Ndërlidhjet

Hooper: Ndërhyrja në Siri: Kosova model, por me synim tjetër


James Hooper
James Hooper
“Në Kosovë, ndërhyrja humanitare ishte e disenjuar të largojë njëherë e mirë autoritetin e Serbisë mbi Kosovën dhe jetët e qytetarëve të saj. Në Siri, bëhet fjalë për një skenar më ndryshe”, thotë James Hooper, ish-diplomat amerikan, me përvojë në Lindjen e Mesme dhe Ballkan, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, kohët e fundit ka pasur analiza të shumta mbi mundësinë e ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe fuqive aleate në Siri. Në këtë kuadër, Kosova është përmendur shumë herë si model ndërhyrjeje, si një formë precedenti në rastin e Sirisë. A mendoni se një krahasim i këtillë qëndron?

JAMES HOOPER
Po, mendoj se qëndron, në kuptimin e një modeli për ndërhyrje humanitare, bazuar në përgjegjësinë për të mbrojtur. Komuniteti ndërkombëtar vendosi të veprojë [në rastin e Kosovës], sepse duhej të vepronte patjetër. Sapo kishte përfunduar përvoja me Bosnjën, së këndejmi komuniteti ndërkombëtar, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, e dinin se çfarë po planifikonte Millosheviqi në Kosovë.

Kishte gjithnjë e më shumë dhunë dhe nuk kishte mundësi për ta zgjidhur çështjen përmes negociatave, ndonëse pati përpjekje që prej konferencës në Rambouillet…Komuniteti ndërkombëtar kishte para vetes mundësinë e të qenit dëshmitar i një brutaliteti në rritje ose të veprojë.

Komuniteti ndërkombëtar veproi mbi bazën e asaj që njihet si përgjegjësi për të mbrojtur – një qeveri e ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e vet, dhe kur nuk e bën këtë, atëherë është e ligjshme që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë dhe të mbrojë qytetarët që keqtrajtohen në mënyrë brutale nga qeveria e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, do të citoj gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e NATO-s në vitit 1999 në rastin e Kosovës. Për të përditshmen “USA Today”, ai ka thënë se në krahasim me Sirinë, Kosova ishte përpjekje shumë më e madhe. Çfarë duhet bërë në Siri, pas ndërhyrjes së mundshme?

JAMES HOOPER
Sikurse edhe në rastin e Kosovës, edhe në Siri duhet të vlejë baza e përgjegjësisë për të mbrojtur. Por, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, e cila është duke u shqyrtuar dhe është shqyrtuar pra edhe në Britaninë e Madhe dhe Francë, do të përqendrohej jo në largimin e tërësishëm të një regjimi në baza të gjera, por do të kishte për synim të pengojë presidentin sirian, Bashar Al-Assad në shfrytëzimin e mëtejmë të armëve kimike. Pra, është një synim më i kufizuar se në rastin e Kosovës.

Në Kosovë, ndërhyrja humanitare ishte e disenjuar të largojë njëherë e mirë autoritetin e Serbisë mbi Kosovën dhe jetët e qytetarëve të saj. Në këtë kuptim, planet ushtarake të perëndimit dallojnë në masë të madhe nga ato që janë hartuar për Sirinë. Në Kosovë ndërhyrja ishte luftë e NATO-s, kurse ndërhyrja në Siri kishte në plan përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Francën, ndonëse tashmë është e qartë se Britania do ta ketë të vështirë përfshirjen. Tani madje është pikëpyetje nëse edhe Shtetet e Bashkuara do të përfshihen, e francezët kanë thënë se nuk do të angazhohen pa SHBA-në.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e për të cilat mbase mund të pajtohemi se janë të tensionuara, si do të pasqyrohet e gjithë kjo në rrafshin ndërkombëtar?

JAMES HOOPER
Ajo çfarë po shihni tash, është një kthesë e jashtëzakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Unë besoj fuqishëm në respektimin e rivalëve, se nuk duhet marrë vendime emocionale karshi tyre, e të cilat do të mund t’ju verbojnë për të parë më nga afër gjërat ashtu siç janë.

Regjimi sirian nuk e ka ndërmend fare të heqë dorë nga pushteti dhe nuk e ka ndërmend fare as ta ndajë pushtetin, por ia ka arritur për së mbari ta ndajë më dysh aleancën perëndimore. Dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme, me të cilën unë nuk pajtohem aspak. Ky regjim ka arritur të ndajë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën…Së dyti, i kanë detyruar SHBA-të të hyjnë në debat Kongresi dhe duke pasur parasysh raportet e hidhura që presidenti Obama ka me republikanët në Kongres, e madje edhe me disa përfaqësues demokratë, rezultati i atij debati nuk është fare i qartë.

Në anën tjetër, po të shikoni se çfarë po ndodhë, do të shihni Sirinë, Rusinë, Iranin dhe Hezbollahun në Liban të jenë shndërruar në një aleancë ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë mes vete në aspektin ushtarak, politik e diplomatik.

Putin dhe Obama nuk e durojnë njëri tjetrin, madje as në nivelin personal. Rusia e di qartazi, nga e gjithë prania e saj në Siri, këshilltarët në terren, nga informacionet e shërbimeve të zbulimit, se çfarë është duke bërë regjimi sirian dhe ka njohuri për shfrytëzimin e armëve kimike. Qeveria siriane ka integruar armët kimike në strategjinë e përgjithshme të saj ushtarake në përballje me forcat opozitare.

Dhe, ajo çfarë po shihni tani është një gënjeshtër e madhe e Putinit. Rusia shkon aq larg dhe jo vetëm që mbështet ushtarakisht Sirinë, por edhe legjitimon përdorimin e armatimit kimik. Ky është një nivel i ri i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, ju keni përvojë në Lindjen e Mesme. Si do të pritej një ndërhyrje e mundshme e Shteteve të Bashkuara në Siri, ndërkohë që ekziston edhe rreziku që nëse nuk ka ndërhyrje, përdorimi i armëve kimike edhe mund të legjitimohet?

JAMES HOOPER
E saktë. Shtetet e Bashkuara, absolutisht dhe qartazi, janë në një pozitë shumë të vështirë. Administrata e presidentit Obama nuk është e interesuar të hyjë edhe në një luftë tjetër, trazirat në Siri kanë nisur para dy vitesh e gjysmë dhe që nga fillimi Obama ka qenë i qartë në qëndrimin se do t’i mbajë SHBA-të larg ndërhyrjes ushtarake në Lindjen e Mesme. Veprimet e administratës së tij kanë qenë të kundërta me ato të presidentit Bush në rastin e Irakut.

Dhe pikërisht në këtë rrafsh, mund të ndërtohet argumenti se ishte mosveprimi i Shteteve të Bashkuara faktori që ka trimëruar regjimin sirian të mendojë se mund t’ia dalë mbanë me përdorimin e armëve kimike. Ky argument qëndron edhe ndërkombëtarisht.

Tani, kjo administratë duhet të vendos nëse parapëlqen të rrijë anash dhe të lejojë që një gjë e këtillë të pranohet. Secilën herë që Assadi sfidon, përpiqet të shtyjë kufirin duke përshkallëzuar mjetet e dhunës dhe përdorimin e armëve kimike, do ta bëjë këtë gradualisht, duke matur reagimin dhe rezultatin e të bëmave të tij dhe kur e sheh që ia del pa ndonjë të keqe, do të vazhdojë tutje me përmasa më të mëdha. Dhe pikërisht kjo është duke ndodhur tani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG