Ndërlidhjet

Jahjaga: Femrat po margjinalizohen!


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Emancipimi i shoqërisë kosovare vazhdon të jetë brengë për prijësit politikë dhe institucionalë të vendit, ku barazia në kontekstin gjinor, vazhdon të jetë sfidë e patejkalueshme.

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, të shtunën shfaqi një brengë të saj rreth një problematike që ajo e quajti shqetësuese.

Ajo foli për këtë çështje në konferencën për fuqizimin e grave ndërmarrëse në Kosovë, ku përveç afarizmit, tërhoqi paralele të përgjithshme për shoqërinë dhe mënyrën se si po trajtohet femra.

Në Kosovë, ne përballemi me realitete të ndryshme rreth emancipimit dhe pjesëmarrjes aktive të gruas në proceset shoqërore, qofshin ato politike apo ekonomike. Në Kosovë kemi gra sipërmarrëse shumë të suksesshme, që udhëheqin biznese të rëndësishme në vend, ndërsa ende përballemi me shifra shumë të ulëta madje alarmante, të pronës apo bizneseve që janë nën pronësi të grave”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga theksoi se femra vazhdon të përjashtohet nga shumë fusha dhe se kjo po ndikon që vendi të mos ecën para.

“Nuk mund të flasim për përparim dhe të ardhme të sigurt kur margjinalizojmë një pjesë të potencialit të shoqërisë sonë, duke i ofruar më pak mundësi, më pak qasje apo duke hequr dorë prej avancimit të saj. Përparimin mund ta arrijmë vetëm me politika gjithëpërfshirëse”, theksoi presidentja Jahjaga.

Salla e konferencave ku po zhvillohej kjo tribunë ishte e stërmbushur.
Gratë po dëgjonin me shumë vëmendje se çfarë po fliste presidentja, dhe tundnin kokën në shenjë pajtimi kur presidentja Jahjaga tha se mentaliteti duhet ndryshuar dhe se femrës i duhet njohur pozita e saj.

“Duhet ta kemi të qartë se fuqizimi i gruas është qenësor për paqe dhe demokraci; është qenësor për zhvillim të qëndrueshëm dhe drejtësi sociale, është qenësor për uljen e varfërisë dhe rritjen ekonomike të një vendi”.

“Dështimi ynë për ta ndryshuar këtë realitet që mbizotëron në shoqërinë tonë nuk do të jetë vetëm diskriminim ndaj grave, por reflektim i zgjedhjeve tona, ekonomike dhe politike, të pamenduara mirë”, u shpreh Jahjaga.

Mimoza Kusari - Lila
Mimoza Kusari - Lila
Për pozitën dhe telashet e femrës në ndërmarrësi dhe shoqëri foli edhe një politikane tjetër, por me tone pak më të buta.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila fajin për margjinalizimin e femrës ia la periudhës së tranzicionit.

Në fillim të fjalës së saj, ajo tha se inkurajohet kur sheh pjesëmarrje të madhe të femrës në konferenca të tilla ku flitet për rolin e saj në shoqëri.
Por, jo vetëm kaq.

“Në ju kam parë gjithmonë entuziazmin, guximin, por gjithashtu edhe idetë për ndërmarrësi, të cilat shpeshherë në shoqërinë kosovare nënvlerësohen”, tha ministrja Kusari-Lila.

Konferenca për ditët e ndërmarrësisë së grave, organizohet për herë të dytë në Kosovë prej pas pavarësisë.

Kurse presidentja Jahjaga shfaqi një shpresë se në të ardhmen, organizime të tilla të bëhen edhe për meshkujt.

“Jam e bindur se në qoftë se qëndrojmë kështu së bashku, do t’ia dalim. Jo për ne sot, por për gjeneratat e ardhshme. Faleminderit shumë, ju dëshiroj sukses në këtë konferencë, dhe shpresoj që pas 10 viteve të ardhshme të kemi konferenca të tilla për meshkujt!”, tha presidentja Jahjaga, urimi i së cilës u duartrokit për një kohë nga gratë në sallë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG