Ndërlidhjet

Maqedoni: Autoritetet keqpërdorin masën e paraburgimit


Institucionet gjyqësore në Maqedoni nuk respektojnë procedurat gjatë arrestimeve dhe shqiptimit të masave për personat e ndaluar nën dyshimin e kryerjes së ndonjë vepre penale apo kundërvajtëse, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike, duke komentuar proceset që janë zhvilluar periudhën e fundit në Maqedoni.

Bëhet fjalë për masën e paraburgimit, e cila, sipas ekspertëve, është shndërruar në masë të dënimit, pasi gjykatësit hetues thuajse në të gjitha rastet kanë aplikuar këtë masë, por jo edhe vendime tjera gjyqësore si arrestin shtëpiak, kaucionin, lënien e të dyshuarit të mbrohet në liri, apo të paraqitet rregullisht në stacionet policore apo gjykata deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

“Qëllimi është propagandimi i sundimit të ligjit me forma gati brutale. Pra, kemi tejkalim dhe keqpërdorim të masës së paraburgimit. Nuk është e domosdoshme që gjithmonë të gjithë të ndaluarit të paraburgosen, kjo masë mund t'u shqiptohet dy-tre personave, disa të tjerëve mund t'u kufizohet lëvizja, nga të tretët mund të kërkohet si masë sigurie garancia me para apo hipotekimi i pronës“, thotë Mersim Pollozhani, ekspert i çështjeve juridike.

I të njëjtit mendim është edhe avokati Zvonko Davidoviq, i cili thotë se për të gjitha rastet e fundit, pa përjashtim, gjykatësit hetues shqiptojnë masën e paraburgimit, që mund të zgjasë edhe me muaj të tërë.

“Gjatë caktimit të masës së paraburgimit, nuk merret asgjë parasysh, por, thjesht gjykatësi hetues përcaktohet për masën e paraburgimit. Nuk merret parasysh asnjë masë lehtësuese për të ndaluarin”, pohon Davidoviq.

Sipas të dhënave të Komitetit të Helsinkit, numri i të paraburgosurve viteve të fundit ka shënuar rritje të ndjeshme, përkatësisht për 9 nga 10 të ndaluarit, gjykatësit miratojnë kërkesën e Prokurorisë për shqiptimin e masë së paraburgimit.

Kryetarja e Komitetit, Uranija Pirovska, si rast të veprimit jo të duhur, ajo përmend rastin me gazetarin e paraburgosur, Aleksandar Kexharovski, të cilit iu refuzua për kërkesa për mbrojtje në liri edhe pse si kaucion kishte ofruar gjithë pronën që posedon.

“Gjatë shqiptimit të masës së paraburgimit, gjykatësi hetues ka vepruar në kundërshtim me Konventën Evropiane, pasi në këtë rast është vendosur kolektivisht për masën e paraburgimit që është e palejueshme dhe gjykata nuk ka dhënë asnjë argument se pse pikërisht atij i është shqiptuar masa e paraburgimit”, thotë Pirovska.

Veç çështjes së paraburgimit, ekspertët si shqetësim kanë ngritur edhe arrestimet nga ana e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, të cilat, siç shprehen ata, bëhen në mënyrë spektakulare dhe para kamerave televizive në kohën kur ende nuk ka nisur asnjë proces gjyqësor, apo nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj tyre.

“Praktika e arrestimeve dramatike spektalulare në kohëra të çuditshme, para anëtarëve të familjes, para kamerave televizive, publikimi i emrave të të dyshuarave, të cilët ende janë të pafajshëm, pasi nuk ka asnjë epilog gjyqësor ndaj tyre, e gjithë kjo mendoj se bëhet me qëllimin e vetëm që në opinion të dëshmohet efekti i fuqisë”, thotë profesoresha universitare, Biljana Vankovska.

Për rastin e fundit të “spiunimit”, të gjithë të arrestuarit janë dërguar në paraburgim prej 30 ditësh. Vendim i ngjashëm është shqiptuar edhe për aferat tjera si “likuidimi”, “Merimanga”, “Metastaza”, “Monstra”, “Sopoti” e shumë procese tjera.

Në disa prej tyre të ndaluarit janë mbajtur me muaj të tërë, që në fund i tërë procesi të anulohet, apo të kthehet në rigjykim për mungesë të provave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG