Ndërlidhjet

Rekomandime për lejimin e bartjes së simboleve fetare


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria në Prishtinë është zotuar se do ta zgjidhë deri në vjeshtë çështjen e lejimit të bartjes së simboleve fetare në shkolla,

Këtë përgjigje thotë të ketë marrë Amir Ahmeti, që kryeson Komisionin këshillëdhënës për çështjet e lirive fetare, pasi i ka dorëzuar kryeministrit Hashim Thaçi raportin preliminar me rekomandime për këtë çështje.

Në dokument, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, shihet se tre nga katër anëtarët e këtij komisioni qeveritar, Amir Ahmeti (deputet i pavarur në Kuvend), Sabri Bajgora (kryeimam i Kosovës), e Habit Hajredini, (drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë të Drejtat e Njeriut dhe Mundësi të Barabarta në kuadër të Zyrës së kryeministrit),kanë nënshkruar raportin preliminar.

Kurse, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nuk ka vënë firmën e tij në këtë raport.

Amir Ahmeti sqaron se çfarë ka sugjeruar ky trup për debatin e lejimit të vajzave me shamia që të vijojnë mësimet në shkollat publike.

“Po shpresojmë se kryeministri do ta vlerësojë pozitivisht këtë raport dhe këto rekomandime dhe të fillojë me zbatimin e rekomandimit kryesor të këtij raporti që është anulimi i pikës 13 të nenit 4 të udhëzimit administrativ 06/10 të MASHT-it,” thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Ahmeti që është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk është habitur përse zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nuk e ka nënshkruar këtë dokument, por se habitet përse po e mohon ekzistimin e tij.

“Mosangazhimi i zotit Selimi në komision, pasiviteti i tij me mosardhje në mbledhje, me kërkesat për shtyrje të takimeve, mosardhja në vizita zyrtare që i kishim me MASHT-in në të gjitha këto vende të BE-së, kjo lë të kuptojmë se ai është i interesuar që këtë punë ta shtyjë në pafundësi dhe mos ta rregulloj këtë çështje kurrë", shprehet Ahmeti.

Por, version tjetër ka Petrit Selimi, i cili konsideron se as gjysma e punës që ka ky komision, nuk është e mbaruar.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Selimi nuk e përmend ekzistimin apo jo të këtij dokumenti, por thotë se “janë bërë disa analiza të situatës me liritë fetare në shtetet e BE-së” dhe se me kaq nuk mbaron puna.

“Mund të them se një pjesë e punës është kryer”, nis shpjegimi i Selimit, sipas të cilit, kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë për t’u konsultuar me komunitetet fetare në Kosovë, me shoqërinë civile, me organizatat e lirive dhe mbrojtjes së të drejtave të grave, deputetët e Parlamentit dhe hisedarë tjerë.

“Pak po keqkuptohet puna e komisionit! Komisioni nuk është për shami, por për liritë fetare, edhe aty përthekohen një mori çështjesh, prej ligjit për fe, deri te mësim-besimi, dialogu ndërfetar, deri tek agjenda e tolerancës, dhe një nga pikat e shumta është çështja e veshjeve fetare nëpër ambientet sekulare, si shkollat”, thotë Selimi.

Sipas zëvendësministrit Petrit Selimi, debati për këtë temë, ndoshta ka konotacion më shumë politik sesa fetar.

“Ndoshta për shkak të zgjedhjeve politike që zhvillohen në nëntor, ka aktorë të cilët nguten me këtë temë. Po them se ndoshta ka aktorë, të cilët për arsye politike eksploatojnë temën shumë emocionale të shamisë në shkolla, por nëse duam punë kualitative, duhet ta parandalojmë dhe të mos e përziejmë politikën në çështjen e lirive fetare dhe të interpretimit fetar”, vlerëson Selimi.

Amir Ahmeti edhe pajtohet se politika i ka fajet, por problemin e sheh ndryshe.

“Kjo problematikë vërtet është politike, sepse politika e ka ndaluar të drejtën e manifestimit publik të besimit, pra respektivisht të vajzave me shamia për t’u shkolluar në shkollë. Ua ka mohuar dhe i ka privuar nga kjo e drejtë! Andaj politika duhet ta rregullojë”, konsideron Ahmeti.

Sipas Ahmetit, pavarësisht se çfarë qëndrimi kundërshtues ka zëvendësministri Selimi, në vjeshtë udhëzimi do të anulohet.

“...po shpresojmë tash menjëherë në vjeshtë, sepse vijon procesi mësimor. Dhe, me fillimin e vjeshtës, unë po konsideroj se ai udhëzim duhet të anulohet, sepse është diskriminues, dhe (sa për ilustrim) të gjithë nikoqirët që na kanë pritur në vendet e BE-së, me të vërtetë janë befasuar se si mund të ndodhë, një vend në Evropë, të mund të bëjë diskriminim të tillë fetar!”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Amir Ahmeti.

Mirëpo, edhe Petrit Selimi ka shpjegim për këtë gjë.

“Ky shtet, tek e fundit, në Kushtetutë, e ka rrënjën, ku thotë se Feja dhe Politika janë të ndara!”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Petrit Selimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG