Ndërlidhjet

Maqedonia në fund të listës së investimeve të huaja


Kompania indiane "Sahara Group" në Maqedoni...
Kompania indiane "Sahara Group" në Maqedoni...
Maqedonia është radhitur ndër vendet e fundit krahasuar me vendet e rajonit, sa i përket investimeve të huaja për vitin e kaluar, bëjnë të ditur të dhënat e raportit vjetor të Konferencës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Por, Viktor Mizo, drejtor i zonës teknike-industriale zhvillimore, thotë se këto të dhëna nuk janë shqetësuese, sepse me rëndësi është të shikohet dhe metodologjia, me të cilën është bërë rangimi i shteteve të caktuara.

“Ajo që është me rëndësi për t`u theksuar, është mënyra përmes së cilës ne krahasohemi me vendet e rajonit. Fillimisht, duhet pasur parasysh se kapaciteti i tregut të brendshëm është i pakrahasueshëm me vendet e rajonit. Madje, dallon shumë edhe struktura dhe lloji i investimeve që është bërë në vende të caktuara".

"Vendet, të cilat kanë dalje në det, kanë më shumë investime në patundshmëri, hotelieri. Kuptohet ne nuk mund të krahasohemi në këtë drejtim me këto shtete. Po ashtu edhe procesi i privatizimit është në faza të ndryshme në vende të caktuara të rajonit, pikërisht këta janë ata faktorë që Maqedoninë e radhisin në vendet e fundit, sa i përket investimeve të huaja”,
thotë Mizo për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se shpresëdhënës është fakti se tetë kompani tashmë kanë paralajmëruar se do të investojnë në industrinë e automobilizmit, për ç'gjë janë ndarë edhe lokacionet.

“Për momentin jemi në procedurën përfundimtare për nënshkrimin e marrëveshjeve me disa kompani. Bëhet fjalë për kompani turke, të cilat do të prodhojnë komponente teknike, që do të përdoren në medicinë. Pastaj, kemi kompani amerikane dhe gjermane, të cilat pritet të investojnë në industrinë e automobilizmit, në sektorin e IT-së etj, dhe të gjitha këto duhet të fillojnë me punë së shpejti, madje ka paralajmërime se një pjesë e tyre do të startojë me punë deri në fund të këtij viti”, thekson Mizo.

Sipas tij, Qeveria e Maqedonisë është e kënaqur me rezultatet e promotorëve ekonomikë, të cilët veprojnë në më shumë shtete të botës.

Mizo thotë se vetëm investimi që bën kompania "Kemet Elekroniks" me 35 milionë dollarë dhe hapjen e 500 vendeve të punës, mbulon të gjitha shpenzimet që ka bërë Qeveria gjatë promovimit të Maqedonisë si vend atraktiv për investitorët e huaj.

Por, me këtë nuk pajtohet nënkryetari i opozitës maqedonase, LSDM, Vanco Uzunov. Ai thotë se forma si e bën përllogaritjen Qeveria, nuk është e drejtë, sepse nuk përfshihen privilegjet e shumta që u bën qeveria investitorëve të huaj, duke zbrazur arkën e shtetit.

“Qeveria shpenzon mjete marramendëse dhe nuk është vetëm kjo çështje kontestuese. Kontestuese janë rezultatet nga investimet direkte në vend. Ne shpenzojmë shumë kundrejt asaj që duhet të përfitojë shteti nga kapitali i huaj, i cili vjen në formë të investimeve”, thekson Uzunov.

Nga ana tjetër, Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore konsideron se shteti duhet të fokusohet në gjetjen e strategjive se si t’i tërheqë mërgimtarët të investojnë në vend, t’u ofrojë beneficione dhe kushte të volitshme për motivim që paratë e tyre t’i investojnë në Maqedoni dhe jo vetëm ata por edhe biznesmenët vendorë.

“Tashmë mund të themi se edhe klima për kreditim është përmirësuar. Madje, mund të them se kemi dhe një dukuri ku edhe vetë bankat vijnë në Odën Ekonomike dhe shpalosin ofertat e tyre duke kërkuar nga ne që të japim emrat e bizneseve që kanë projektet e tyre".

"Por, ka shumë punë që duhet t`i bëjë shteti, siç është zgjidhja e problemeve infrastrukturore, sepse për investime serioze nevojitet një administratë efikase, ku për pak kohë do të mund të kihet qasje në kadastër, dokumentacion, duhet të jepen garanci për sigurinë e kapitalit jo vetëm me miratimin e ligjeve në letër, po ato ligje duhet të gjejnë zbatim”,
shprehet Kuçi.

Ai shton se pikërisht potenciali që ka mërgata është kapitali më i sigurt që mund të hyjë në vend në këto rrethana, në të cilat gjendet Maqedonia e mbetur disa vite jashtë strukturave euroatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG