Ndërlidhjet

Fushata e hershme, pasqyrim i frikës së partive politike?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Shumë propagandë, pak ose hiç alternativa për zgjedhje të problemeve konkrete, dhe elektorati i pavetëdijesuar, i kanë dhënë një lloj luksi skenës politike kosovare që të sillet si sillet tani, në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Të tilla janë opinionet e vëzhguesve të zgjedhjeve të mëhershme në Kosovë, kur komentojnë fushatën e hershme politike, ku partitë dita ditës po nxjerrin kandidatët e tyre për komunat e caktuara.

Drejtoresha e Qendrës për Politikë dhe Avokim, Shqipe Pantina, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjektet e mëdha politike po flasin shumë pak për programet dhe platformat e tyre.

Sipas saj, kjo fushatë më shumë i ngjan një gare të brendshme partiake.

“Ajo çka shohim ne kohëve të fundit, është më shumë propagandim edhe një lloj konkurrence e brendshme, që do të ishte krejt në rregull, po të bëhej një konkurrencë e mirëfilltë me zgjedhje të brendshme për kandidat”, thotë Pantina.

Për ta argumentuar këtë që thotë, ajo sqaron se fushata e hershme po bëhet për të eliminimin e kandidatë të brendshëm, ose “për zgjedhje të kandidatëve të cilët janë më të afërt me nivelin qendror.”

Dhe sipas saj, kjo ka edhe një shpjegim tjetër.

“Kjo do të thotë se ata janë shumë vonë edhe në përgatitjen e platformës zgjedhore, dhe edhe në zgjedhjet e ardhshme, edhe pse ato janë lokale dhe programet do të duhej të fokusoheshin në çështje lokale, kam përshtypjen se partitë do të garojnë më shumë me ato sloganet e famshme të cilat janë të njohura për ne qysh nga zgjedhjet e mëhershme”, shpjegon ajo.

Por jo vetëm këto gjëra e bëjnë këtë fushatë të hershme të ketë formën e tashme.

Petrit Zogiani nga Fol 08, thotë se përgjigjen duhet kërkuar edhe tek ajo që ai e quan si frikë të disa subjekteve politike se do të humbin bastionet e tyre.

“E para, unë në parim kisha besuar që partitë politike që hyjnë me një besim të plotë se do ta fitojnë atë komunë, qytetarët duhet t'i ndëshkojnë. Kjo për arsye se i jep goxha shumë një lloj luksi edhe nuk ka ndonjë angazhim shumë të madh”, thotë Zogaj.
Ai vlerëson se në ato komuna ku nuk ka garë të fortë, dhe nuk dihet me vota njëshifrore se kush do të fitojë ose jo, ajo nuk është garë.

“Këtë po e vërejmë pak në Prishtinë ndoshta, dhe po e vërejmë në nivel të Kosovës, sepse po shihet njëfarë frike e PDK-së se do të humb dominancën në komunat që aktualisht i ka. Ekziston ajo frikë, sikurse kanë frikë edhe partitë më të vogla që të mos marrin pozicionin që të paktën kanë ligjëruar që u takon, kam fjalën këtu për Lëvizjen Vetëvendosje, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e ndoshta edhe për Aleancën Kosova e Re”, vlerëson ai.

Çështje tjetër që paraqesin vëzhguesit është edhe ajo e vetëdijësimit të elektoratit. Shqipe Pantina, thotë të mos ketë vërejtur ndonjë ndryshim në këtë aspekt.

“Nuk jam shumë e bindur nëse elektorati është vetëdijesuar dhe do të votojë për alternativa. Akoma votohet për subjekte, dhe më shumë për liderë. Kjo ndoshta është diçka që partitë e kanë nuhatur, dhe shohim përpjekje për të gjetur kandidat të mirë, të tillë që kanë ndikim në nivel lokal, për t’i kandiduar sidomos për kryetar komunash”, thotë ajo.

Duke e pasur politikën si mision, i cili është në shërbim të së mirës së përgjithshme, Petrit Zogaj vlerëson se edukimi i përgjithshëm i elektoratit nuk bëhet vetëm në prag të zgjedhjeve, por se është një proces i vazhdueshëm i komunikimit mes dy palëve.

“Ndoshta ka edhe një lloj forme dhe shpjegimi se si ndoshta partitë të ndryshme politike, apo kandidatë kanë një lloj frike të humbjes së zgjedhjeve, ose të mosfitimit të komunave të caktuara”, vlerëson ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG