RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferi, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, kishte një afat të realizimit, brenda katër vjetësh. Tash, 12 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, kjo periudhë e stërzgjatur, a mendoni se ia humb rëndësinë këtij dokumenti kornizë?
MUSA XHAFERI
Që në fillim dua të them se jo. Përderisa Marrëveshja e Ohrit, edhe pas 12 vjetësh është kaq aktuale, është një dëshmi se vlera e këtij dokumenti është edhe më e madhe.
Tash kemi një shoqëri më të avancuar politike, kemi më shumë debatues gjë që u dëshmua me organizimin e këtyre tryezave të debatit, krahasuar me vitet 2002, 2003…etj, kur njerëzit nguronin t`i qaseshin dhe të thoshin hapur mendimin e tyre sa i përket pjesëve të caktuara të Marrëveshjes së Ohrit.
Çështje tjetër është dhe fakti se është kërkesë, parim dhe vlerë e standardeve evropiane që të debatohet publikisht ashtu që në mënyrë transparente dhe jo në mënyrë konspirative në institucione të mbahet në mjegull opinioni se çka ndodh me Marrëveshjen e Ohrit, me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit apo me dialogun rreth zgjidhjes së çështjes së emrit etj.
Ky është ai guximi, ajo pjekuria e shoqërisë që t’u drejtohemi ose më saktë t’u referohemi vendeve evropiane se si ata i bëjnë dialogët, që janë shumë të nxehtë, të rëndë, zgjasin tërë natën, po synimi është të gjendet një zgjidhje, ngase temat, çështjet e pazgjidhura nuk do të ikin vetvetiu nëse ne do t’i mbyllim, i fshehim dhe nuk u qasemi.
Ato kërkojnë zgjidhje dhe zgjidhjet e sotshme mund të jenë shumë më të mira nga ato para pesë vjetësh, por ato nuk mund të jenë aq vizionare që edhe pas njëzet vjetësh do të paraqesin formulë përmes së cilës zgjidhen problemet.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se ka disa institucione, që në një formë të caktuar ia mbyllin derën realizmit praktik të Marrëveshjes së Ohrit. Duke qenë në krye të Sekretariatit për realizimin e marrëveshjes dhe zëvendëskryeministër përgjegjës për jetësimin e saj, keni ndërmarrë hapa konkretë për të sanksionuar këta udhëheqës institucionesh që e pengojnë realizimin praktik të marrëveshjes?
MUSA XHAFERI
Në fakt, ne vazhdimisht jemi në këtë betejë për t`i bindur në mënyrë politike, pastaj edhe me masa administrative, juridike, të gjitha institucionet gjegjësisht bartësit e institucioneve, të cilët rezistojnë të implementojnë politikat obligative nga Marrëveshja e Ohrit. Dhe, sa më shum kalon koha, aq më pak ka institucione që rezistojnë të implementojnë direktivat e Marrëveshjes së Ohrit.
Kur e krahasojmë realitetin e sotëm me periudhën e para gjashtë vjetëve normalisht se numri bartësve të këtyre institucioneve shtetërore është më i vogël, megjithatë ende ka të tillë që i bëjnë rezistencë Marrëvehsjes së Ohrit.
Kjo për ne nuk është e paarritshme. Për ne është me rëndësi se ne jemi konsistentë, jemi të qartë, i kemi edhe argumentet e seleksionuara si duhet, nuk krijojmë mjegulla vetvetiu për të synuar atë që është e drejtë dhe që është në të mirë të të gjithëve për ta realizuar në praktikë. Duhet të ketë më shumë vetëbesim te funksionarët, tek administratorët që t`i avancojnë këto çështje që janë në kornizë ligjore që kanë dhe bazë kushtetuese.
Për shembull, me të gjitha format juridike kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, është qytet dygjuhësorë. Të gjithë ata që punojnë në kryeqytet dhe jashtë duhet të insistojnë, madje e kanë dhe obligim të implementojnë në praktikë dygjuhësinë, që është dhe shembulli më i mirë që krijon një imazh dhe që relakson marrëdhëniet ndërmjet etniteteve. Po të kemi marrëdhënie të mira në kryeqytet, atëherë ky realitet s’ka se si të mos reflektohet edhe në periferi.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se tani lufta politike, që zhvillohej në Parlament gjatë ndryshimit të Kushtetutës, tani është bartur tek institucionet - tek ata të cilët kanë për obligim të ekzekutojnë Marrëveshjen e Ohrit, dhe pikërisht këtu dështon në masë të caktuar në disa institucione jetësimi praktik i marrëveshjes?
MUSA XHAFERI
Po ka edhe raste të tilla, nuk mund të them me një përgjithësim të këtillë se dështon, por përvojat dëshmojnë sa janë konsekuent përgjegjësit edhe në administratë. Mund të kemi defekte administrative, sa administrata është konsekuente për ta implementuar, për t’u konfrontuar me deformimet që mund të ndodhin.
Ne e dimë dhe nuk mund të harrojmë se kemi qenë një shoqëri shumë e ndarë, se ka pasur majorizime, se pozicionet nuk ndryshohen lehtë, se nuk është më koha “më jep ti diçka dhe unë të jap diçka”, pra nuk është aq e thjeshtë, por duhet të bëhet një luftë e vazhdueshme derisa të bëhet traditë, kulturë e përgjithshme e punës që të dihet se kjo është kështu dhe se Marrëveshja e Ohrit është realitet në të mirë të të gjithëve.
RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e ekspertëve dhe forcave politike janë të mendimit se duhet të pësojë ndryshime Kushtetuta, në mënyrë që të definohet shqipja si gjuhë zyrtare. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me vendimmarrjen sa i përket miratimit të buxhetit. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?
MUSA XHAFERI
Për çështjen e parë, atë të gjuhës, ka pasur dhe do të ketë shumë debate dhe shumë analiza. Konkludim i përgjithshëm është se Kushtetuta krijon bazë të mirë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, gjegjësisht të gjuhës që e flasin mbi 20 për qind e popullatës së përgjithshme, me një përjashtim që është shumë decid në Kushtetutë komunikimi ndërkombëtar të bëhet vetëm në gjuhën maqedonase. E gjithë kjo duhet rregulluar me ligj, theksohet në Kushtetutë. Dhe, kur vjen puna te ligji, dilemat politike mes subjekteve e kanë mbajtur në këtë nivel çështjen e gjuhës që ka përparime.
Përparimet janë në atë drejtim që të krijohet opinion, atmosferë pozitive dhe puna nuk është që të imponohet në një shoqëri kaq të ndarë një ligj, i cili më pas nuk do të respektohet, sepse do të kemi në atë rast edhe vështirësi të tjera siç dhe i kemi. Mirëpo, nga ana tjetër, nëse mendojnë ekspertët, profesorët universitarë, analistët se X segmente Kushtetuta duhet ndryshuar, mbetet çështje e hapur. Duhet të debatuar e argumentuar dhe duhet të krijohet opinion, dhe kur të piqet ai opinion, domosdoshmërisht ai do të shtrohet edhe në tavolinë.
Kjo është dhe ideja që profesorët e profileve të ndryshme në mënyrë shumë transparente, edhe në debatet që i ka organizuar dikasteri ynë kanë shprehur shumë ide që ia vlejnë të shqyrtohen seriozisht.
Kurse, sa i përket decentralizimit, jomajorizimit ose parimit të Badinterit, ndarjes së financave dhe atë si janë shërbimet publike në komuna, pse ka dallime aq të mëdha në shërbimet publike në komuna të ndryshme për nga kualiteti, ta zëmë Gostivari me Velesin, kjo nuk duhet shikuar vetëm nën prizmin e inatit dhe parimeve etnike, sepse kjo është një e drejtë që i takon çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë.
Pse duhet të jenë shërbimet më të mira në komunën Qendër dhe jo në komunën e Zhelinës? Qytetarët para ligjit janë të njëjtë edhe obligimeve ndaj shtetit, paguajnë në formë të barabartë tatimet.
Meqë qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës, pse kualiteti i jetës dukshëm dallon mes komunës së Zhelinës dhe komunës së Karposhit, ne jetojmë me një shtet. Mirëpo ndërgjegjja e qytetarëve duhet të jetë më e zëshme, duke mos abstrakuar faktin se është kjo përgjegjësi e politikanëve por në një rrafsh është dhe përgjegjësi e të gjithëve.
RADIO EVROPA E LIRË
Është fakt, megjithatë, se në të gjitha segmentet që janë nën kompetencat e pushtetit lokal, si në shërbimet administrative, arsimin fillor dhe të mesëm, në fiskalizim, ka dallime shumë të mëdha sa i përket standardit të jetesës. Pushteti vendor thotë se fajin e ka pushteti qendror në mosalokimin e barabartë të mjeteve. Si mendoni ju?
MUSA XHAFERI
Më duhet të theksoj se nuk duhet të dramatizohet se brenda gjashtë muajve mund të nivelizohet kualiteti i shërbimeve, pra shkollat e Karposhit dhe Aerodromit me komunat shqiptare, por e theksoj, kjo duhet të kërkohet në vazhdimësi nga drejtuesit e komunave.
Duhet të ketë plane që ne, për një afat të caktuar përafërsisht të arrihet kualiteti njëjtë i shërbimeve. Shërbimet mjekësore, ato sociale, dokumentacionet e përditshme, shërbimet e librave amë, dhe shumë shërbime të tjera, nuk kanë të bëjnë vetëm me Marrëveshjen e Ohrit, por edhe me të drejtat e qytetarëve dhe demokratizimin e shoqërisë. Pra, këto të drejta duhet t’i kërkojnë në vazhdimësi qytetarët dhe drejtuesit komunalë dhe kur të bëhet domosdo, do të vijmë tek ajo se si shpërndahen mjetet, në formë të balancuar, e të barabartë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferi, komunat shqiptare drejtohen nga përfaqësues të BDI-së, pjesë e Qeverisë.... cila është atëherë përgjegjësia e drejtuesve komunalë që nuk arrijnë të bëjnë sa duhet në këtë drejtim?
MUSA XHAFERI
Pas një përvoje relativisht të gjatë meqë është mandati i tretë i menaxhimit të komunave, pra pas miratimit të Ligjit për ndarje territoriale nga 2005-a, duhet të reflektohen rezultatet e decentralizimit.
Jo rastësisht quhet pushet vendor dhe ky pushet duhet të pasurohet dhe të ushtrohet. Drejtuesit e komunave duhet të ushtrojnë pushtetin dhe si në gjithë Evropën, pushteti vendor me atë qendror ku është në rivalitet permanent, konkurrencë të vazhdueshme, duhet të dinë t’i menaxhojnë të drejtat e tyre, gjatë ushtrimit të pushtetit në interes të qytetarëve.
Pra, drejtuesit komunalë kanë aleatë qytetarët, votuesit, anëtarët e këshillit, por duhet të ndërtojnë kapacitete administrative, nuk dua t`i kritikoj me përgjithësime, por më duhet të theksoj se është koha e fundit që ta bëjnë këtë, sepse ne kemi komuna të fuqishme sa i përket numrit të banorëve siç është komuna e Ohrit, Strugës, Gostivarit, Tetovës, Çairit, Sarajit, janë komuna urbane, kanë potencial të mjaftueshëm, kapacitete njerëzore dhe ekonomike. Ato menaxhojnë me shkollimin e mesëm dhe atë fillor që s’është punë e vogël.
Çështje tjetër me shumë rëndësi është sa të hyra merr buxheti nga TVSH-ja nga banorët e një komune të caktuar dhe më pas si shpërndahen këto mjete. Ligji thotë se duhet ndarë në bazë të drejtë, por nëse ligji nuk është adekuat, pra nuk arrin të funksionojë në bazë të drejtë, temë diskutimi duhet të bëhet ligji, pra duhet synuar ndryshimi i ligjit.
Por, nëse ligji është në rregull dhe është ajo që nuk funksionon administrata komunale atje duhet shkuar për të gjetur problemin. Pra, ka mundësi për të reflektuar me rezultate duke punuar dhe jo të politizohen gjërat me çdo kusht. Kjo çështje duhet të jetë agjendë e institucioneve, funksionarëve të pushtetit vendor gjatë mandatit të tyre dhe kur të mbërrin në fund, duhet të japin shpjegim. Nga këtu jam nisur për të mbërri në këto rezultate, këto punë kam bërë.
Pra, ata duhet në formë të detajuar të sqarojnë para opinionit, se kaq ishte kapaciteti financiar, ky ishte kapaciteti i resurseve njerëzore dhe këto ishin rrethanat. Është publiku ai që duhet të gjykojë në është objektiv ky pasqyrim. E theksoj, është koha e fundit që ne duhet të mësohemi të veprojmë në këtë mënyrë.