci, sipas të cilit ushqimi në treg po avancohet për sa i përket cilësisë.

“Dita-ditës kemi një avancim të vet përpunuesve, të vet prodhuesve. Mirëpo, dita-ditës është edhe vet kërkesa e tyre që ushqimet e tyre të jenë ushqime të besueshme, të jenë ushqime të shëndetshme, dhe mbi të gjitha, të jenë ushqime të sigurta për të gjithë konsumatorët e vendit, pa dallim feje, dhe pa dallim etnie”, tha Gjinovci.

Ne si Agjencion e Ushqimit dhe Veterinarisë, kemi edhe një hise në këtë drejtim, sa i përket edhe ofrimit të produkteve të sigurta për konsumatorët e vendit. Kemi një hise rreth avancimit të ndërmarrjes si përpunues i ushqimit, gjithherë duke u bazuar në këshillat profesionale, dhe shkencore të cilat janë ofruar nga ana e stafit tonë”, shtoi ai.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliut nxjerrja në treg të produkteve hallall, shënon një kapitull të ri, i cili po e karakterizon ndërmarrësinë kosovare, dhe ekspansionin e saj për tregjet globale.

E për këtë, përveç biznesit, meritat ia atribuoi edhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

E veçanta e këtij certifikimi, nuk është vetëm marrja e certifikatës Hallall, por është një formë e re e promovimit të bashkëpunimit mes të institucioneve relevante. Le të kuptohet se BIK-u nuk është vetëm për religjion, por është për ekonomi, është për shëndet, dhe për shumëçka që është në funksion për ardhmërinë e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, u shpreh i lumtur që në Kosovë tregu po plotësohet me produkte të cilat janë në mënyrë specifike të standardizuara për ushqim të besimtarëve mysliman, por jo vetëm për këtë kategori.

“Përgëzoj Institutin Hallall të Kosovës, për certifikimin e parë të kompanisë që do të merret me produktet Hallall. Ftoj njëkohësisht të gjitha kompanitë kosovare, që të ndjekin këtë rrugë të tyre, sepse është në interes, se pari të tyre, por edhe në interes të besimtarëve që ne të kemi ushqim të lejuar Hallall, i cili është konform dispozitave të Sheriatit Islam”, tha Sabri Bajgora.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG