Ndërlidhjet

Sa praktik mund të jetë zbatimi i planit rus për Sirinë?


Siri...
Siri...
Për të bërë invertarin e armëve kimike të Sirisë, duhen inspektime në terren të shumë lokacioneve. Kjo nuk është aspak e lehtë në mesin e një lufte civile. Sfidë akoma më e madhe është vënia e stoqeve nën kontrollin ndërkombëtar dhe asgjësimi i tyre.

Eksperti britanik i armëve kimike, Richard Guthrie, thotë se inspektorët duhet të shoqërohen nga forca paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

“Inspektorët që përdoren në bazë të Konventës së Armëve Kimike nuk janë personel ushtarak. Ata nuk mund të qëndrojnë atje me automatikë në duar dhe të mbrojnë armët. Ata janë administratorë të mirë, vëzhgues të mirë të gjërave, por mbrojtja e armëve kimike do të duhej të bëhej në koordinim me disa forca paqeruajtëse të OKB-së, të cilat duhet të jenë garda të armatosura dhe në gjendje për të penguar sulmet në ato lokacione”, thotë Guthrie.

Dërgimi i një force ndërkombëtare në mes të luftës civile të Sirisë thuhet se bart rreziqet e veta, pasi forca mund të tërhiqet zvarrë në konflikt.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shtunën marrëveshjen, e cila parasheh që Siria të dorëzojë të gjitha armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar. Dokumenti është hartuar nga Rusia dhe shmang ndërhyrjen e huaj ushtarake në Siri.

Plani rus bazohet edhe në negociatat me Damaskun, por nuk përmend fare lëvizjen e rebelëve sirianë, e cila përbëhet nga grupe të ndryshme. Dhe, një marrëveshje vetëm me regjimin sirian mund të mos jetë e mjaftueshme.

Dina Esfandiari, analiste në Institutin për Studime Strategjike, thotë se të gjitha armët kimike të Sirisë supozohet të jenë në duart e Damaskut. Por, sipas saj, konflikti në këtë vend është shumë i paqëndrueshëm dhe nuk ka siguri se armët nuk do të barten në të tjera duar.

“Në këtë moment, nuk ka gjasa që rebelët të kenë qasje në këto armë, çfarë do të thotë se marrëveshja duhet të bëhet me Bashar al-Assadin. Por, nëse Qeveria e tij bie në ndërkohë, Perëndimi duhet të punojë me rebelët për të vazhduar zbatimin e planit dhe asgjësimin e armëve kimike”, thotë Esfandiari.

Një sfidë e veçantë është Fronti Al Nusra, i cili ka lidhje me Al Kaidën. Paul Schulte, ekspert i çarmatimit me seli në Londër, thotë:

“Al Kaida thotë se blerja e armëve të shkatërrimit në masë nuk është vetëm e nevojshme, por edhe thelbësore për xhihad. Kështu që duhet të ekzistojë frika për mënyrën se si grupet e tilla do të nxiten për të marrë kontrollin e armëve kimike nga qeveria, të çdo rezerve që mund ta marrin dhe pastaj ta përdorin atë në mënyrën më shkatërruese që mund ta bëjnë”.

Plani i Rusisë, a do të thotë se lufta civile në Siri do të vazhdojë, por pa armë kimike?

Fatkeqësisht po. Plani i Rusisë, ashtu si edhe sulmet eventuale të Shteteve të Bashkuara në Siri, janë një mënyrë për të ndaluar përdorimin e armëve kimike. Ato nuk janë përpjekje për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG