Ndërlidhjet

Kosovë: Ngritje çmimesh në prag të festave


Ilustrim
Ilustrim
Në prag të festave, tregtarët në Kosovë e kanë bërë të zakonshme ngritjen e çmimeve të produkteve konsumuese.

Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon tregun e çmimeve. Në mungesë të këtij mekanizimi, përfaqësuesve të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, thonë se tregtarëve iu krijohet hapësira që të bëjnë ngritje të çmimeve, pa u penguar nga askush.

Qytetarë dhe përfaqësues për mbrojtjen e konsumatorit kërkojnë nga autoritetet shtetërore që këtë dukuri ta trajtojnë seriozisht, pasi që me këtë po dëmtohen materialisht qytetarët.

Kryetari i Organizatës joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit, Selatin Kaçaniku, e konsideron akt turpi ngritjen e çmimeve të artikujve konsumues në prag të festave, derisa e quan fatkeqësi mospengimin e kësaj dukurie nga ana e institucioneve shtetërore.

“I njëjti problem po përvijohet, po përsëritet për çdo festë dhe askush nuk e dëgjon zërin e konsumatorit, taksapagues dhe gjenerues kryesor të buxhetit prej nga financohen vetë institucionet, por përkundrazi janë ose stimulojnë për t’u përsëritur që ne të kemi pakënaqësi më të mëdha. Nëse këto raste do të përsëriteshin në ndonjë shtet tjetër, sigurisht se dikush nga ministrat do të duhej të jepte dorëheqje”, bën të ditur Kaçaniku.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,2 për qind në muajin qershor 2013, krahasuar me muajin maj 2013.

Shkalla e inflacionit, e matur në muajin qershor 2013, me muajin qershor 2012, ishte 2,6 për qind.

Ngritje e çmimeve vërehet te perimet, mishi, vajrat dhe yndyrat, pemët, buka dhe drithërat, qumështi, djathi dhe vezët.

Arsyeja pse vazhdon kjo ngritje e çmimeve pa qenë e nevojshme, sipas Selatin Kaçanikut nga organizata “Konsumatori”, është pikërisht fakti se askush nuk po ndëshkohet për këto veprime.

“Ne e kemi këtë tragjedi se për çdo festë, individët e njëjtë e përsërisin veprën e njëjtë, pasi që kalojnë të pandëshkuar. Sistemet për mashtrimin e konsumatorëve janë shumë primitive në Kosovë dhe atë në trajtën ‘blej një apo dy, të tretën e ke gratis’. Kur të mblidhen një apo dy, të tretën të bëjnë edhe ashtu falas”, shton Kaçaniku.

Besimtarët islamë më 8 gusht kremtojnë festën e Fitër Bajramit.

Qytetarët ankohen se në veçanti produktet, të cilat shërbejnë për përgatitjen e ushqimeve tradicionale për këtë festë, kanë shënuar ngritje.

Lila Muhameti, qytetare, e cila kishte blerë disa produkte në njërin nga dyqanet në kryeqytet, thotë se ka ngritje të madhe të çmimeve.

“Janë rritur çmimet, ky produkt që unë e bleva sot, ka qenë 49 centë, tash është 52 centë. Kjo ngritje e çmimeve ka filluar të vërehet të shtunën. Tash para Festës së Bajramit merren edhe pagat, dhe çmimet rriten”, thotë Lila.

Lutfie Behrami thotë se që nga fillimi i muajit korrik kur ka filluar Muaji i Ramazanit, tregtarët kanë bërë ngritjen e çmimeve dhe kanë vazhduar edhe tani para Festës së Bajramit:

“Gjithë prej fillimit janë rritur, gjithçka është më shtrenjtë se sa që ka qenë. Për njerëzit që nuk kanë, është më së vështiri, për ata me ndihmë sociale, ose për ata pensionistë, të cilët marrin 112 euro në muaj”.

Feriz Fazliu, ndërkaq, mendon se ndoshta nuk ka rritje të çmimeve nga tregtarët, por problemi qëndron në atë se është papunësi dhe varfëri e madhe në Kosovë.

“Nuk janë shumë të larta çmimet, por është krizë ekonomike, rinia pa punë e ne pleqtë pa para. Është vështirë. Gjithçka është keq këtu”, thotë Fazliu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG