Ndërlidhjet

Dresniku fle mbi qytetin antik dardan


Mungesë fondesh për gërmimet në Dresnik
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:58 0:00

Mungesë fondesh për gërmimet në Dresnik

“Ky zbulim për mua është një histori e pashlyer. Është një histori e vjetër, e cila e tregon popullin shqiptar, se është tokë shqiptare, e jo tokë sllave, sepse sllavët kanë ardhur prej Karpateve në 600 vjet e këndej, e nuk kanë qenë këtu para 1000-2000 vjetëve”, nis rrëfimin e tij 73 vjeçi Krist Matiqi.

Zoti Matiqi kujton edhe tregimet që kishte dëgjuar si fëmijë, e që ishin bartur me gjenerata, pikërisht për vendin ku po gërmohet.

“Në atë kodrën e vogël, aty më thoshin pleqtë se është djegur kisha. Pas gërmimeve, aty mund të konstatohet se a ka qenë kishë, a çka ishte ajo. Aty pas lisave, kanë ardhur arkeologët në atë kohë! Më kujtohet se isha 15-16 vjeçar! Kanë ardhur arkeologët prej Beogradi, i ka prurë një serb që quhej Din Karaxhiqi, për të zbuluar se çka mund të jetë një pllakë. Si e kanë zbuluar, janë habitur edhe vetë, se përse ky gur kaq i madh, se si është e mundur të jetë ajo pllakë në këtë rrafsh të Dresnikut! Ata diçka kanë parë në të dhe e kanë mbuluar prapë".

"Unë e kam parë atë pllakë, por shkrime në të s’kam vërejtur. Shkrime kam parë në këtë anën tjetër, në gjuhë latine, apo romake qysh kanë qenë. Ato i ka nxjerrë një kushëri imi”
, tregon plaku plot emocione, nga gëzimi që po vërtetohen gojëdhënat se në fushat e papunuara të fshatit, po zbulohet një qytet antik.

Arkeologu Masar Valla, që drejton ekipin e gërmuesve në Dresnik, shpjegon se një muaj e gjysmë punë në këtë lokacion, ka nxjerrë rezultate të mëdha.

Gjetja e parë është bazamenti i një bazilike civile, podiumi i së cilës është i tëri i mbuluar me një mozaik, me sipërfaqe 220 metra katror.

Por, kjo nuk është e tëra.

“Ky është një municipum i madh! Ky është një qytet i madh, është një qytet i kohës romake. Ky ka qenë vendbanim më së pari Dardan. Mandej me pushtimin e Romës, është futur arkitektura romake, urbanizmi romak. Domethënë ka hyrë kultura romake dhe e ka ngritur qytetin në standarde romake”, thotë Valla për Radion Evropa e Lirë.

Themelet e bazilikës së zbuluar, sipas arkeologut Valla, tregojnë se objekti ishte pjesë e një qyteti të shtrirë në të paktën dhjetëra hektarë tokë.

“Pesëdhjetë hektarë duhet t'i ketë përafërsisht. Janë rrugët, janë banesat, janë objektet publike. Të gjitha ato... Ne jemi në fillim të gërmimeve, edhe këtë objekt ende s’e kemi hapur krejt. Kjo është një godinë publike, e cila është e kthyer kah veriu! Objektet kishtare, ose bazilikat, zakonisht hapësirën e kanë kah lindja, kurse ky e ka nga veriu”, thotë udhëheqësi i ekipit hulumtues në Dresnik.

Ai shpjegon se shtyllat e jashtme përforcuese të objektit të zbuluar, janë të thella mbi 150 centimetra nën tokë, kurse muret e jashtme janë 1 metër të trasha të përforcuara me gëlqere dhe tullë të bluar.

Kurse, në brendi të objektit, arkeologët besojnë se kishte murale të vizatuara, pasi kanë dalluar një pjesë të fasadës që përmbante ngjyrë të kuqe.

Në bazë të konstatimeve të para, besohet se ky objekt është djegur, e më pas është dëmtuar edhe më shumë nga një tërmet.

“Sipas parashikimeve preliminare, ne mendojmë se është një objekt civil, i cili ka shërbyer për nevojat e atëhershme të qytetarëve të këtij qyteti. Zakonisht në municipume të periudhës romake, në objektet civile, në bazilikat civile, janë kryer shumë funksione, për probleme ekonomike, probleme sociale e juridike. Këtu është mbledhur gjykata edhe ka dhënë dënimin për personat, të cilët kanë qenë në ndjekje! Edhe për funksione të tjera civile. Ka një sipërfaqe prej 220 metra katror, e cila është e tëra në mozaik”, shpjegon Masar Valla.

Ekipi gërmues ka konstatuar 9 ngjyra në këtë mozaik, me figura me motive të ndryshme.

Mozaiku, siç shpjegon profesor Valla, është i rrethuar me një kornizë në formë zemre, e në disa pjesë të ndërtesës shihen edhe svastikat.

Por, pavarësisht entuziazmit të madh të Vallës dhe Matiqit, në Dresnik nuk po gërmohet më, që nga 15 gushti.

Fajin e ka mungesa e fondeve, pasi Ministria e Kulturës nuk i kishte dhënë më shumë mjete financiare Institutit të Arkeologjisë së Kosovës.

“Për momentin nuk po punohet, sepse mungojnë mjetet financiare, mirëpo ministri i Kulturës na ka premtuar se shumë shpejt do të zgjidhet ky problem dhe do të fillojnë gërmimet përsëri”, shton Valla.

Meqë gërmimet janë ndërprerë, mozaiku është dashur të mbulohet me një mbështjellës të përkohshëm, për ta mbrojtur atë nga ndryshimet klimatike dhe dëmtimi eventual.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG