Ndërlidhjet

Incidentet dëshmojnë se s'ka klimë për zgjedhje


Incidentet e fundit në veri të Kosovës do të kenë efekte, si në procesin elektoral të 3 nëntorit, ashtu edhe në tërësinë e zbatimit të marrëveshjes së arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, incidentet dëshmojnë se sa e brishtë është gjendja aktuale e sigurisë në atë pjesë, kështu që kërkojnë nga palët e përfshira në dialog, në këtë rast, sidomos nga Beogradi, që t’u qartësojë edhe më shumë serbëve lokalë në veri marrëveshjet me Prishtinën dhe procesin zgjedhor.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, analist i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë se situata mbetet mjaft e paparashikueshme, duke besuar se procesi në veri ka nevojë për një qartësi më të madhe politike.

Rashiti vlerëson se jo vetëm stafi lokal në veri, por edhe OSBE-ja si organizatore e zgjedhjeve dhe EULEX-i, si faktor i sigurisë, do të kenë një punë mjaft të vështirë, pasi që në atë pjesë ka kohë që grupe të caktuara kërcënojnë të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin zgjedhor.

“OSBE-ja dhe EULEX-i kanë një situatë dhe punë shumë të vështirë për ta përballuar këtë proces. Besoj që është shumë me rëndësi që këto javë para zgjedhjeve, të kemi mesazhe shumë më të qarta, si nga Prishtina, e sidomos nga Beogradi dhe faktori ndërkombëtar, se çka do të ndodhë me zgjedhjet dhe si do të shkojë ky proces”, vlerëson Rashiti.

Sipas analistit Naim Rashiti, incidentet në veri mund të përsëriten. E që situata të përmirësohet dhe krijohet një ambient sado pak më i përshtatshëm, ai thotë kjo do të varet nga mesazhet e Beogradit, Prishtinës, qendrave vendimmarrëse evropiane, e deri te mesazhet e kandidatëve në zgjedhjet lokale.

Përderisa nuk ka një qartësi më të madhe, edhe suksesi i zgjedhjeve në veri mbetet ende i pasigurt, konsideron Rashiti.

Naim Rashiti
Naim Rashiti
“Suksesi i zgjedhjeve ende është i pasigurt. Por, kryesisht është i pasigurt nga mungesa e mesazhit të qartë e shpjegimeve që do të duhej të vinin nga Beogradi dhe Prishtina për të ardhmen e veriut pas zgjedhjeve, për të ardhmen e vendeve të punës së njerëzve”, thotë Rashiti.

Ndërkohë, analisti Imer Mushkolaj në prononcimin për Radion Evropa e Lirë thotë se incidentet e fundit, duke përfshirë edhe krimin e rëndë të vrasjes së zyrtarit të EULEX-it, mund të jenë kryer nga grupime që me çdo kusht mundohen të pengojnë zbatimin e Marrëveshjes Prishtinë – Beograd dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në veri.

Ai thekson se reagimi i Beogradit dëshmon që pasojat shtrihen edhe në Serbi, pasi që ky vend ka të ndërlidhur të ardhmen e vet evropiane me zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën.

“Këto incidente kanë ardhur në kohën më të papërshtatshme edhe për Prishtinën, edhe për Beogradin. Reagimet e fundit të ashpra për incidentet në veri, të zyrtarëve të lartë të Beogradit, tregojnë se sa të rëndësishme janë proceset aktuale që zhvillohen dhe sa prishin punë incidente të tilla edhe për aspektin e zbatimit të marrëveshjes në veri”, shprehet Mushkolaj.

Sipas tij në veri, po imponohet një ndikim më i madh i Beogradit për qetësimin e gjendjes, marrë parasysh edhe faktin se Prishtina dhe prania ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë arritur të vendosin kontrollin në atë pjesë.
Me krimin e rëndë, vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, duket se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit të Beogradit, ngase e dimë se Prishtina edhe ashtu nuk ka pasur kontroll atje që nga paslufta.

“Me krimin e rëndë, vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, duket se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit të Beogradit, ngase e dimë se Prishtina edhe ashtu nuk ka pasur kontroll atje që nga paslufta. Në këtë funksion, e shoh edhe angazhimin dhe përpjekjen e Beogradit për t’u përfshirë në gjetjen e kryesve të veprës kriminale atje. Natyrisht që të gjitha përpjekjet tash duhet të fokusohen në qetësimin e situatës, përmirësimin e gjendjes së sigurisë, ngase e dimë që zgjedhjet tashmë janë në prag”, thekson Mushkolaj.

Me marrëveshjen e 19 prillit, Beogradi ishte pajtuar me Prishtinën zyrtare që zgjedhjet lokale të organizohen për herët ë parë edhe në komunat veriore, të kontrolluara tash e 14 vjet nga strukturat paralele serbe, që mbështeteshin në Serbi dhe ligjet e atij vendi.

Kjo marrëveshje i ka hidhëruar liderët e komunave veriore, të cilët po ndërmarrin edhe fushatë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe organizimit të zgjedhjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG