Ndërlidhjet

Serbia, adresa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve


Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve

Hamide Avdyli është nënë e dy djemve, Fatmirit dhe Fadilit. Fatmiri i vrarë në luftën e fundit në Kosovë dhe Fadili i cili edhe pas 14 vjetëve vazhdon të jetë në listën e personave të pagjetur.

Zonja Avdyli ka ardhur nga qyteti i Mitrovicës për të shënuar në Prishtinë, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur. Ajo ende kërkon me ngul që të zbardhet fati i të birit të saj, por që ende nuk ka marrë ndonjë informatë nga askush se ku mund të jetë, i gjallë apo i vdekur.

“Për Fadilin duam ta dimë ku është çka ka ndodhur me të, me fatin e tij. Është i gjallë apo i vdekur. E dimë që me siguri e kanë vrarë, por do të donim ta kemi këtu të varrosur. Çdo ditë kërkojmë gjurmë të djalit tonë, të gjithë presim që të zbardhet fati i tij”, shprehet ajo.

Janë edhe qindra familje të tjera të cilat presin, ndërsa në Kosovë, sipas Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, figurojnë edhe 1.727 persona të pagjetur.

Në Ditën Ndërkombëtarë të Personave të Pagjetur, në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, është zbuluar të një Pllakë Përkujtimore. Në këtë pllakë do të figurojnë emrat dhe fotografitë e personave të cilët ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre që nga përfundimi i luftës.

Autoritetet në Kosovë edhe një herë kanë ripërsëritur se janë duke bërë angazhime maksimale për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Derisa kanë kërkuar ndihmë edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se në bisedimet në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, vazhdimisht kanë shtruar kërkesën për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Adresa e këtij problemi, por edhe zgjidhja është te Serbia. Është e çuditshme si është ndërgjegjja njerëzore dhe ajo institucionale e atyre shteteve të ndryshme në botë, përfshi edhe Serbinë në Ballkan, që përderisa duhet një pendesë për gjenocidin, do të thosha që kësaj pendese i shtohet një kontribut duke u angazhuar që të hapen arkivat ku gjenden të dhënat për këtë problem të madh”, bën të ditur Tahiri.

Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, thekson kryetari i Kuvendnit të Kosovës Jakup Krasniqi duhet të shpërbejë jo vetëm për t’i përkujtuar personat e pagjetur, por për t'u angazhuar si shoqëri që njerizimit mos t’i ndodhin ngjarje të tilla të egra.

Neve na vjen keq që fajtori kryesor i këtyre luftërave të gjenocidit ka mbetur pa u ndëshkuar në masë meritore dhe si duket kjo i ka trimëruar forca të caktuara në Beograd për të mos e ndjerë pendesën as pas 15 vjetëve për të bërë një kërkim falje”, thekson ai.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të Pagjeturve, Haki Kosumi, ka kërkuar nga të gjitha autoritetet në Kosovë dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Dhembja e këtyre familjarëve do të qetësohet kur do të gjendet njeriu i fundit i evidentuar si i zhdukur. Lusim të gjithë njerëzit e botës që të na ndihmojnë në zbutjen e kësaj dhembje që ne kemi”, është shprehur Kosumi.

Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur po shënohet nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka bërë të ditur se në rajonin e Ballkanit mbesin edhe 11,859 persona të pagjetur nga luftërat e viteve 1990.

Ata iu kanë bërë thirrje autoriteteve në rajon që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi humanitar.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, vlerësohet të jenë vrarë rreth 12 mijë persona, por ka mungesë të dhënash të përpikta për numrin e saktë të viktimave.
XS
SM
MD
LG