Ndërlidhjet

Maqedoni: Ulet papunësia?


Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni thonë se ulja e papunësisë nën tridhjetë për qind nuk është reale përderisa ekonomia e vendit ka shënuar trend pozitiv vetëm dy muajt e fundit.

Drage Jovanovski ekspert, thekson se përderisa nuk ka rritje ekonomike, të paktën prej pesë për qind gjatë një viti të plotë, është më se e qartë se ulja e papunësisë është bërë vetëm në letër.

Është më se e qartë se kudo në botë ulja e papunësisë është e lidhur ngushtë me hapjen e vendeve të reja të punës dhe nëse e analizojmë këtë parametër, ne nuk kemi parë kohë e fundit se është hapur ndonjë fabrikë e re, ndërmarrje e huaj që ka angazhuar më shumë punëtorë”.

Atëherë, si mund të konstatojmë se është ulur papunësia, pos asaj se në formë administrative janë shlyer një pjesë e atyre të cilët kërkojnë punë dhe që në një mënyrë s’kanë arritur të paraqiten me kohë në entin për punësim”, thekson Jovanovski.

Në entin për punësim në Maqedoni ka të tillë që me dekada paraqiten për të kërkuar punë.

Fahredini, rreth 50 vjeçar, thotë se ka ndryshuar më shumë vende pune, sepse punëdhënësit janë të interesuar të angazhojnë në punë persona më të rinj.

“Gjihë jeta na shkoi duke mbajtur shpresë se do të gjejmë punë. Mendoj se punë s’ka për faj të politikës që duhet të luajë rol të rëndësishëm po edhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike që u rëndua kohën e fundit”, thotë Fahredini.

Edhe Shemzada, e cila ka punuar në gjigantin e “Hehuranës”, thotë se paraqitet në entin për punësim me rregull më shumë se dy dekada por punë nuk i është ofruar asnjëherë gjatë këtyre viteve.

“Po 25 vite paraqitem me rregull në entin për punësim, më parë çdo muaj, tani çdo tre muaj, po nuk ka punë, ndonjëherë gjej punë privatisht por ata nuk na paraqesin për sigurim shëndetësor e as pensional, pas disa muajsh na largojnë nga puna”, thotë Shemzada.

Edhe Tomisllavi, punëtor 55 vjeçar, thotë se punë vështirë gjendet, ndërkohë që është i shqetësuar se ka shumë pak vite stazh dhe nuk do t’i takojë pensioni.

“Kam 11 vite stazh në kohën e socializmit, pastaj gjithçka u shpërbë, punë s’mund të gjej, ndërkohë që kam shumë fatura për të paguar çdo muaj, më e keqja është se edhe në pleqëri do u mbetem barrë fëmijëve. As unë, as gruaja, nuk arrijmë të plotësojmë stazhin e punës për të marrë pension”, thotë Tomisllavi.

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për mediat ka deklaruar se papunësia në Maqedoni për herë të parë ka rënë nën “kufirin psikologjik” edhe atë nën 30% si pasojë e rritjes së prodhimit industrial prej 3.9 për qind në tremujorin e dytë që është më shumë nga ajo që kishte projektuar Qeveria si pritje për këtë vit.

"Nuk është e rastësishme ajo se pikërisht në këtë periudhë papunësia ka rënë nën atë që quhet ‘kufiri psikologjik’ prej 30 për qind në 29,9 për qind, që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani prej se ekziston anketa për fuqinë punuese nga viti 1996 e deri sot”.

“Gjithë kjo është e lidhur, rritja e bruto prodhimit vendor që ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e papunësisë. Kuptohet në këtë drejtim kanë ndikuar dhe parametra të tjerë”, është shprehur për mediat kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG