Ndërlidhjet

WSJ: Politika e jashtme anti-amerikane e Rusisë


Ilustrim
Ilustrim
Shkruan: David Satter

Pavarësisht optimizmit në Shtetet e Bashkuara, se nisma paqësore ruse mund të ofrojë dalje nga kriza në Siri, modeli i politikës së jashtme ruse tregon se Rusia nuk mund të bëjë asgjë më tepër për vetveten, se sa ta ketë rolin e kundërshtarit global të Shteteve të Bashkuara, shkruan në fillim të artikullit, autori David Satter, në të përditshmen “Wall Street Journal”.

Më tutje ai shkruan se dallimet në vlera ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë - dhe nënshtrimi i politikës ruse ndaj interesave personale të anëtarëve të regjimit të korruptuar – është dashur të jenë të qarta për administratën Obama prej fillimit, duke theksuar se administrata nuk ka bërë asgjë për parandalimin e politikës së “ripërtëritjes”.

Në samitin e Moskës, në vitin 2009, Obama e ka lavdëruar “punën e jashtëzakonshme”, që Vlladimir Putin, i cili atëherë zyrtarisht ishte kryeministër, e kishte bërë për Rusinë.

Presidenti Barack Obama e ka përshkruar Putinin si “të sinqertë, me interesim të thellë për mirëqenien e popullit rus”.

Por, lavdërimi kurrë nuk ishte reciprok, shkruan “Wall Street Journal”, duke shpjeguar se kjo ka ndodhur, pjesërisht, pasi liderët e Rusisë i frikësohen dhe nuk i besojnë popullatës së vet dhe ata e kuptojnë se mbështetja e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut në vendet perëndimore, paraqet kërcënim për sundimin e tyre.

Gjatë viteve të fundit, zyrtarët amerikanë shpeshherë kanë thënë se është vështirë të zgjidhen problemet botërore pa Rusinë.

Për fat të keq, shpeshherë është madje edhe më vështirë për t’i zgjidhur ato me Rusinë, shkruan gazeta.

Shteteve të Bashkuara u duhen tri gjëra nga Rusia: mirëkuptimi i çështjeve të mbrojtjes, ndihma në luftën kundër terrorit, dhe ndihma në ndaljen e ambicieve të shteteve të papërgjegjshme. Në secilin rast, të arriturat e regjimit të Putinit janë ato të obstruksionit të pamëshirshëm.

Një burim i konfliktit ishte kundërshtimi i Rusisë ndaj planave të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e mburojës antiraketore në Evropë, për mbrojtjen e aleatëve amerikanë kundër një sulmi nga Irani.

Rusia e ka trajtuar këtë mburojë si kërcënim për aftësinë e saj atomike, përkundër mendimit të vetë ekspertëve rusë, se raketat nuk paraqesin kërcënim për forcën ruse atomike dhe se me të vërtetë në tërësi kanë qëllim tjetër, shkruan Satter, në të përditshmen “Wall Street Journal”.

Në vitin 2009, Obama i anuloi planet për instalimet antiraketore në Poloni dhe në Republikën Çeke, pjesërisht për t’i përmirësuar raportet SHBA - Rusi.

Por, tash Shtetet e Bashkuara po përgatiten për t’i vendosur interceptorët në Rumani. Në shenjë të përgjigjes, Rusia po kërkon garantime juridike se raketat nuk do të përdoren kundër Rusisë dhe po kërcënon që t’i marrë në shënjestër vendet e mbrojtjet raketore të Shteteve të Bashkuara, nëse nuk arrihet marrëveshje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e pati përshkruar pozicionin rus si “të krisur”.

“Ju në asnjë mënyrë racionale nuk mund të mendoni se NATO-ja paraqet kërcënim kundër Rusisë”, i pati thënë ai agjencisë AP, në shkurt të vitit 2012.

Rusia, po ashtu, i ka shkatërruar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për luftimin e terrorit, shkruan WSJ dhe thekson se dy shembuj karakteristikë janë ai i sulmuesit me bombë në Maratonën e Bostonit, Tamerlan Tsarnaev, dhe ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden.

Tsarnaev i kaloi gjashtë muaj në rajonin e Dagestanit në Rusi, në vitin 2012, para sulmit më 15 prill. Dy prej kontakteve të tij, Mahmud Nigal, i dyshuar për lidhje me nëntokën islamiste, dhe Vlladimir Plotnikov, radikal ruso-kanadez, ishin vrarë nga forcat ruse, derisa ai ishte atje.

Megjithatë, rusët këmbëngulin se Tsarnaev nuk ishte nën vëzhgim në Dagestan dhe se kurrë nuk është marrë në pyetje.

Nëse kjo është e vërtetë, është krejtësisht në kundërshtim me të gjitha praktikat e njohura ruse, shkruan “Wall Street Journal”, dhe përkujton se Tsarnaev ishte larguar lirisht nga Rusia nëpër aeroportin Sheremetevo në Moskë, ndërsa Shërbimi i Sigurimit Federal, kurrë nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për kontaktet e tij në Dagestan, shkruan David Satter në WSJ.

Rusia, gjithashtu, ka treguar pak interesim për përpjekjet për mbrojtjen e civilëve amerikanë, me vendimin e saj për ta strehuar ish-kontraktorin e inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Në dritën e sasisë dhe cilësisë të asaj që e ka vjedhur Snowden, një vlerësim adekuat i dëmit varet nga kthimi i tij në Shtetet e Bashkuara. Derisa kjo të ndodhë, përpjekjet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe të agjencive të tjera, për t’i mbrojtur Shtetet e Bashkuara kundër terrorit, janë të gjymta.

Gazeta i përmend edhe obstruksionet e Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidhur me Iranin dhe Sirinë.

Antiamerikanizmi rus me gjasë do të intensifikohet, shkruan “Wall Street Journal” në një artikull të gjatë.

Njëherësh, antiamerikanizmi do të përdoret për t’i shmangur rusët nga korrupsioni i regjimit të Putinit dhe për shkatërrimin e vendit.

Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij qëndrojnë në maje të sistemit të korruptuar dhe, sipas disa vlerësimeve, e kanë kontrollin ndaj 15% të pasurisë kombëtare.

Regjimi i Rusisë, po ashtu, është i kërcënuar nga ekonomia e përkeqësuar. Në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ka shënuar rënie për 1.2%.

Gjatë viteve 2000, shkalla ishte 7.2%.

Për shkak të korrupsionit të pafund, Rusia në mënyrë kritike varet nga çmimet e larta të naftës dhe kjo mbështetet edhe nga jostabiliteti në Lindjen e Mesme, shkruan David Satter, në të përditshmen “Wall Street Journal”.

Pas nismës ruse për Sirinë, Shtetet e Bashkuara tash janë më tepër të varura në Rusinë, se sa që është dashur të lejohet.

Mund të thuhet se zoti Putin nuk ka treguar mirëbesim ndaj Amerikës në të kaluarën, dhe politkë-bërësit e Shteteve të Bashkuara, do të ishin jo të mençur të mbështetën në të në të ardhmen, përfundon artikulli i gjatë i autorit David Satter, në të përditshmen “Wall Street Journal”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG