Ndërlidhjet

Maqedoni: IPA-fondet rrisin punësimin


Ilustrim
Ilustrim
Drejtoresha e Qendrës Maqedonase për Arsimim Evropian, Lidija Dimova, thotë se nëse do të angazhoheshin autoritetet qeveritare në drejtim të riorganizimit të mjeteve ekzistuese të fondeve evropiane(IPA) duke orientuar 15% të këtyre mjeteve për sektorin civil, do të siguroheshin mbi 7 mijë vende pune.

“Meqë në fondet IPA–II, Maqedonia ka 600 milionë euro në dispozicion për shtatë vjetët e ardhshëm dhe nëse në mënyrë të drejtë shfrytëzohen këto mjete, ne garantojmë se së paku 7 mijë 700 persona do të mund të punësohen me orar të plotë pune, si dhe rreth 250 mijë persona do të angazhohen përkohësisht, e gjithë kjo me paratë evropiane”, thotë Dimova.

Ajo thekson se Qeveria e Maqedonisë, pos riorganizimit të këtyre mjeteve, duhet të shprehë dhe guxim për demokratizimin e institucioneve shtetërore dhe jo këtë ta bëjë sa për "sy e faqe” para faktorit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Albert Hani, nga Qendra për Menaxhim të Konflikteve, thotë se ka më shumë arsye pse sektori civil në Maqedoni pothuajse nuk ka aspak qasje në fondet evropiane.

“Flitet për çështjen e transparencës, përgjegjësisë dhe shumë mënyra të tjera të punës që ne nuk i kemi etabluar si sistem, si në organizatat joqeveritare, ashtu dhe në institucionet shtetërore. Thjesht, ne nuk mund t'i marrim këto mjete, po edhe nuk dimë t`i marrim, sepse nuk jemi të përgatitur për t'i menaxhuar mjetet evropiane”, shprehet Hani.

Por, Lidija Dimova thotë se duke u nisur nga fakti se OJQ-të kanë vështirësi për të konkurruar për shfrytëzimin e fondeve evropiane, Qeveria duhet të kontribuojë me ndërtimin e një infrastrukture financiare përmes “Fondit për zhvillim të demokracisë”, dhe të mundësohet shfrytëzimi i kapaciteteve të vetë institucioneve shtetërore që do t`u dedikohen projektet.

“Ne propozojmë që fillimisht të destinohen mjete për ndërtimin e kapaciteteve të vetë sektorit civil, që është dhe pjesa më e ndjeshme, sepse nuk ka aktivitete. Pastaj, Qeveria duhet të sigurojë mjete për bashkëfinancim, si dhe nevojitet të krijohen mekanizma që mos favorizohet ndonjëra organizatë qeveritare që është e afërt me politikat qeveritare”, potencon Dimova.

Edhe Albert Hani nga sektori civil pohon se Qeveria duhet të paraqesë shembull si duhet menaxhuar mjetet e BE-së dhe më pas gjithçka do të jetë më e lehtë.

“Së pari autoritetet shtetërore duhet të jenë ato që do të demonstronin shembull të mirë se si duhet të menaxhohen fondet evropiane, duke pasur një qasje më profesionale ndaj IPA-fondeve".

"Kjo do të thotë se fillimisht shteti duhet të ndryshojë sistemin e punës duke qenë më transparent dhe më të përgjegjshëm në implementimin e projekteve që financohen nga BE-ja, mënyrë e punës që do të ndiqej dhe nga OJQ-të. Së dyti, nevojitet një bashkëpunim më intensiv mes sektorit publik dhe sektorit civil, si dhe nevojitet një bashkëpunim rajonal”,
thotë Hani.

Sektori civil disa herë ka ngritur zërin se Maqedonia nuk arrin të shfrytëzojë as 30 për qind të mjeteve IPA, si pasojë e mosrealizimit të reformave dhe mungesës së një strategjie konkrete për shfrytëzimin e këtyre mjeteve.

Sektori civil në Maqedoni ka kapacitet për të ndihmuar Qeverinë që të tërheqë mjetet evropiane dhe njëherësh me këtë dhe të sigurojë vende pune për të rinjtë, veçanërisht ata që njohin më shumë gjuhë për të shfrytëzuar praktikat e vendeve që tashmë janë pjesë e familjes evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG