Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq vazhdojnë dialogun në Bruksel


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, pritet të vazhdojnë të mërkurën në Bruksel raundin e ri të bisedimeve me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në veri të Kosovës si dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, pritet që të dominojnë agjendën e takimit Thaçi – Daçiq.

Gjatë një vizite që i bëri komunës së Graçanicës, ku mori pjesë në përurimin e objektit të ri të komunës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ai dhe qeveria që drejton do të jenë afër qytetarëve të Kosovës si në jug ashtu edhe atyre në veri.

“Zotimi im sot si kryeministër i Kosovës është se ne do të jemi afër të gjithë qytetarëve të vendit në Graçanicë dhe kudo, në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq për të investuar në projektet për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova është atdheu ynë dhe ne duhet ta ndërtojmë bashkërisht”, ka thënë Thaçi.

Komuna e Graçanicës, nga kryeministri Thaçi si edhe nga përfaqësuesit lokal serb është vlerësuar si një shembull edhe për komunat me shumicë serbe në veri.

Kjo komunë e re, që nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe konstituimi i pushtetit lokal ka arritur të zhvillojë infrastrukturën dhe të hap perspektivë të re për banorët e saj, është vlerësuar me këtë rast.

Andaj, u është bërë thirrje edhe komunave në veri të Kosovës që të ndjekim shembullin e saj dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Se tema e zgjedhjeve do të trajtohet në takimin e 24 korrikut në Bruksel, këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq gjatë një adresimi para mediave në Beograd.

“Çështja e zgjedhjeve, ajo se çfarë duhet të bëhet që të ruhet neutraliteti në raport me statusin e Kosovës, pastaj çështja e kandidimit, votimit si dhe formimi i bashkësisë apo asociacionit të komunave serbe do të jenë tema të diskutimit”, ka thënë kryeministri serb Daçiq.

Lidhur me sfidat e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit ka folur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje nuk mund të quhet e mirë, por paraqet një optimizëm që shteti i Kosovës të mund të shtrijë autoritetin e vet edhe në atë pjesë.

“Nuk mund ta quajmë marrëveshjen e mirë dhe të lehtë në zbatim. Ajo i ka sfidat e veta. Por, megjithatë kemi një optimizëm se mund të zbatojmë rendin dhe ligjin në veri, që nënkupton përgatitjen e zgjedhjeve dhe kthimin e veriut në një normalitet”, ka thënë Haradinaj.

Përveç çështjeve kryekëput politike, kryeministrat Thaçi e Daçiq pritet të diskutojnë sërish edhe çështjen e telekomit dhe energjisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar se Kosova, për faktin që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mund të merr kodin e vet ndërkombëtar +383 nga një vend evropian i cili do të aplikonte tek Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit – ITU, dhe më pas do t’ia falte këtë kod Kosovës.

Sidoqoftë, bisedimet në nivel të kryeministrave si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet ët jenë intensive gjatë gjithë verës. Këtë e pati deklaruar vet Baronesha Catherine Ashton e cila u ka kërkuar palëve që t’i zbatojnë zotimet e marra me marrëveshjet e arritura.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG