Ndërlidhjet

Thaçi: Fletëvotimet me një logo të pranueshme për të gjithë


Fletëvotimi i vitit 2010
Fletëvotimi i vitit 2010
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar arritjen e kompromisit me Beogradin për logon që do të përdoret në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ai ka thënë se fletëvotimet do të kenë një logo e cila, sipas tij, mund të mos jetë atraktive dhe të cilës nuk do t’i duartrokitet, por ka vijuar Thaçi, me rëndësi është që ajo të jetë e ligjshme dhe e pranueshme për të gjithë.

Kryeministri Thaçi e ka cilësuar si historik procesin zgjedhor të 3 nëntorit dhe pritjet që në këtë proces të përfshihen edhe komunat veriore dhe komuniteti serb i atjeshëm që përbën popullatën shumicë.

“Dokumentet zgjedhore, në kuadër të saj edhe logoja, do të jenë të ligjshme. Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë. Ne duhet të mendojmë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve”, është shprehur Thaçi.

Çështja e simboleve të shtetit të Kosovës në materialin zgjedhor, është problematizuar nga pala serbe në kuadër të bisedimeve që po zhvillon me Prishtinën.

Kryeministri serb Ivica Daçiq dhe delegacioni që ai kryeson, kanë insistuar që fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të mos përmbajnë ndonjë simbol të shtetit të Kosovës, pasi që marrëveshja e 19 prillit, sipas palës serbe, është neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Heqja e simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet ishte një kusht shtesë i Beogradit për pjesëmarrjen e komunitetit serb nga veriu në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sipas versionit të fundit, ende jo zyrtar, logoja e fletëvotimeve mund të përmbajë vetëm inicialet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por jo edhe simbolet e Republikës së Kosovës.

Nëse çështja e logos tejkalohet, atëherë është e pritshme që Beogradi të promovojw edhe publikisht listën unike serbe e cila do të garojw në zgjedhjet e ardhshme lokale në veri të Kosovës, por edhe komunat tjera.

Roli i Beogradit shihet si vendimtar për inkurajimin e serbëve të veriut të Kosovës për të dalë në zgjedhje, edhe pse pritjet janë që përqindja nuk do të jetë aspak e lartë për shkak të kundërshtimit të integrimit të institucionet e Kosovës të lidershipit aktual serb nga komunat veriore.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, pritet të zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel më 8 shtator.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, tanimë janë gati të arrihen edhe marrëveshjet për energjinë dhe telekomunikacionin, si dy tema të negociuara për një kohë të gjatë.

Mund të konfirmoj, se jemi shumë afër zgjidhjes së këtyre dy çështjeve, dhe kjo marrëveshje pritet të arrihet në takimin e ardhshëm. Marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se “kanë mbetur edhe disa detaje të sqarohen. Shpresoj dhe besoj se deri më datën tetë shtator do të mund të përmbyllim edhe këto dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, analisti politik, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd mendon se palët në bisedime po arrijnë konsensuse të shpejta për disa çështje politike, madje edhe ato që ishin cilësuara si shumë të ndjeshme.

Kurse po mungon përparimi në arritjen e marrëveshjeve për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe zhvillimin.

Në temat që më së shumti bëhet zhurmë politike dhe përmes së cilave mblidhen pikë nacionaliste para publikut po arrihen marrëveshjet më të shpejta, por jo edhe në temat ekonomike si telekomunikacioni, energjia apo edhe sigurimet dhe pagesën e borxheve të Kosovës ku ka jo vetëm lobim të fuqishëm por edhe një presion nga monopoli privat. Në këto tema mungon apo ka fare pak përparim”, ka thënë Janjiq.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i tij është thënë të jetë normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi.

Kurse zbatimi i marrëveshjeve është vënë si kusht nga Brukseli për vlerësimin e përparimit të dyja vendeve në proceset integruese evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG