Ndërlidhjet

Të mbijetuarit e sulmeve të Saddamit dhe kriza në Siri


Protestë kundër sulmit kimik në Siri
Protestë kundër sulmit kimik në Siri
Hoshmand Morad kujton ditën kur qyteti i tij ka përjetuar sulmin më vdekjeprurës kimik, të kryer ndonjëherë kundër popullatës civile.

Re të bardha, ngjyrë rozë dhe të verdha kanë kapluar qytetin, ndërsa trupat e pajetë kanë mbushur rrugët.

Këto janë kujtime të fëmijërisë për Moradin, i cili ka qenë vetëm 6 vjeç kur qyteti i tij Halabja, në rajonin kurd të Irakut, ka qenë shënjestër e një fushate të bombardimeve kimike, të kryera nga forcat ajrore të Saddam Husseinit.

Organizata "Human Rights Watch" ka thënë se rreth 5,000 banorë të qytetit janë vrarë dhe 10,000 të tjerë janë plagosur në sulmin e 16 marsit, 1988. Shumë kanë vdekur menjëherë nga efektet e gazrave Sarin, VX dhe mustard.

Në mesin e të vrarëve kanë qenë edhe prindërit e Moradit, i cili më pas është zhvendosur në Iran, nga daja i tij.

Ai ka shpresuar se tmerret e asaj dite nuk do të përsëriten kurrë. Por, kjo shpresë është thyer muajin e kaluar, kur Morad ka mësuar se armët kimike janë përdorur në periferi të Damaskut, kryeqytetit të Sirisë.

Morad thotë se ka shikuar me dhimbje imazhet e sulmit të 21 gushtit në Ghouta.

“Jam ndjerë shumë keq. Kam qarë. Më ka kujtuar ditën kur Saddam Husseini ka përdorur armë kimike kundër fëmijëve, grave, të rinjve dhe të moshuarve në Halabja”, thotë Morad.

Sot, në të 30-tat e tij, Morad është zëdhënës i Shoqërisë së Viktimave Kimike në Halabja. Ai përdor pozitën e tij për t’ia kujtuar botës tmerret e luftës kimike. Duke folur për Radion Evropa e Lirë nga Halabja, ai i përshkruan armët kimike si “rrezik për të ardhmen e njerëzimit”.

Paralajmërimet e Moradit mbështeten edhe nga Zmnako Mohammed Ahmad, një i mbijetuar tjetër i sulmit me gaz në Halabja. Ahmad ka humbur babanë dhe katër vëllezër e motra në sulmin e vitit 1988. Plot 22 vjet i janë dashur të bashkohet me nënën e tij.

Ahmad, nëna e të cilit vazhdon të ketë probleme me frymëmarrje si pasojë e ekspozimit ndaj agjentëve kimikë, thotë se nuk ka vend për butësi për ata që qëndrojnë pas sulmit kimik në Siri.

“Rreth 5,0000 njerëz kanë vdekur në Halabja, përfshirë edhe të afërmit e mi. Rreth 68 për qind e të vrarëve kanë qenë fëmijë dhe gra. Sot, në Siri, shumica e viktimave janë fëmijë. Mendoj se ata që vrasin fëmijë duhet të trajtohen në mënyrën më të keqe të mundshme”, thotë Ahmad.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët perëndimorë kanë hedhur fajin mbi regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili është në vitin e tretë të një lufte brutale civile. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka cituar një vlerësim të Inteligjencës amerikane, i cili thotë se në Ghouta janë vrarë 1,429 persona, në mesin e tyre 426 fëmijë.

Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar argumentet e presidentit të SHBA-së, Barack Obama, se bota ka përgjegjësi morale për të ndëshkuar regjimin sirian, për shkak të përdorimit të armëve kimike.

Moska ka lënë hapur mundësinë që rebelët sirianë mund të jenë përgjegjës për sulmin. Pekini ka paralajmëruar se ndërhyrja ushtarake në Siri mund të ketë efekte negative në ekonominë globale.

Përdorimi i armëve kimike, pa marrë parasysh se nga cila palë, është dënuar fuqishëm nga bota. Ahmad thotë se kjo është pozitive, por do që të shohë më shumë se fjalë.

“Në vitin 1988, kur ka ndodhur sulmi kimik në Halabja, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të heshtura. I gjithë komuniteti ndërkombëtar ka qenë i heshtur. Disa vite më vonë, më 2003, SHBA na ka ndihmuar të heqim qafe regjimin Ba’athist dhe Saddam Husseinin. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe sot dhe SHBA të ndihmojë popullin sirian”, thotë Ahmad.

Pas sulmit në Halabja, i cili është bërë simbol i brutalitetit të regjimit të Saddamit, bota nuk ka ndërhyrë.

Komuniteti ndërkombëtar ka qenë kryesisht i heshtur pas përdorimit të armëve kimike kundër dhjetëra-mijëra ushtarëve dhe civilëve iranianë gjatë luftës Iran-Irak më 1980-88. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol në këto sulme, sipas një raporti që ka publikuar së fundmi “Foreign Policy”, duke i ofruar inteligjencë Irakut, që është përdorur për të hemuar me gaz ushtarët iranianë.

Si rezultat, shumica e rreth 100,000 të mbijeturve nga sulmet kundër Iranit janë skeptikë për shqetësimet humanitare të Uashingtonit kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Në mesin e tyre është Shahriar Khateri, mjek dhe veteran i luftës Iran-Irak, i cili ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve kimike.

“Së paku shtatë dokumente zyrtare në lidhje me sulmet kimike kundër Iranit janë dorëzuar në Kombet e Bashkuara, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Ka po ashtu dokumente që dëshmojnë se Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Bashkimit Evropian kanë ndihmuar Saddamin. Sa i përket Sirisë, asnjë raport zyrtar nuk është lëshuar ende, por SHBA-ja nxiton për të shkuar në luftë”, thotë Khateri.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG