Ndërlidhjet

Maqedoni: Kuvendi me deputetë të dëgjueshëm?


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë të hënën kthehen në punë, pas përfundimit të pushimeve verore, edhe pse bazuar në aktivitetet e tyre gjatë gjysmës së parë të këtij viti, lirisht mund të thuhet se ata gjatë kësaj periudhe kanë qenë në pushim.

Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, duke komentuar efikasitetin e punës së të zgjedhurve të popullit. Deputetët, thotë Zdravko Savevski, vazhdojnë të jenë pasivë dhe të dëgjueshëm duke votuar gjithçka që vjen nga pushteti ekzekutiv.

“Deputetët tanë janë hiperproduktivë, nëse punën e tyre e shohim në bazë të miratimit të ligjeve dhe ndryshimeve tjera ligjore, por numri i ligjeve të miratuara nuk korrespondon me kualitetin e tyre”, thotë Zdravko Savevski duke shtuar se në Maqedoni Kuvendi dhe Qeveria kanë ndërruar rolet:

“Në teori, Kuvendi është mbi Qeverinë apo kontrolluese e punës së saj, por në praktikë rezulton e kundërta. Deputetët pa asnjë dozë të kritikës pranojnë gjithçka që propozohet nga partitë që janë pjesë e Qeverisë. Shumë shpesh ligjet miratohen me procedurë të shpejtuar”.

“Kjo ndoshta në periudhën e viteve ‘90 mund të arsyetohej, pasi duhet të konstituohej shtetit, por del se edhe pas 20 vjetësh pavarësi, Kuvendi vazhdon të aplikojë metodën e njëjtë të punës, miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar. Pra, ligjet që propozohen nga Qeveria nuk shqyrtohen fare, për to nuk ka asnjë debat”
, shton Savevski.

Sipas rezultateve të fundit të organizatës joqeveritare “Most”, lidhur me projektin “Deputeti im”, që analizon aktivitetet e deputetëve në periudha të caktuara, del se 73 nga 140 deputetë sa ka Kuvendi i Maqedonisë, asnjëherë nuk janë paraqitur për diskutim në seancat plenare në gjysmën e parë këtij viti.

Ndërsa, 39 prej tyre, nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë. Sipas raportit, dy liderët e partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi thuajse nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë.

Ndërkohë, sa i përket përfshirjes së deputetëve në debatin për miratimin e ligjeve, deputeti më aktiv ka qenë Ivon Veliçkovski, nga Partia Liberale, ndërsa shumë të tjerë thuajse nuk janë përfshirë në debat, ndërsa kanë marrë pjesë vetëm në aktin e votimit të ligjeve.

“Përgjegjësia për mosefikasitetin e punës së Kuvendit bie mbi deputetët. Ata duhet që me angazhimin e tyre në Kuvend, të arsyetojnë mandatin, të cilin ua ka dhënë populli”, thotë Rafis Haliti, ish -nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Ai thekson se nuk është mirë për demokracinë miratimi pa debat dhe me procedurë të shpejtuar i ligjeve, por edhe nëse kjo ndodh nga ana e Qeverisë, pra nëse ligjet dorëzohen për miratim me këtë procedurë, Haliti thotë se deputetët duhet të përfshihen në debat për të njoftuar sadopak elektoratin me përmbajtjen e ligjeve.

“Qeveria bën punën e saj dhe është normale që ministrat apo qeveria të kërkojë që propozim-ligjet e tyre të kalojnë me procedurë të shpejtuar, gjë që nuk është mirë. Nuk është mirë pasi qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar për ligjet, të cilat miratohen në Kuvend. Por, në këtë rast mendoj se puna e deputetëve, përgatitja e tyre më e mirë për çdo ligj që kalon në Kuvend, me debatet e tyre gjithsesi se do të ndikonin që edhe qytetari të jetë më mirë i informuar për ligjet, të cilat miratohen”, konsideron Haliti.

Mungesa e efikasitetit në punën e Kuvendit është ndikuar edhe nga bojkoti i opozitës për shkak të incidentit të 24 dhjetorit të vitit të kaluar, gjë që është përfshirë edhe në hulumtimin “Deputeti im” , por kjo sipas njohësve të çështjeve politike, nuk amniston heshtjen dhe mungesën e debatit dhe të aktiviteteve nga 2/3 e deputetëve të tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG