Ndërlidhjet

Olimpiada në Rusi dhe sportistët homoseksualë


Ilustrim
Ilustrim
Sportistët homoseksualë dhe mbështetësit e tyre po përgatiten të qëndrojnë kundër ligjeve ruse, që i margjinalizojnë ata, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi të Rusisë, në shkurt të vitit të ardhshëm.

Në këtë kuadër, shtrohet pyetja se çka do të ndërmarrin homoseksualët dhe a do të lejohen?

Për rrëshqitësin me patina nga Zelanda e Re, Blake Skjellerup, çështja e qëndrimit kundër legjislacionit rus, nënkupton bartjen e karficës ylber, derisa rrëshqet në shtegun e akullt. Për sportistin tjetër, patinazhistin amerikan, Johnny Weir, kjo nënkupton që vetëm duhet të jesh vetvetja, me kostum me ngjyra ndezëse dhe, para se gjithash, ta ketë bashkëshortin e tij atje për ta mbështetur gjatë garave.

Të dy ata e dinë se mund të arrestohen sipas një legjislacioni me definim të mjegulluar, me të cilin është e ndaluar e ashtuquajtura “propagandë e homoseksualitetit”.

Por, rrëshqitësi me patina Skjellerup, dhe patinazhisti Weir, po i injorojnë thirrjet nga disa aktivistë dhe sportistët, për t’i bojkotuar Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi të Rusisë, në shkurt të vitit 2014.

Ata janë në mesin e garuesve dhe mbështetësve, që thonë se vendi më i mirë për t’iu kundërvënë homofobisë është pikërisht në vetë Lojërat Olimpike.

Megjithatë, mbetet çështje e hapur se çka do të lejohet për homoseksualët nga autoritetet ruse dhe nga vetë Komiteti Ndërkombëtar Olimpik.

Rrëshqitësi Skjellerup, 28-vjeçar, është i vetmi sportist që hapur thotë se është homoseksual, aktualisht e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në Soçi. Ai planifikon bartjen e karficës ylberore, që është simbol i komunitetit të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe trans-seksualëve (shkurtimisht LGBT), për të treguar mbështetjen e tij.

Në një intervistë për faqen në Internet “Huffingtion Post”, me seli në Shtetet e Bashkuara, Skjellerup tha:

“Unë isha duke u fshehur për shumë kohë dhe nuk ishte aspak kohë e këndshme për mua, në asnjë mënyrë. Unë nuk do ta ndryshoj personalitetin tim për shkak të disa rregullave që ekzistojnë në një vend”.

Qëndrimi i tij mbështetet nga aktivisti i njohur për të drejtat e homoseksualëve në Rusi, Nikolai Alekseyev, i cili i tha Radios Evropa e Lirë, se është i gatshëm të shpërndajë karfica ylberore nga Parada e Krenarisë LGBT në Moskë e vitit 2006, e para e këtij lloji në kryeqytetin e Rusisë, për të gjithë sportistët e interesuar.

Prej vitit 2006 në Moskë janë ndaluar manifestimet e këtilla për 100 vjet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në muajin qershor të këtij viti, e ka nënshkruar legjislacionin, që e ndalon të ashtuquajturën “propagandë” homoseksuale. Ky ligj, që gjerësisht është interpretuar se ka të bëjë me homoseksualët, e penalizon promovimin e “marrëdhënieve jotradicionale seksuale” te të miturit.

Individët që nuk e respektojnë këtë ligj, ballafaqohen me gjobë deri në 3 mijë dollarë amerikanë, ndërsa organizatat mund të dënohen me afro 30 mijë dollarë. Shtetasit e jashtëm, që e shkelin këtë ligj, pos gjobitjes, mund të dëbohen automatikisht dhe mund të arrestohen për 15 ditë.

Aktivistët për të drejtat e njeriut në Rusi dhe më gjerë, thonë se ligji e institucionalizon qëndrimin homofobik në rritje dhe paraqet dhunë kundër homoseksualëve. Prej se ligji është miratuar ka ndodhur një valë e sulmeve, përfshirë disa vrasje.

Për sportistët, sportistet, trajnerët, gazetarët dhe mbështetësit, që arrijnë në Soçi, shqetësim të menjëhershëm paraqet paqartësia e ligjit, se çka në të vërtetë përmban “propagandë”. Teknikisht, miliona të mitur do t’i ndjekin Lojërat Olimpike personalisht në Soçi ose në televizor.

Rrjedhimisht, a do të gjobitet karfica ylberore e rrëshqitësit me patina Skjellerup dhe a do të dënohet ai me burg?

Senatori i Shteteve të Bashkuara, Charles Schumer, ka kërkuar nga vendet pjesëmarrëse në Olimpiadë, që gjatë ceremonisë së hapjes, të valavisin flamujt me ylber, ndërsa një peticion në Internet i ka bërë thirrje seleksionit të Britanisë, që të ketë veshje me ngjyra ylberi.

Tashmë kjo çështje ka pasur reflektim edhe në Kampionatin Botëror të Atletikës 2013 në Moskë.

Dy atlete suedeze kanë garuar me thonj të ngjyrosur me ngjyra të ylberit. Pas intervenimeve të ndryshme, njëra prej tyre është dashur ta ndryshojë ngjyrën e thonjve të duarve, dhe të gjithë ata i ka ngjyrosur me të kuqe, në shenjë të mbështetjes për homoseksualët.

Atleti amerikan, Nick Symmonds, medaljen e argjendtë të fituar në vrapimin 800 metra, ia ka kushtuar miqve të tij homoseksualë.

Kampionia botërore në kërcim me shkop, rusja Yelena Isinbyeva, këto veprime i ka përshkruar si mungesë e respektit. “Ne e kemi ligjin tonë, të cilin secili duhet ta respektojë”, tha ajo, ka raportuar e përditshmja "New York Times".

A do të thotë kjo se veprimet e këtilla nënkuptojnë gjobitje në Soçi?

Në muajin Korrik, katër shtetas të Holandës, që xhironin një film dokumentar për komunitetin LGBT në Rusi, ishin personat e parë të jashtëm që arrestuar sipas ligjit. Ata u burgosën, u gjobitën dhe u dëbuan.

Deklaratat e ligjvënësve rusë dhe zyrtarëve të tjerë publikë, po ashtu, sugjerojnë se ekziston oreks për interpretim edhe më të zgjeruar të ligjit, që do të thotë se ai mund të jetë edhe më i ashpër. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG